Sot do të vendoset për orën policore gjatë vikendit, BFI-ja përgatitet për faljen e namazit të Bajramit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot duhet që të miratojë vendim për orën policore gjatë vikendit për parandalimin e shpërndarjes së virusit korona. Megjithatë pushteti po has në rezistencë të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, e cila ka paralajmëruar se nuk do ta pezullojë faljen e namazit të Fitër Bajramit gjatë ditës së diel, njofton Portalb.mk.

“Vënia e orës policore ashtu siç është paralajmëruar do të irritonte pa masë besimtarët islamë, nga shkaku se gati një muaj në vikende nuk ka pasur orë policore, gjë që me automatizëm nënkuptohet se bëhet me qëllim që të ndalohet falja e namazit të Fitër Bajramit, i cili falet njëherë në vit, namaz 15 minuta, ndërsa namazi i sabahut do të falet në shtëpi. Riaseti i BFI-së, për shkak situatës me pandeminë ka hequr dorë prej organizimit dhe manifestimit qendror të Fitër Bajramit, por nuk do të marrë përgjegjësi mbi vete për pezullimin e faljes së namazit të Fitër Bajramit në xhami. Nëse vendosni që gjatë vikendit në tërësi të futet në orë policore, atëherë ju si organe kompetente do ta humbni besimin te besimtarët islamë, duke e pasur parasysh se vendi ynë gjendet para zgjedhjeve parlamentare”, thonë nga BFI.

Qeveria deri më tani nuk e ka komentuar letrën e BFI-së të cilën ia ka dërguar më 18 maj.

Dje BFI i publikoi dhe rekomandimet për faljen e namazit të Fitër Bajramit, ndërkaq menjëherë pas asaj, gjatë mbrëmjes reisi Sulejman Rexhepi, tha se Kryesia e BFI është vërshuar me njoftime nga muftinitë dhe hoxhallarët e tyre se policia po i merr në telefon imamët dhe po ndikon mbi ata që të mos falin namazin e Bajramit, kurse në raste të tjera, policët kanë hyrë edhe nëpër xhamitë me qëllim për të bërë presion.

“Një veprim të këtillë të policisë nuk kemi si të mos e vlerësojmë si shkelje dhe ndërhyrje në autonominë e BFI, njëherit shkelje flagrante të patolerueshme të Konventave Ndërkombëtare për të drejtat dhe lirit fetare, Karta e OKB dhe Konventa Evropian për të drejtat e njeriut “neni 9 të drejtat dhe lirit fetare”, deklaroi Rexhepi, duke shtuar se po bëhet organizim serioz për faljen e Fitër Bajramit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut gati një muaj i ka lehtësuar masat gjatë vikendeve, gjegjësisht ora policore është në orarin e njëjtë me ditët e tjera të javës, prej në 19:00 deri në orën 05:00.

Ministria e Shëndetësisë në raportin e fundit në lidhje me gjendjen e KOVID-19 në vend raportoi se Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 40 raste të reja me virusin korona, ndërkaq 1 person ka ndërruar jetë dhe 11 të tjerë janë shëruar. Me këtë, numri i përgjithshëm i pacientëve të infektuar ka arritur në 1.898, 111 kanë ndërruar jetë, 1.378 janë shëruar, ndërkaq numri i rasteve aktive është 409.