Spektakël boksi në Tetovë, Lulzim Ismaili do të bokson për titullin WBF të Europës

Më 17 Prill të këtij viti qyteti i Tetovës sërish do të jetë qendër e një spektaklit të boksit. Nën organizim të Box Klub Shkëndija No Limit do të mbahet mbrëmje e boksit profesionist dhe amatorë, ku në mesin e 8 luftave profesionale do të garojë edhe boksieri i mirënjohur shqiptarë Ferit Keta, ndërsa kulminacioni i mbrëmjes do të jetë lufta për titullin WBF të Europës ndërmjet tetovarit Lulzim Ismaili dhe boshnjakut Jasmin Dananovic. I mbetur vakant apo i lirë shkaku i mungesës së aktiviteteve, rregulluroja la të lirë titullin në fjalë në kategorinë deri 69.8 kilogram dhe përfaqësuesi për Europë i Federatës Botërore të Boksit, gjermani Christian Roesen përmes agjentëve dhe bashkëpunëtorëve kanë ofruar që tetovarit Lulzim “The Eagle” Ismaili t’i mundësohet të garojë për këtë titull. Me ecuri prej 6 fitoreve në po aq lufta në boksin profesionist, Lulzim Ismaili në duelin më të rëndësishëm të karrierës deri tani, përballë do të ketë boksierin nga Bosnja e Hercegovina, Jasmin Dananovic që numëron 16 fitore në këtë kategori. Organizatorët e spektaklit shprehin keqardhjen për pamundësinë e organizimit të këtij spektakli në prani të publikut, pasi masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë pamundësojnë diçka të tillë, mirëpo në të njejtën kohë vijojnë bisedimet me disa shtëpi televizive për transmetim direkt të mbrëmjes së 17 prillit. Nga Box Klub Shkëndija nuk fshehin entuziazmin për organizim sa më të mirëfilltë të këtij spektakli, me dëshirë për ta mbyllur mbrëmjen me spektakël dhe shkruarjes së një faqe të re në historinë e boksit tetovar dhe mbajtjes së rrypit në Tetovë.