Connect with us

Lajme

Mariçiq nga Kishinevi: KSHZ-ja me Memorandum forcon bashkëpunimin me rajonin për zgjedhje sipas standardeve evropiane

Një delegacion i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), i përbërë nga kryetari Bojan Mariçiq and anëtaret Ditmire Shehu dhe Svetllana Karapetrova, mori pjesë aktive në Konferencën e shtatë Rajonale “Paratë në politikë 2026”, e cila u mbajt në Kishinev, Republika e Moldavisë, në të cilën Mariçiq, në emër të institucionit, nënshkroi Memorandumin e mirëkuptimi midis autoriteteve zgjedhore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Shqipërisë, Republikës së Moldavisë dhe Ukrainës.

Me nënshkrimin e memorandumit, shtetet nënshkruese, kandidate për anëtarësim në BE, vendosin një kornizë për bashkëpunim intensiv në fushën e mbrojtjes së integritetit zgjedhor dhe rezistencës demokratike. Nënshkrimi ndodhi menjëherë pas fjalës përmbyllëse të kryetarit Mariçiq, në sesionin përmbyllës së bashku me Angelika Karaman, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Moldavisë, Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë dhe anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Ukrainës, Andriј Јevstihnieiev, me çka institucionet nënshkruese formalizuan zotimin e tyre të përbashkët për promovimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, harmonizimin e legjislacioneve kombëtare me vlerat e Bashkimit Evropian, luftën kundër korrupsionit zgjedhor, transparencën e financimit dhe ballafaqimin me kërcënimet hibride.

Kryetari Mariçiq mbajti fjalim edhe si folës kryesor në sesionin e parë plenar kushtuar “Mburojës europiane për demokracinë”, ku theksoi domosdoshmërinë e integrimit sistemik të trupave zgjedhorë në mekanizmat evropianë të mbrojtjes, duke nënvizuar se bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i përvojave janë vendimtare për ballafaqimin efikas me sfidat moderne, siç janë flukset e paligjshme financiare, keqpërdorimi i kriptovalutave në fushatat zgjedhore dhe ndikimi i manipulimeve digjitale.

“Në rrugën tonë drejt BE-së, udhëzimet e “Mburojës demokratike europiane” duhet t’i shndërrojmë në zgjidhje kombëtare. Integriteti zgjedhor në epokën digjitale nuk toleron izolim dhe përgjigje individuale”, tha Mariçiq, duke shtuar se autoritetet zgjedhore duhet të kenë bashkëpunim të ngushtë me qëllim që të njohin dhe parandalojnë në kohë format bashkëkohore të ndikimit digjital, të cilat gjithnjë e më shumë po e formësojnë hapësirën zgjedhore.

Në margjinat e konferencës, delegacioni i KSHZ-së zhvilloi një takim me udhëheqësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Moldavisë dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit të Malit të Zi. Në takim u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për hapa konkretë për zbatimin praktik të dispozitave të Memorandumit të nënshkruar.

Delegacionet diskutuan për rëndësinë e shkëmbimit intensiv të praktikave të mira në fushën e transparencës së financimit politik dhe zgjedhor, si dhe për mekanizmat për luftimin e korrupsionit zgjedhor. Bashkëbiseduesit u pajtuan se ky lloj i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë është i domosdoshëm për zhvillimin e kapaciteteve profesionale të administratës zgjedhore dhe për harmonizimin e suksesshëm të sistemeve kombëtare me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian.

Konferenca rajonale e sivjetshme “Paratë në politikë”, e titulluar: “Nga paratë virtuale te ndikimi real: Kufijtë e rinj të qëndrueshmërisë demokratike”, e organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Moldavisë në partneritet me International IDEA, Këshillin e Evropës dhe UNDP, mblodhi mbi 100 përfaqësues të organeve zgjedhore, institucioneve kundër korrupsionit, organizatave ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile nga më shumë se 20 shtete, dhe përfaqësoi një platformë kyçe për krijimin e përgjigjeve strategjike ndaj kërcënimeve bashkëkohore ndaj demokracisë. Në 6 panele tematike patën prezantimet e tyre mbi 30 folës ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të Komisionit Evropian, Komisionit të Venecias, si si dhe ekspertë kryesorë nga International IDEA, Këshilli i Evropës dhe UNDP, në të cilat pjesëmarrësit shkëmbyen praktika të mira për mbikëqyrjen e fushatave zgjedhore në epokën digjitale, me çka nënshkrimi i Memorandumit shënoi përkushtimin e përhershëm të autoriteteve zgjedhore drejt forcmit të institucioneve dhe standardeve evropiane.

Linku për video insertet:https://we.tl/t-G3rggtA4eX0nWxav

Lajme

VLEN: Çfarë lidhje ka Grubi me paralajmërimet e Ahmetit për tërheqje nga politika?

