Shkëndija fiton në Strumicë, Struga i shkakton disfatën e parë Sileksit

Struga Trim Lum i ka shkaktuar disfatën e parë Sileksit në edicionin e ri futbollistik, duke mundur liderin e deritanishëm me shifrat 2:0. Me këtë fitore skuadra strugane i mundësoi Shkëndijës për të marrë kryesimin.“Kuqezinjtë” nga Tetova në takimin tjetër të zhvilluar sot, si mysafir me rezultatin 3:0 mundën Bellasicën, duke u ngjitur përkohësisht në pozitën e parë me 11 pikë.

Besart Ibraimi realizoi dy gola në këtë ndeshje për Shkëndijën, ndërsa golin e parë e realizoi Ennur Totre, që përfitoi nga një gabim i mbrojtjes vendase.

Që të tre golat djemtë e Ernest Gjokës i realizuan gjatë pjesës së dytë, njëjtë sikurse edhe futbollistët e Struga Trim Lum, që iu falën golave të Nijas Lenës (77’) dhe Milenkovskit (90’).

Me këtë fitore Struga Trim Lum renditet në pozitën e katërt me 7 pikë, ndërkohë Sileksi me 10 pikë tashmë pozicionohet në vendin e dytë.