Ziberi kërkon debat në TV me Zaevin dhe Mickoskin

Kandidati i parë shqiptar për kryeministër të Maqedonisë së Veriut Naser Ziberi ka ftuar në debat televiziv Zoran Zaevin dhe Hristijan Mickoskin.

Pasi prezantoi axhendën për 100 ditët e para si Kryeministër, Naser Ziberi u bëri thirrje kundërshtarëve të tij politikë maqedonas që të ballafaqohen në në debat televiziv, sepse sipas tij, qytetarët meritojnë një debat demokratik mbi idetë dhe të ardhmen e vendit.

“Tani është koha për të paraqitur programet tona, idetë tona, vizionet tona, konceptet tona për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Prandaj, unë do të doja të shfrytëzoja këtë rast për të ftuar dy konkurrentët e mi për postin e kryeministrit në një duel televiziv. Duelet televizive midis kandidatëve për Kryeministër janë një segment i rëndësishëm në vendet demokratike në të gjithë botën.

I drejtohem edhe një herë Zaevit dhe Mickoskit, që ta pranojnë këtë shtrirje të dorës për të organizuar një debat televiziv në media të pavarur dhe asnjanëse dhe të informojmë qytetarët tanë për pikëpamjet, vizionet dhe idetë tona”, deklaroi Ziberi