Zejnullai në Kroaci me ndërmjetësim të “Tetovo Football Management” (FOTO)

Futbollisti i deridjeshëm i Shkëndijës së Tetovës, Arbin Zejnullai edhe përfundimisht karrierën e tij do ta vazhdojë në elitën e futbollit të Kroacisë. 22 vjeçari ka firmosur me NK Lokomotiv Zagrebin, me skuadrën nga kryeqendra kroate që do të jetë eksperienca e tij e parë jashta vendit. Meritat për këtë lëvizje shkojnë në adresë të agjencionit “Tetovo Football Managment” me drejtor Vedut Rrustemin, të cilët në bashkëpunim me agjencionin kroat “Top Talent 11” ndërmjetësuan realizimin e këtij transferimi ndërkombëtarë.

Futbollisti shkëputi kontratën me kuqezinjtë tetovarë javë më parë dhe si futbollist i lirë kishte hapsirën për të zgjedhur rreth të ardhmes. Vërshuan oferta nga klube elitare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ku Renova e Shkupi ishin më insistues, por në moment të fundit hapet mundësia për kalim në Kroaci dhe lojtari vendos të dalë jashta vendit. Njohja e Vedut Rustemit me Zejnullain ka bërë që të krijohen gjitha kushtet për të shkuar pranë marrëveshjes dhe gjithçka është zyrtarizuar pasditën e sotme kur lojtari ka firmosur me Lokomotiv Zagrebin.

Arbin Zejnullai është fëmijë i dalë nga shkolla e futbollit Shkëndija, djalosh i cili u imponua si lider në gjithë gjeneratat e kategorive të reja te ekipi tetovarë, ndërsa debutoi me skuadrën e parë në moshë shumë të re. Ai ishte pjesë e ekipit të parë për 6-të sezone të plota, kur zhvilloi 80-të ndeshje dhe shënoi 5 gola, ndërsa numëron 5 trofe të fituar me ekipin e parë të Shkëndijës, 3 tituj kampion dhe 2 Kupa të vendit. Tashmë nis aventurë të re në një kampionat më të avansuar, ku urojmë lojtari të ketë shumë sukses.