Lajme
14 pikat e marrëveshjes SHBA-Iran
Marrëveshja midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Iranit për armëpushim parasheh rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, lehtësim financiar për Iranin dhe zotimin se Teherani nuk do të prodhojë kurrë armë bërthamore, sipas një drafti të tekstit të siguruar nga CNN.
Memorandumi i mirëkuptimit prej 14-pikash nuk është publikuar ende zyrtarisht. Duke marrë parasysh se SHBA-ja dhe Irani po japin fakte të ndryshme, nuk dihet nëse ky tekst do të pasqyrojë formulimin e saktë të dokumentit përfundimtar, që do të nënshkruhet të premten në Zvicër.
Detajet teknike po finalizohen, kështu që formulimi mund të ndryshojë.
Sipas draft-marrëveshjes, SHBA-të do t’i lejojnë Iranit të shesë produktet e naftës dhe petrokimike, dhe Teherani mund të jetë në gjendje të përfitojë nga një fond zhvillimi prej 300 miliardë dollarësh nëse përmbush angazhimet që lidhen me programin e tij bërthamor në negociatat e mëtejshme. Dokumenti nuk përfshin detaje specifike se çfarë do të bëhet me uraniumin e Iranit.
14 pikat e marrëveshjes:
1 — Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët në luftën aktuale, deklarojnë me nënshkrimin e këtij memorandumi mirëkuptimi përfundim të menjëhershëm dhe të përhershëm të luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, dhe zotohen se që tani e tutje nuk do të ndërmarrin asnjë veprim armiqësor kundër njëri-tjetrit dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër njëri-tjetrit. Marrëveshja përfundimtare do të konfirmojë dispozitat e këtij neni dhe të neneve të mbetura.
2 — Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara zotohen të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe të përmbahen nga ndërhyrja në punët e brendshme të njëri-tjetrit.
3 — Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara zotohen të negociojnë dhe të arrijnë një marrëveshje përfundimtare brenda një periudhe maksimale prej 60-ditësh, e cila mund të zgjatet me pëlqim të ndërsjellë.
4 — Menjëherë pas nënshkrimit të këtij memorandumi mirëkuptimi, Shtetet e Bashkuara heqin bllokadën detare dhe parandalojnë çdo ndërhyrje ose pengesë kundër Iranit dhe rivendosin lëvizjen brenda një maksimumi prej 30-ditësh në kapacitetin e tij të plotë; Lëvizja e anijeve do të jetë proporcional me vëllimin e trafikut para luftës nga ana e Iranit. SHBA-ja gjithashtu merr përsipër të tërheqin forcat nga zonat përreth brenda 30 ditëve pas marrëveshjes përfundimtare.
5 — Pas nënshkrimit të këtij memorandumi mirëkuptimi, Irani do të ndërmarrë menjëherë hapa për të siguruar që lëvizja e anijeve tregtare nga Gjiri Persik në Detin e Omanit dhe anasjelltas të rifillojë brenda 30 ditëve në vëllimin e paraluftës, duke marrë parasysh nevojën për heqjen e pengesave teknike dhe neutralizimin e minave nga Irani.
6 — SHBA-ja zotohet, së bashku me partnerët e tyre rajonalë, të krijojnë një plan gjithëpërfshirës të dakordësuar nga të dyja palët për rehabilitimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit, duke siguruar njëkohësisht financim prej të paktën 300 miliardë dollarësh. Mekanizmi i zbatimit të këtij plani, si pjesë e marrëveshjes përfundimtare, do të formulohet brenda 60 ditëve.
7 — SHBA-ja zotohet të përfundojnë, sipas një orari që do të dakordësohet si pjesë e marrëveshjes përfundimtare, të gjitha llojet e sanksioneve me të cilat përballet aktualisht Irani, duke përfshirë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), dhe të gjitha sanksionet e njëanshme të SHBA-së, si parësore ashtu edhe dytësore.
8 — Irani përsërit se nuk do të prodhojë kurrë armë bërthamore. Irani dhe SHBA-ja kanë rënë dakord që fati i uraniumit dhe fati i të gjitha çështjeve të tjera të lidhura me armët bërthamore, të cilat janë dakordësuar reciprokisht, duke përfshirë nevojat bërthamore të Iranit, do të trajtohen në mënyrë adekuate në një marrëveshje përfundimtare; marrëveshja përfundimtare do të konfirmojë dispozitat e këtij neni.
9 — Irani dhe SHBA-ja bien dakord që, në pritje të një marrëveshjeje përfundimtare, do të ruajnë status quo-në: Irani do të ruajë status quo-në në programin bërthamor dhe SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit dhe as nuk do t’i rrisë forcat në rajon.
