Shkëndija fiton Vardarin, Shkupi ndalet nga Akademia Pandevi

Shkëndija ka fituar ndaj Vardarit me rezultat 2:1 në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 20-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Murati dhe supergoli i Alimit i dhanë triumfin tetovarëve përballë skuadrës nga kryeqyteti, ndërsa këta të fundit rrjetën e gjetën përmes Mircevskit. Ndërkohë në garën për titull ka bërë gabim Shkupi, që u ndalë me barazim pa gola me Akademia Pandevin. Renova edhe në këtë xhiro nuk ka gjetur fitoren, pasi u mund sërish në transfertën me Pelisterin me shifra 3:1, ndërsa fitore të rëndësishme ka marrë Struga Trim Lum që fitoi Bellasicën me rezultat 2:1. Përballja tjetër ndërmjet Makedonija Gjorçe Petrovit dhe Borecit u mbyll me barazim pa gola. Pas kësaj xhiroje, Shkëndija vazhdon të kryesojë renditjen tabelare me 45 pikë, por me 8 pikë diferencë nga Shkupi i vendit të dytë dhe plot 11 pikë nga vendi i tretë që është Makedonija Gjorçe Petrovi./Sportmania/