VLEN ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), duke e lidhur aktakuzën ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi me paralajmërimet e Ali Ahmetit për tërheqje nga politika aktive.

Në reagimin e saj, VLEN pretendon se aktakuza ndaj Grubit ka shkaktuar përplasje dhe shqetësim brenda BDI-së, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që mund të kenë zhvillimet rreth tij në të ardhmen e kësaj partie.

“Prej kohësh themi se Artan Grubi është ‘kutia e zezë’ e BDI-së dhe se nga prania ose mungesa e tij varen shumë hesape dhe zhvillime brenda kësaj partie”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Sipas koalicionit, deklaratat dhe temat e ngritura së fundmi nga Bujar Osmani mund të lidhen, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me zhvillimet rreth Grubit. VLEN përmend edhe rolin e Islam Abazit, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për zhvillimet e ardhshme brenda BDI-së.

VLEN gjithashtu shtron pyetjen nëse paralajmërimet e Ali Ahmetit për tërheqje nga politika aktive janë të lidhura me situatën e krijuar rreth Grubit dhe zhvillimet e mundshme brenda partisë.

“Për Ali Ahmetin, kohët e vështira sapo kanë filluar. Përpara s’i dilet, prapa s’ka ku shkon!”, përfundon reagimi i VLEN-it.

Continue Reading

Lajme

Zbardhet rasti i dhunës në rrethinë të Shkupit, ngrihet kallëzim penal ndaj tre personave

Njësia për Krime të Dhunshme në SPB Shkup ka ngritur kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar ndaj tre personave nga fshati Bukoviq, të dyshuar për kryerjen e veprës penale „dhunë“.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet fjalë për S.J. (34), I.J. dhe S.J., të gjithë nga rajoni i Shkupit.

Ngjarja ka ndodhur më 12 gusht në fshatin Kopanicë. Sipas kallëzimit, i dyshuari i parë ka sulmuar me një objekt të fortë 25-vjeçarin H.R. nga fshati Arnaqija, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë kanë dëmtuar automjetin e tij me objekte të forta.

Pas ndërmarrjes së masave, policia ka arrestuar S.J. (34). Pas daljes para gjykatësit në procedurë paraprake, ndaj tij është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Ndërkohë, policia po ndërmerr masa për gjetjen dhe arrestimin e dy personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në rast.

Continue Reading

Lajme

Ministri Ferati: 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, detyra jonë është ta shndërrojmë paqen në besim dhe besimin në një të ardhme më të mirë

Në manifestimin qendror me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, theksoi se 13 gushti 2001 nuk është vetëm një datë e rëndësishme në historinë moderne të Maqedonisë së Veriut, por një moment që ndryshoi rrjedhën e shtetit dhe u dha mijëra familjeve mundësinë të mendonin sërish për të ardhmen.

Në fjalimin e tij, Ferati tha se disa ditë mbeten të shkruara në kalendar, ndërsa të tjera mbeten të shkruara në jetën e njerëzve, duke e cilësuar 13 gushtin si një nga ato ditë.

„Jo vetëm sepse u nënshkrua një marrëveshje. Por sepse mijëra familje patën mundësi, edhe një herë, të mendojnë për të nesërmen“, tha Ferati.

Ai e ndërtoi fjalimin e tij përmes një figure simbolike – një fëmije të lindur në gusht të vitit 2001, i cili sot është 25 vjeç.

„Sot, ai ose ajo është 25 vjeç. Nuk i kujton ditët kur frika ishte më e fuqishme se shpresa. Nuk i kujton bisedimet e gjata që formësuan fatin e vendit. Nuk e kujton pasigurinë me të cilën ky vend zgjohej çdo mëngjes“, theksoi ministri.

Sipas Feratit, pikërisht këtu qëndron kuptimi më i madh i zgjedhjes së bërë 25 vite më parë – fitorja më e madhe e çdo paqeje nuk është që ajo të mbetet e shkruar në dokumente, por që brezat e rinj të mos kenë nevojë të kujtojnë pse ajo paqe ishte e nevojshme.

„Marrëveshja e Ohrit vazhdon të jetojë në jetën e njerëzve“
Ferati theksoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk duhet të shihet vetëm si një dokument i arkivuar, por si një marrëveshje që vazhdon të ketë ndikim në jetën e qytetarëve.

„Ka marrëveshje që përfundojnë në arkiva. Dhe ka marrëveshje që vazhdojnë të jetojnë në jetën e njerëzve. Marrëveshja Kornizë e Ohrit i përket llojit të dytë“, tha ai.

Sipas tij, marrëveshja nuk ishte e përsosur dhe nuk i zgjidhi të gjitha problemet, por në një nga momentet më të vështira të historisë së vendit i dha Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj mundësinë të zgjedhin sërish të ardhmen.

