Shkëndija – Shkupi, me dyer të hapura për të gjithë dashamirët e futbollit

0
95

Futbolli promovon vlera dhe bashkon, ndërsa ashtu duhet të jetë edhe nesër, kur në Tetovë do të përballen dy skuadrat më të mira shqiptare nga Maqedonia, Shkëndija dhe FC Shkupi. Bëhet fjalë për dy kampionët e fundit në vend, duke pasur parasysh se këtë vit titullin e kampionit skuadrës së Shkëndijës i’a rrëmbeu FC Shkupi, shkruan “infOSport.mk”.

Kjo ndeshje është pritur me shumë interes dhe me shumë paqartësi, e që kishte të bëjë me prezencën e tifozëve mysafir të FC Shkupit. Këta të fundit kërkuan leje nga ana e drejtuesve të Shkëndijës për të udhëtuar drejt Tetovës, mirëpo një përgjigje direkte nuk morrën, ndërsa sot po të njëjtit drejtues përmes faqes zyrtare njoftojnë se dyert e stadiumit në Tetovë do të jenë të hapura.

Me këtë rast, drejtuesit e Shkëndijës ftojnë gjithë publikun futbolldashës nga shteti dhe rajoni më i gjerë, që të jetë i pranishëm në derbin e ditës së nesërme, që bashkërisht ta shijojnë këtë derbi si futbolldashës të denjë, por assesi jo në formë të organizuar nga grupe të vogla, me mendësi dhe skenar euforik të ulët, me fjalor të urrejtjes që mund të nxit edhe dhunë, pa mos kalkuluar mirë pasojat e mundshme negative shoqërore që nuk përjashtojnë as ndonjë epilog të mundshëm tragjik. Këto lloje të tentativave të organizuara asnjëherë nuk do të gjejnë përkrahjen dhe asnjëherë nuk do të lejohen nga KF Shkëndija, thonë nga tabori i “kuqezinjëve”, të cilët gjithashtu potencojnë se në rend të parë ftesa u drejtohet tetovarëve dhe “Ballistëve”, që janë të dëshmuar si mikpritës, që t’i japin përkrahje klubit të tyre të zemrës.

Mbetet të shohim nesër se si do shkojnë gjërat në tribuna dhe nëse vërtetë publiku shqiptarë do të tregojë veten se është me kulturë të lartë sportive.

Pra të nderuar tifoz shqiptarë, qoftë nga Tetova, Shkupi, Gostivari, Kumanova, Dibra, Kërçova, le ta shijojmë këtë spektakël nesër me fillim në ora 17:00.