Sport
INTERVISTË | Flet kick bokseri tetovar, Albin Pajaziti: Fatin e krijojmë vetë, me punë dhe pa u dorëzuar
Një nga emrat më premtues të kickboksit nga Tetova, Albin Pajaziti, rrëfen rrugëtimin e tij në sportet luftarake, sfidat, sakrificat dhe ambiciet për të ardhmen. Në këtë intervistë, ai flet hapur për momentet më të vështira, mungesën e mbështetjes dhe dëshirën për t’u rikthyer edhe më i fortë në arenën ndërkombëtare. Albin Pajaziti mbetet një shembull i përkushtimit dhe këmbënguljes në sport, duke dëshmuar se rruga drejt suksesit nuk është e lehtë, por është e mundur për ata që nuk dorëzohen.

Si filloi rruga jote në kickboks dhe çfarë të shtyu të hysh në sportet luftarake?
Për herë të parë kickboksin e provova në vitet 2007–2008, por në sytë e prindërve ishte një sport shumë i ashpër. Si përfundim, opsioni i vetëm për një sport luftarak nga ana e tyre ishte karateja. Fillova me karate dhe u stërvita rreth 7 vite, ku arrita edhe brezin e kaltër. Por gjatë gjithë kohës, shpirti im kërkonte diçka më agresive, më të ashpër – dhe më pas mora vetë vendimin të merrem me kickboks.
Çfarë do të thotë për ty të jesh kampion i Maqedonisë dhe sa punë fshihet pas këtij titulli?
Të jesh kampion i Maqedonisë për mua si shqiptar është një emocion i madh. Sepse përfaqësoj qytetin tim dhe kombin në mënyrën më të mirë të mundshme. Por pas këtij titulli fshihet punë e jashtëzakonshme: stërvitje të forta, sparingje të shumta, sakrifica dhe largim nga shumë gjëra të jetës së përditshme.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierën tënde deri tani dhe si e ke kaluar?
Momenti më i vështirë ka qenë ndeshja në Lituani, në një nga organizatat më të forta në botë. Edhe pse tregova qëndrueshmëri pas shumë lëndimeve që nga raundi i parë kundër një kundërshtari elitar, nuk munda të tregoj maksimumin tim. Ishte një periudhë e vështirë për mua për shkak të sëmundjes së njërit prind, gjendjes emocionale, balancimit të punës me stërvitjen dhe mungesës së mbështetjes – si nga kompanitë, ashtu edhe nga institucionet. Nuk kisha as kushte adekuate dhe as sparing partnerë të nivelit të duhur. Megjithatë, krenohem me nivelin ku kam arritur.
A ka pasur ndonjë ndeshje që e konsideron “pikë kthese” në karrierën tënde?
Po, dita e kampionatit ku zhvillova dy ndeshje brenda një dite. Të parën e fitova bindshëm me 3:0 në raunde, ndërsa të dytën me TKO pas disa orësh. Aty u ndez sërish ai “zjarr” për suksese të reja. Tani jam në fazë rikuperimi dhe besoj se do të rikthehem edhe më i fortë.

Si është një ditë stërvitjeje për ty kur përgatitesh për një meç?
Dita fillon zakonisht në mëngjes me vrapime aerobike. Gjatë ditës kujdesem për ushqimin – proteina dhe karbohidrate për energji. Ndërsa në mbrëmje fokusimi është në teknikë, forcë, lëvizje dhe çdo element të nevojshëm për një luftë.
Kush kanë qenë inspirimet e tua në këtë sport?
Për mua gjithmonë inspirim ka qenë Badr Hari, për shkak të stilit të tij agresiv.
Sa e rëndësishme është për ty përfaqësimi i Tetovës në arenën sportive?
Është shumë e rëndësishme. Dua t’u tregoj të gjithëve se fatin e krijojmë vetë me punë të palodhshme. Pa marrë parasysh nëse ke apo jo përkrahje, vendosmëria dhe mosdorëzimi janë çelësi. Përfaqësimi i Tetovës më bën krenar, sepse është një qytet me histori dhe traditë trimërie.

