Shefi i “mbyllur” në shtëpi

Kryeministri në largim Hashim Thaçi, që nga 26 prilli nuk e ka lëshuar asnjëherë vendin. Pjesëmarrja e tij në ceremoninë e Shenjtërimit të Papa Gjonit të Njëzetetretë dhe Papa Gjon Palit të Dytë në Romë të Italisë, ishte hera e fundit që kur ai kishte marrë pjesë në ndonjë organizim apo ishte pritur nga përfaqësues të ndonjë vendi.

Vakuumi institucional që është krijuar në Kosovë që pas përfundimit të zgjedhjeve të 8 qershorit, ka ndikuar edhe në mosaranzhimin e takimeve në nivele qeveritare, dhe në mbylljen e dyerve për liderët institucionalë të vendit nga ana qeverive të vendeve evropiane por edhe atyre botërore. Analistët vlerësojnë se kjo mbyllje e Thaçit nuk është duke u bërë krejtësisht me dëshirën e tij, meqë raporti i Clint Williamson si dhe mos formimi i qeverisë së re të dal nga zgjedhjet e 8 qershorit, janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në “refuzimin” e këtij të fundit, nga qeveritë evropiane por edhe botërore.

Për analistin nga radhët e Grupit për Studime Politike dhe Ligjore Fisnik Korenica, vendet me më ndikim në Bashkimin Evropian kanë një dozë të rezervës karshi Thaçit, dhe derisa të zgjidhet dilema rreth raportit të Williamson, pritet të vazhdoj ky refuzim.