Taravari ju shpallë luftë gazetarëve

Sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari sërish ju ka shpallur luftë gazetarëve. Ai sonte ka reaguar në Tv21 ku ishte edhe gazetari Furkan Saliu ku ditë më parë ofendoi atë dhe profesorët e gazetarisë në UT.

“Si kryetar i komunës, si ish ministër i shëndetsisë, si individ që është i përfshirë në politikë, si mjek, si profesor universitar, dhe në cilësinë time private, gjithmonë e mbështes dhe do të vazhdoj të mbështes gazetarinë profesionale dhe mendimin e lirë. Niveli i lirisë së shprehjes është një tregues se sa e shëndetshme është baza e shoqërisë dhe zhvillimi shoqëror.

Jam dakord me gazetarinë që bën çdo përpjekje për të ekspozuar korrupsionin, mospërputhjet, parregullsitë, gazetarinë që duhet të rrisë ndërgjegjësimin e audiencës për shumë çështje që meritojnë interes publik. Gazetaria që është gjithëpërfshirëse, ajo tenton të përkrah, mbështet të dobëtin dhe të pafuqishmin, në një përpjekje për të “depërtuar me zërin ” tek institucionet e sistemit.

Por kurrsesi nuk pajtohem me gazetari dhe media që kushtëzojnë, imponojnë, kalkulojnë dhe qërrojnë hesapet. Cinizmi dhe korrupsioni nuk kanë vend në gazetari dhe media, sepse kështu u cenohet profesionalizmi dhe etika, e shëndrohen në një koncept i huaj dhe i panjohur. Unë mbështes gazetarinë që mendon shumë më tepër për audiencën se sa për vete!” ka shkruar Taravari në proflin e tij në FB.