10 — SHBA-ja zotohet që menjëherë pas nënshkrimit të këtij memorandumi mirëkuptimi dhe deri në datën e heqjes së sanksioneve, Departamenti i Thesarit do të lëshojë përjashtime për eksportet e naftës bruto iraniane, produkteve petrokimike dhe derivateve të tyre, dhe të gjitha shërbimeve të lidhura, duke përfshirë bankat, sigurimet, transportin dhe të ngjashme.
11 — SHBA-ja zotohet që, në dritën e përparimit të negociatave drejt një marrëveshjeje përfundimtare, fondet dhe asetet e ngrira ose të kufizuara të Iranit do të lirohen dhe do të bëhen plotësisht të disponueshme. Këto fonde, pavarësisht nëse mbahen në llogarinë kryesore apo transferohen, do të përdoren për çdo pagesë të përfituesit përfundimtar të përcaktuar nga Banka Qendrore e Iranit dhe do të jenë plotësisht të disponueshme për përdorim. SHBA-ja zotohet të lëshojë të gjitha lejet dhe licencat e nevojshme mbi këtë bazë.
12 — Irani dhe SHBA-ja bien dakord që do të krijohet një mekanizëm zbatimi për të mbikëqyrur zbatimin me sukses të marrëveshjes përfundimtare dhe angazhimin e ardhshëm ndaj saj.
13 — Pas nënshkrimit të këtij memorandumi mirëkuptimi dhe pas marrjes së garancive në lidhje me fillimin e zbatimit të neneve 4, 5, 10 dhe 11 të këtij memorandumi dhe zbatimin e vazhdueshëm të këtyre hapave, Irani dhe SHBA-ja do të hyjnë në negociata për një marrëveshje përfundimtare vetëm në lidhje me nenet e mbetura.
14 — Marrëveshja përfundimtare do të miratohet nëpërmjet një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Lajme
Mbeturinat para shkollave dhe kopshteve në Tetovë ngrenë shqetësim, drejtori i NPK-së Samet Bislimi: Grumbullimi falas nga dera e secilës shtëpi dhe objekt
Grumbullimi i rregullt i mbeturinave dhe ruajtja e pastërtisë publike mbeten ndër sfidat kryesore në Tetovë, veçanërisht në zonat pranë çerdheve dhe shkollave, ku grumbullimi i kontejnerëve dhe hedhja e mbeturinave të vëllimshme krijojnë probleme për mjedisin dhe qytetarët.
Përballë kësaj situate, drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) në Tetovë, Samet Bislimi, thekson se qytetarët kanë në dispozicion një zgjidhje konkrete dhe pa pagesë për largimin e mbeturinave të vëllimshme nga shtëpitë e tyre.
“Ekipi shkon deri te dera e çdo qytetari dhe ia merr mbeturinat e vëllimshme, pa pagesë. Këtë shërbim e kemi organizuar që ta kemi qytetin më të pastër dhe qytetarët të kenë një zgjidhje se ku mund t’i hedhin këto mbeturina”, deklaroi Bislimi.
Shërbimi u mundëson qytetarëve të largojnë mobiliet e vjetra dhe sendet e tjera të mëdha pa pasur nevojë t’i lënë pranë kontejnerëve, në trotuare apo në hapësira publike, ku shpesh krijohen deponi të vogla ilegale.
Nga kompania Saubermacher Tetovë, përgjegjëse për zbrazjen e kontejnerëve dhe transportimin e mbeturinave drejt deponisë rajonale, thonë se ekipet e tyre po bëjnë përpjekje që grumbullimi i mbeturinave të kryhet rregullisht, madje edhe më shumë se një herë në ditë, aty ku paraqitet nevoja.
Sipas të dhënave të kompanisë, nga janari deri në shtator të këtij viti janë grumbulluar dhe transportuar mbi 25.000 tonë mbeturina komunale, si dhe afro 2.900 tonë mbeturina të vëllimshme. Gjatë kësaj periudhe, automjetet e kompanisë kanë përshkuar rreth 225.000 kilometra.
Vulnet Sela nga Saubermacher Tetovë theksoi se këto shifra dëshmojnë përmasat e punës së përditshme që nevojitet për të siguruar grumbullimin e mbeturinave në të gjithë territorin e Komunës së Tetovës.
Thirrje për përgjegjësi qytetare: mbeturinat e mëdha të mos lihen pranë kontejnerëve
Një nga problemet që rëndon pastërtinë e qytetit është hedhja e pakontrolluar e mbeturinave të vëllimshme, përfshirë mbetjet ndërtimore, mobiliet e vjetra dhe sendet e mëdha plastike, të cilat shpesh lihen pranë kontejnerëve ose drejtpërdrejt në tokë.
