Cikalleshi shënon gol ndaj dy shqiptarëve

cikalleshi

Sokol Cikalleshi mposhti me një lëvizje të vetme dy ish-futbollistët e përfaqësueses Shpresa, qendërmbrojtësin Domgjoni dhe portierin Selmani, megjithatë ekipi i tij, Akhisar Belediye, nuk shkoi përtej barazimit 2-2 në duelin me skuadrën kundërshtare Menemenspor.

Në takimin përmbyllës të Javës së 21-të të kampionatit të Kategorisë së Parë në Turqi u vunë përballë njëri-tjetrit sulmuesi i përfaqësueses kuqezi, Sokol Cikalleshi, si dhe ish-dyshja e Laçit, Domgjoni-Selmani. Në Akhisar vendasit zhbllokuan shpejt ndeshjen, që në minutën e dytë, sidoqoftë në treçerekun e takimit 29-vjeçari kavajas, pasi mbrojti mirë topin brenda zonës së rreptësisë, ia doli të dyfishonte shifrat, duke shënuar golin e gjashtë sezonal.

Sulmuesi shtatlartë i kombëtares kuqezi me një goditje të zgjuar kaloi topin mes këmbëve të Domgjonit, për të mundur gjithashtu edhe 21-vjeçarin Gentian Selmani, që nuk mund të bënte dot asgjë për të shmangur golin e dytë për ekipin e tij. Vendasit menduan se kishin bërë mjaftueshëm për të fituar ndeshjen, por klubi nga Izmiri u kundërpërgjigj, duke realizuar dy herë në 12′ e fundit të takimit. Përfundimisht dy skuadrat barazuan me rezultatin 2-2, për t’i lënë gjërat pak a shumë njësoj në tabelën e renditjes.

Të dy ekipet kanë pretendime në këtë edicion të kampionatit të Kategorisë së Parë në Turqi, sepse synojnë që në përfundim ta mbyllin sezonin e rregullt brenda zonës play off. Ekipi i Akhisarit, pas 21 ndeshjeve ka grumbulluar 29 pikë dhe aktualisht mbyll pikërisht zonën play off, duke u klasifikuar në vendin e gjashtë, ndërsa klubi tjetër Menemenspor Belediyespor që siguroi pikën e parë në vitin 2020 pas plot 4 humbjeve radhazi, ka të njëjtën kuotë pikësh dhe pozicionohet në vendin e tetë në tabelën e renditjes, pra shumë pranë zonës play off.