RMV vaksinat e para nga Serbia, Bekim Maksuti tregon se nga do të vijnë dozat e tjera

Në një intervistë për “Euronews Albania”, drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Maqedoninë e Veriut, Bekim Maksuti, tha se ka shpresë për të marrë dozat e para të vaksinës “Pfizer” nga Serbia.

Ai sqaroi se ky nuk është një dhurim, por një shkëmbim ndërmjet dy vendeve fqinje.

“Bëhet fjalë për një numër afro 8000 vaksina, që ne do të fillojmë së pari me personelin që është kritik, pra me personelin që është drejtpërdrejt në luftë me këtë virus famëkeq dhe do të vazhdojmë më tej të shohim nga java e ardhshme se në ç’drejtim do të sillen edhe mekanizma të tjerë, siç është COVAX-i ose vaksina kineze”, u shpreh Maksuti.

Ai tha se deri në fund të kësaj jave pritet që vaksinat nga Serbia të mbërrijnë dhe të nisin procesin e vaksinimit.

Marrëveshjet me Republikën Çeke, Austrinë dhe Poloninë, siç tha Bekim Maksuti, vazhdojnë të mbeten funksionale.

“Kemi pasur bisedime që të marrim një dozë të konsiderueshme vaksinash nga Kina, mirëpo në atë kohë kur kemi biseduar edhe çmimi ka qenë shumë i lartë, por edhe mënyra ose afati i dërgesës dhe numri i dozave nuk ka qenë i favorshëm”, tha Maksuti, teksa theksoi se deri të premten do të ketë një pasqyrë më të qartë sa i takon kësaj çështjeje.

Maqedonia e Veriut është në bisedime dhe me kompanitë “Moderna” dhe “AstraZeneca”, por janë ende në pritje për një lajm nga ata rreth kohës kur mund të vijnë dozat e vaksinave dhe sasisë.

Ndër të tjera, drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Maqedoninë e Veriut, theksoi edhe vigjilencën që duhet të jetë më e lartë nga ana e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, situata e tensionuar nuk vjen si pasojë e mosorganizimit të qeverisë ose mekanizmave të tjerë, por nga mungesa e solidaritetit të prodhuesve me vendet e vogla. /euronewsal