Shkupi konfirmon se ka refuzuar kërkesën për fluturimin e Lavrovit

0
71

Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se Maqedonia e Veriut ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili ka paralajmëruar se do të vizitojë Beogradin të hënën.

Kërkesa e Ambasadës Ruse është bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt ka vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Lavrov, së bashku me presidentin rus, Vladimir Putin, janë në listën e sanksioneve të shteteve të shumta perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Shtetet e vetme ku ata mund të udhëtojnë në Evropë janë Bjellorusia, Moldavia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Vizita e Lavrovit në Serbi është paralajmëruar për 6 dhe 7 qershor.

Mediat në Serbi kanë raportuar se edhe Mali i Zi dhe Bullgaria kanë ndaluar fluturimin e avionit të Lavrovit në hapësirën e tyre ajrore. Të dy këto shtete po ashtu i kanë vendosur sanksione Rusisë./REL/