Kjo praktikë jo vetëm që krijon pamje të papastër, por kontribuon edhe në formimin e deponive të vogla në hapësira publike.
Nga NPK-ja e Tetovës u bëjnë thirrje qytetarëve që, në vend se t’i hedhin këto mbeturina në mënyrë të pakontrolluar, të kontaktojnë ndërmarrjen dhe të kërkojnë shërbimin falas të grumbullimit. Si alternativë, mbeturinat e vëllimshme mund të dërgohen edhe në qendrën grumbulluese të Saubermacher-it.
Ndërkohë, disa çerdhe dhe shkolla kanë kërkuar që kontejnerët pranë objekteve të tyre të zhvendosen në lokacione më të përshtatshme. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, ndërmarrjeve publike dhe qytetarëve.
Nën drejtimin e Samet Bislimit, NPK-ja e Tetovës u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë shërbimin falas për grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme, duke kontribuar kështu në parandalimin e deponive ilegale dhe në krijimin e një ambienti më të pastër për të gjithë.
Lajme
Gjest i madh, 18 vjeçari gjen kuletën me 18 mijë € dhe i’a kthen pronarit
Një i ri 18 vjeçar ka treguar ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare, pasi ka gjetur dokumente personale dhe një shumë të konsiderueshme parash, të cilat i ka dorëzuar në polici, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas njoftimit të MPB-së, dje, në orën 14:00, në Stacionin Policor në Delçevë, një 18-vjeçar nga ky qytet ka dorëzuar dokumentet personale të gjetura dhe para në vlerë prej 114.000 denarësh dhe rreth 2.000 eurosh.
I riu i kishte gjetur paratë dhe dokumentet në bulevardin „Maqedonia“ në Delçevë. Bëhej fjalë për një dokument udhëtimi, letërnjoftimin e një banori të Delçevës, si dhe shumën e lartpërmendur të parave.
Pas gjetjes së tyre, ai kishte vepruar me përgjegjësi dhe i kishte dorëzuar të gjitha në stacionin policor.
Ministria e Punëve të Brendshme e përshëndeti këtë veprim, duke theksuar se ai përbën një shembull pozitiv të ndershmërisë, ndërgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë së lartë qytetare, veçanërisht te të rinjtë.
„Veprime të tilla meritojnë mirënjohje publike dhe përbëjnë një nxitje për kultivimin e vlerave shoqërore, besimit të ndërsjellë dhe sjelljes së përgjegjshme në komunitet“, theksuan nga MPB-ja.
Lajme
“Plumbin e kam ende në sy”, para nisjes drejt Italisë rrëfehet 28-vjeçari që u plagos në protestë
Një goditje, dy hapa dhe më pas rrëzimi në tokë. Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u plagos në sy nga një plumb gome gjatë protestës.Mes dhimbjes dhe pasigurisë për shikimin, ai rrëfen për herë të parë ekskluzivisht për gazetarin e Top Channel Endi Tufa çfarë ndodhi, pak para se gjithçka të ndryshonte.
Plumbi ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa shpresa tashmë është te mjekët dhe një ndërhyrje më e specializuar.“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, tha ai.
Gjithçka ndodhi në pak sekonda. Erjoni tregon se pas goditjes ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm. Kujtimet për atë që ndodhi më pas janë të pakta, por ai mban mend ndihmën e një shoku, i cili e transportoi me makinë. Pas kësaj, nisi një tjetër betejë, këtë herë në spital, me dhimbjen dhe frikën se mund të humbasë shikimin.“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, u shpreh ai.
Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e majtë të Erjonit. Pasojat e goditjes dhe rreziku për shikimin mbeten shqetësimi kryesor. Ai nuk e fsheh dhimbjen, ndërsa për atë që mund të ndodhë në vijim, ende nuk ka siguri.“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, u shpreh ai për Top Channel.
Në këto kushte, trajtimi i specializuar është kthyer në shpresën kryesore për të shpëtuar syrin e dëmtuar. Pas kontaktit të Top Channel me stafin e spitalit, mjekët dhe të afërmit e Erjonit, është siguruar transporti i tij drejt një spitali në Romë, ku pritet të niset pasditen e sotme për të marrë kujdes më të specializuar mjekësor.Mes dhimbjes dhe pasigurisë, Erjoni mbyll dëshminë e tij me dy fjalë: “Vetëm fitore”. Një shprehje që, pas asaj që ka përjetuar, merr një kuptim edhe më të fortë.
“Vetëm fitore”, thotë ai.Endi Tufa: Çfarë do të thotë kjo?
“Shqipëria është e jona”, e mbyll ai intervistën./ Top Channel
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 week agoÇmimi i naftës shënon rënie
