Të rinjtë shqiptarë promovojnë vlera europiane

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Paqes për të 63 herë me radhë. Ndërkohë Dita e Paqes, vendin tonë e zë në një atmosferë jo të mirë dhe aspak tolerante. Për arsyeje të dy rasteve të fundit të gjuhës së urrejtjes, që kishim nga ana e tifogrupeve maqedonase, ku kanë bërë thirrje anti-shqiptare në sheshet e kryeqytetit. Njëri nga rastet ishte javë më parë në qendrën e kryeqytetit, ku tifozët “Komiti”, brohorisin se “shqiptari vdekur, është shqiptari mirë” dhe rasti i tjetër po nga tifozët e njëjtë në lagjen “Gjorçe Petrov” të Shkupit, brohoriten thirrje të ngjashme anti-shqiptare.

Nga rasti i fundit, autoritetet shtetërore duhet të marrin mësim që të reagojnë dhe ta parandalojnë gjuhën e urrejtjes, pasi që mundësitë për të eskaluar situata në atë rast ishin të mëdha. Ndërkohë sa i përket gjuhës së urrejtjes nga tifozët, MPB ka njoftuar se ka identifikuar 16 persona që kanë marrë pjesë në incidentin që ndodhi në Gjorçe Petrov. “MPB, tashmë intensivisht po punon në koordinim me Prokurorinë për të zbardhur këto raste, bëhet fjalë për dy raste, pas çka do të parashtrohen padi penale. Po identifikohen pjesëmarrësit, dhe po thirren në bisedë, konkretisht për rastin e fundit në lagjen Gjorçe Petrov, janë identifikuar 16 persona. MPB do të ketë zero tolerancë për raste të këtilla”, kanë thënë nga MPB-ja.

Dita e Paqes në vendin tonë është shënuar përmes një aktiviteti të vogël nga disa të rijnë të Komunës së Çairit, projekt i cili është përkrahur nga Aksioni Paqësor në Shkup. Projekti në fjalë, është realizuar me pikturimin e një grafiti, ku është shënuar paqe, drejtësi, liri dhe barazi, në gjuhën angleze. Gjithashtu janë pikturuar portretet të vogla të personave me ndikim më të madh në bot që kanë kontribuar në promovimin e vlerave të paqes si Gandi, Mandela, Martin Luterkingut dhe Ema Goldman.

Valon Kuçi, iniciator i kësaj nisme për gazetën KOHA, ka thënë se ideja është që të promovojmë vlera europiane dhe perëndimore në Çarshinë e Vjetër dhe ti largojmë paragjykimet e të tjerëve për Çarshinë dhe komunën tonë. “Siç e dimë ende ekzistojnë steriotipe nga bashkëqytetarët tanë maqedonas, që të vijnë në Çarshinë e vjetër apo në Çair për të pirë kafe nga frika që kanë se do mashtrohen apo do ju ndodhë diçka e pazakontë. Përmes këtij aktiviteti, ne dëshirojmë të tregojmë se të gjithë janë të mirëseardhur në Çarshi dhe mund të vijnë lirshëm. Ne dëshirojmë të promovojmë paqe, tolerancë dhe mirëkuptim për të gjithë që jetojnë në vendin tonë”, ka deklaruar Kuçi. Në fund ai ka shtuar se ideja ka qenë të realizohet një aktivitet i cili mund të shihet nga të gjithë dhe të mos jetë diçka klasike që jemi mësuar tani më, por të sjellim një trend të ri të aktiviteteve.

Ndërkohë, artisti i cili ka realizuar grafitin në fjalë, Dastid Dauti për gazetën KOHA, është shprehur se gjithashtu përveç qëllimit kryesor të promovimit të paqes, qëllimi tjetër i tyre ka qenë që të promovohen edhe artistët të cilët merren me artin e këtij lloji. “Është e vështir ta punosh një lloj arti i cili ende përbuzët apo nuk vlerësohet aq sa duhet në shoqërinë tonë. Për këtë arsyeje, kemi vendosur që me një aktivitet të përfshijnë disa fusha të ndryshme të promovimit”, tha Dauti. Ndryshe, Dita e Paqes, u vendos nga asambleja e përgjithshme e OKB-së, që në këtë ditë të përforcohen idetë dhe idealet për paqe mes të gjithë kombeve dhe kombësive që kanë mes vete armiqësi dhe probleme të ndryshme.