Të izoluarit pa interesim për të votuar!

Personat në izolim dhe pozitiv me Kovid19, të drejtën e votës do ta realizojnë nga shtëpia. Për këtë janë formuar këshilla të veçantë në përbërje të një mjeku, dy motra medicinale dhe një anëtar partiak. Por interesimi i tyre për të votuar është tepër i ulët.

Në Maqedoni ka mbi 5 mijë persona që janë në izolim nga Kovid19. Këta dhe personat tjerë që janë pozitiv, për të realizuar të drejtën e tyre të votës nga shtëpia, duhet të paraqiten në Këshilla Zgjedhor Komunal më së voni deri të mërkurën në mesnatë. Edhe pse sonte skadon afati për tu paraqitur kjo kategori qytetarësh për të votuar, deri ditën e martë janë paraqitur vetëm se 20 persona për të realizuar ët drejtën e votës nga izolimi.
“Deri tash janë paraqitur për të votuar 20 persona me Kovid19. Këta persona votojnë ditën e hënë. Të martën votojnë të burgosurit dhe qytetarët tjerë të cilat sipas Kodit Zgjedhor i plotësojnë kushtet për të votuar ditën e martë. Ndërkohë të mërkurën, 15 korrik është dita kur të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut me të drejtë vote do të realizojnë të drejtën e tyre për të votuar”, deklaroi për gazetën KOHA, Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.

Të drejtën e votës këta persona do ta realizojnë në shtëpi. Për këtë janë formuar këshilla të veçantë në përbërje të një mjeku, dy motra medicinale dhe një anëtar partiak.
“Kemi kompletuar këshillat zgjedhor edhe këshillat e veçantë zgjedhor të cilët përbëhen prej tre vetëve të personelit mjekësor dhe katër nominime të partive politike të cilat janë në këtë përbërje. Për momentin akumulojmë materialin për mbrojtjen e shëndetit të cilin do ta përdorin këto këshilla dhe jemi në përgatitje të planit për mbajtjen e trajnimeve të këtyre personave”, theksoi Shabani.

Të gjithë janë të detyruar të mbajnë pajisje mbrojtëse kundër Kovid19 të cilat ndërrohen pas çdo votimi. “Ky këshill zgjedhor kur arrin në adresën, në objektin e personit që ka kërkuar të votojë është i detyruar të mbajë mantelin e najlonit vizirë, maskë dhe doreza. Të bëj dezinfektimin e shpeshtë të duarve dhe pas zbatimit të votimit të personit pozitiv me Kovid19 ose personit që është në izolim shtëpiak, këto mjete, e kam fjalën për mantelin mbrojtës, maskën dhe dorezën do të duhet t’i hedhë në qese të veçantë”, deklaroi Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së. Deri më tani janë formuar 100 këshilla zgjedhorë. Është paraparë që nga një këshill të jetë në çdo komunë, por në komunat ku ka numër të lartë të të infektuarve, siç është Çairi, votimi do të mbulohet edhe me dy këshilla.

Në ndërkohë, KSHZ nesër do të organizojë simulim për votim të sigurt në një vendvotim, në të cilin do të kërkohet të marrin pjesë të gjitha mediat. Në seancën e sotme KSHZ gjithashtu paralajmëroi se qytetarët mund të votojnë më 15 korrik me pasaportë të skaduar duke patur parasysh se ato do të jenë valide deri më 30 korrik.

Anëtari i KSHZ, Boris Kondarko, gjithashtu ka informuar se në votime qytetarët nuk do të guxojnë të shkojnë me maska, në të cilat do të kenë shenja të partive politike, sepse ajo do të trajtohet si agjitim të vendvotimit që është e ndaluar me ligj. Elizabeta Postoloska, anëtare e VMRO-DPMNE dhe Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ dhe anëtare e Komisionit e propozuar nga KSHZ, kanë kërkuar plotësim të rendit të ditës, gjegjësisht ndryshim të udhëzimit të KSHZ për votim të personave me Kovid-19 dhe në vetizolim. Postoloska kërkoi pikë të re të rendit të ditës gjegjësisht ndryshim të udhëzimit për votim për këta persona, që të mundohet që në votim të paraqiten me test pozitiv me Kovid-19, të cilët nuk kanë marrë vendim nga Inspektorati shtetëror shëndetësor dhe sanitar.

Si dëshmi se janë pozitiv me Kovid 19 këta persona, siç propozoi ajo, të mund deri te Komisioni, gjegjësisht deri te KKZ të parashtrojnë rezultatin e testit.  Kjo nuk u pranua nga ana e anëtarëve të KSHZ, të propozuar nga LSDM Kondarko dhe Janaqe Vitanov, të cilët konsiderojnë se në ditën para përfundimit të afatit për paraqitje të këtyre personave nuk mund të ndryshojë udhëzimi për votim të personave me Kovid 19 dhe në vetizolim. Propozimi për ndryshim të këtij udhëzimi gjegjësisht shtimi i afatit për paraqitje në votim të personave me Kovid 19 dhe në vetizolim ose në karantinë përfundon nesër në mesnatë. Përveç se me ndihmës, ata do të mund të paraqiten në votim edhe përmes aplikacionit për paraqitje për votim të këtyre personave të parashtruar në ueb faqen e KSHZ https://izolacija.sec.mk/.

KSHZ në seancën e sotme ka bërë edhe zgjidhjen e anëtarëve të rinj në vend të atyre personave që kanë kërkuar të merren nga KKZ ose nga Këshillat zgjedhor. Deri në KSHZ ka arritur një numër i madh i kërkesave për përjashtim të punëtorëve shëndetësor, të cilët do të jenë të angazhuar më 13 korrik për votimin e personave me Kovid 19 dhe në vetizolim. Në këto këshilla të posaçëm zgjedhor janë zgjedhur 300 punëtorë shëndetësorë. Ka patur 80 kërkesa të arsyeshme për përjashtim dhe 20 të paarsyeshme.

Anëtari i KSHZ, Elizabeta Postoloska, siç u shpreh, lutë punëtorët shëndetësorë për mirëkuptim, duke shtruar se të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa ata janë në eksponuar dhe të angazhuar gjatë muajve të fundit për shkak të pandemisë me Kovid 19. “Nëse vazhdojmë me këtë intensitet të përjashtimit ne nuk do mund të formojnë këshilla zgjedhor”, tha Postoloska./Koha/