A mendon se sportet luftarake në Maqedoni kanë mbështetjen e duhur për talentët e rinj?
Jo, sidomos kickboksi nuk ka mbështetjen e duhur. Garuesit përballen me shpenzime të mëdha – ushqim, stërvitje, përgatitje – dhe mungon përkrahja e nevojshme për zhvillim.
Cili është objektivi yt i radhës?
Objektivi im i radhës është të marr pjesë përsëri në UTMA dhe ta dëshmoj veten në një nivel edhe më të lartë.
Çfarë mesazhi do t’u jepje të rinjve që hezitojnë të fillojnë?
“ONE DAY OR DAY ONE.” Një fjali që nuk ka nevojë për shpjegim.
Sport
Ejup Ademi zgjidhet kryetar i ri i Klubit të Mundjes Liria
Ejup Ademi është zgjedhur kryetar i ri i Klubit të Mundjes Liria, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të mbajtur sot, ku u përcaktua edhe përbërja e re e Kryesisë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Zgjedhja e drejtuesve të rinj është zyrtarizuar edhe përmes një postimi në faqen zyrtare të klubit në Facebook.
Krahas kryetarit të ri, në përbërjen e Kryesisë bëjnë pjesë Prof. Dr. Sedat Baftiu, Rufat Ismaili, Mustafa Ademi dhe Riad Rexhepi.
Kryetari Ejup Ademi dhe anëtarët e rinj të Kryesisë do ta udhëheqin klubin gjatë katër viteve të ardhshme.
Nga Klubi i Mundjes Liria u përcollën urimet për drejtuesit e rinj, me shpresën se përmes përkushtimit, punës dhe angazhimit të përbashkët, klubi do të rikthejë namin dhe lavdinë e dikurshme, duke vazhduar traditën dhe historinë e tij të pasur sportive.
Sport
Mexhit Hysenaj shkëlqen në Europianin WAKO 2026, siguron finalen dhe medaljen për Shqipërinë
Kickboksieri shqiptar Mexhit Hysenaj ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e tij sportive, duke siguruar një vend në finalen e Kampionatit Europian WAKO 2026, në disiplinën Low Kick, kategoria -81 kg.
Sportisti nga Durrësi, i njohur për stilin e tij agresiv, goditjet e fuqishme dhe shpirtin luftarak, ka përfaqësuar Shqipërinë në një prej kompeticioneve më të rëndësishme të kickbox-it europian.
Një fitore që e çon Shqipërinë në finale
Në gjysmëfinale, Hysenaj u përball me përfaqësuesin kroat Gaj Ćosić, duke arritur një fitore me ndërprerje të ndeshjes nga arbitri (RSC).
Kjo fitore i siguroi sportistit shqiptar kualifikimin në finalen e madhe dhe të paktën medaljen e argjendtë, duke e vendosur mes dy sportistëve më të mirë të Europës në kategorinë e tij.
Nga Durrësi drejt arenës europiane
Rrugëtimi i Mexhit Hysenajt në kickboxing është ndërtuar mbi vite përkushtimi, sakrifice dhe stërvitjeje intensive.
Pesë herë kampion i Shqipërisë dhe me eksperiencë në arenën ndërkombëtare, Hysenaj ka vazhduar të synojë rezultate të rëndësishme, duke përfaqësuar vendin e tij përballë sportistëve të nivelit të lartë.
Një tjetër sukses për sportin shqiptar
Arritja e Hysenajt në Kampionatin Europian WAKO 2026 është një rezultat i rëndësishëm jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për kickbox-in shqiptar.
Me këtë paraqitje, sportisti nga Durrësi dëshmon se talenti, disiplina dhe puna e vazhdueshme mund ta çojnë flamurin kuqezi në nivelet më të larta të sportit europian.
Mexhit Hysenaj vazhdon të shkruajë historinë e tij në ring, me ambicien për ta ngjitur Shqipërinë në majën e Europës.
Sport
Dita “kuqezi”, sonte Shqipëria luan ndaj Finlandës
Kombëtarja e Shqipërisë sonte luan ndaj Finlandës ndeshjen e vlefshme për UEFA Nations League.
Ndeshjen e parë “kuqezinjtë” e kishin humbur, shkaku edhe i një kartoni të kuq në fillim të takimit.
Sonte gjërat janë ndryshe dhe tashmë synohet një fitore e lehtë para tifozëve në Tiranë.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle3 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme3 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme12 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 month agoÇmimi i naftës shënon rënie
