Ronaldo kthehet në qendrën stërvitore të Man. United, por me menaxherin “për dore”

0
64

Cristiano Ronaldo dhe Jorge Mendes kanë zbarkuar në qendrën sportive të Manchester United, paraditen e sotme, teksa kjo është hera e parë që ylli portugez ballafaqohet me trajnerin e ri të “djajve të kuq” Eric Ten Haag.

Ronaldo nuk u paraqit në nisje të grumbullimit, duke mos dhënë arsye, megjithatë klubi anglez preferoi rrugën e heshtjes, për të mos krijuar konflikt mediatik, gjithsesi duket se pas vendimit të portugezit fshihet pikërisht dëshira e tij për t’u larguar.

Mediat britanike raportojnë se Mendes ka shoqëruar Ronaldon sot në “Carrington”, pasi dëshiron t’u bëjë të qartë drejtuesve të Manchester United, se ylli portugez do të largohet brenda merkatos së kësaj vere.

Deri tani kartoni i Ronaldos u është ofruar disa klubeve, mes të cilave edhe Atleticos së Madridit, që mbetet për momentin pista më e mundshme, megjithatë fillimisht Mendes duhet të bëjë punë bindëse me drejtuesit e Manchester United.

Këta të fundit shpenzuan rreth 15 milionë euro një vit më parë për të rikthyer Ronaldon në “Old Trafford” dhe i dhanë një pagë prej afërsisht 28 milionë eurosh, ndaj nuk janë të gatshëm ta lënë të largohet, pa marrë në këmbim një shifër prej të paktën 10-15 milionë eurosh.