Teuta Arifi i shkruan vargje nënës së ndjerë

Teuta Arifi

Vdekja e nënës, shkuarja e saj nga kjo botë është ajo vijë horizontale e kryeneçe, që e ndan jetën tonë në atë që ishte më parë dhe në atë që vjen paskëtaj.

Është ajo mungesë që e ndien kur shpreson akoma të shohësh dritën e ndezur në dhomën e saj, një fetë buke të mbështjellë me pecetë të bardhë në mëngjes, një xhaketë që të zgjatet në dalje e sipër që të mos kesh ftohtë, një prani e ndier, e ndier thellë.
Shkuarja e saj është një udhëtim kozmik miliona vitesh, pa zhurmë, pa ankesë, si një yll që fluturon larg dhe atëherë fillon e hidhërohesh me Diellin, Hënën, Tokën, qiellin e botën, sepse ngado që kthen kokën ka një gjë që mungon.
Na bëhet sikur mungon jeta, sepse përmes trupit të saj fillojmë e marrim frymë, prandaj dhe fryma e fundit e saj na bën një ndalesë të vogël, që tregon se vdekja është megjithatë aty.
Një nënë ka aq madhështi e fisnikëri, sa nuk lejon të zemërohesh as me vdekjen, sepse vdekjen e quan fat, por nga ti kërkon ta përqafosh fuqishëm jetën, ashtu siç e ndieu ajo në levizjen tënde të parë.
Prandaj, ajo dhe mbetet një prani e përhershme, e ndjeshme dhe e butë, ashtu siç ka qenë e pandryshueshme, e qeshur dhe e urtë.
Të dashurit e mi,
dëshiroj që nga thellësia e zemrës t’Ju falënderoj për të gjitha mesazhet, letrat, telegramet dhe telefonatat me rastin e shkuarjes nga kjo botë të nënës Nadire.

Duke Ju lexuar e duke Ju dëgjuar, mësova edhe shumë detaje të vogla jete që flasin për madhështinë e karakterit të saj. Fjalë që më bënë të ndihem bijë krenare e një nëne mësuese e popullit tim, një nëne që nuk më përkiste vetëm mua, por që ishte edhe Juaja po ashtu.
Dëshiroj që të keni shëndet e mbarësi, t’i gëzoheni pranisë së prindërve Tuaj nëse i keni pranë dhe të Ju ndriçojë kujtimi i tyre i përhershëm nëse janë larguar nga kjo botë.

Të gjithë vdesim. Qëllimi nuk është të jetojmë përgjithnjë. Qëllimi është të bëjmë vepra që me vlerën e tyre shkojnë përtej kufijve të një jete.