Duke iu referuar parimeve themelore të marrëveshjes, Ferati theksoi se refuzimi i dhunës dhe zgjedhja e zgjidhjeve politike paqësore përbëjnë një vendim me karakter civilizues.

„Asnjë fitore nuk ka vlerë nëse çmimi i saj është jeta e njeriut. Dialogu, sado i vështirë të jetë, gjithmonë vlen më shumë se heshtja që sjellin armët. Dhe e ardhmja gjithmonë vlen më shumë se ndarja“, tha Ferati.

Nga Krusheva dhe ASNOM-i te 2001, historia si varg zgjedhjesh

Në fjalimin e tij, ministri e vendosi Marrëveshjen e Ohrit në kontekstin më të gjerë të historisë së shtetformimit të Maqedonisë së Veriut.

Ai përmendi Krushevën, ASNOM-in, pavarësinë e vitit 1991 dhe vitin 2001 si etapa të një historie të përbashkët.

„Këto nuk janë histori të ndara. Ato janë një storje e vetme. Storja e një vendi që, sa herë që historia e ka vendosur përballë një zgjedhjeje të vështirë, ka zgjedhur të ardhmen“, u shpreh Ferati.

Ai theksoi gjithashtu se historia nuk ndërtohet vetëm nga burrështetasit dhe figurat politike, por edhe nga qytetarët e zakonshëm që, në momentet më të vështira, vazhduan ta mbajnë gjallë jetën e përbashkët.

Sipas tij, paqja nuk krijohet vetëm nga ata që negociojnë.

„Paqja krijohet edhe nga ata që të nesërmen vendosin të jetojnë sërish së bashku.“

Evropa duhet të ndërtohet edhe këtu
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të Feratit iu kushtua perspektivës evropiane të vendit.

Ai tha se Evropa nuk është vetëm një destinacion drejt të cilit po udhëton Maqedonia e Veriut, por edhe një mënyrë jetese dhe një standard që duhet të ndërtohet brenda vendit.

„Evropa është një mënyrë jetese. Një mënyrë jetese në të cilën respektohen qytetarët. Në të cilën mbrohet drejtësia. Në të cilën dinjiteti nuk varet nga emri që mbani, gjuha që flisni apo vendi ku keni lindur“, theksoi ministri.

Ferati nënvizoi se integrimi evropian nuk duhet të kuptohet vetëm si proces institucional, por si një transformim i mënyrës se si qytetarët dhe institucionet sillen me njëri-tjetrin.

„Evropa nuk do të vijë në Maqedoninë e Veriut vetëm përmes një nënshkrimi. Ajo do të vijë përmes mënyrës se si sillemi me njëri-tjetrin“, tha ai.

Sipas Feratit, dallimet gjuhësore, kulturore dhe etnike nuk janë pengesë për shtetin, nëse ndërtohet besimi.

„Kur ndërtohet besimi, gjuhët e ndryshme nuk janë më kufij. Ato bëhen ura“, u shpreh ministri.

„Çfarë do t’u lëmë brezave që vijnë pas nesh?“
Duke folur për përgjegjësinë e brezit të sotëm, Ferati shtroi pyetjen se çfarë do t’u lihet brezave që vijnë.

Ai theksoi se brezat e mëparshëm lanë pas ideale, shtetësi, pavarësi dhe paqe, ndërsa brezi i sotëm duhet të ndërtojë besim, institucione funksionale, drejtësi dhe mundësi për të rinjtë.

„Detyra jonë kërkon jo më pak guxim. Kërkon një lloj tjetër guximi. Guximin për të ndërtuar besim. Në institucionet. Në drejtësi. Në fjalën që japim. Dhe mbi të gjitha, tek njëri-tjetri“, tha Ferati.

Sipas tij, besimi nuk mund të votohet, të nënshkruhet apo të urdhërohet.

„Besimi duhet të fitohet. Me durim. Me punë. Me përgjegjësi. Ndonjëherë, madje, edhe përmes brezave.“

Shteti ndërtohet çdo ditë

Ferati theksoi se ndërtimi i shtetit nuk përfundon në sallat ku merren vendimet politike, por vazhdon çdo ditë në shkolla, spitale, gjykata, fabrika dhe familje.

„Vendet nuk ndërtohen vetëm në sallat ku merren vendimet. Ato ndërtohen në klasa. Në sallat e gjyqeve. Në spitale. Në shtëpi. Në mënyrën se si u flasim atyre që flasin dhe mendojnë ndryshe. Në mënyrën se si e ndihmojmë fqinjin tonë. Në mënyrën se si i rrisim fëmijët tanë“, theksoi ai.

Në këtë kontekst, ministri u rikthye te figura e fëmijës së lindur në vitin 2001, i cili sot është i ri dhe nesër do të jetë prind.

Ai tha se një ditë fëmijët e tyre do të pyesin se çfarë ndodhi në vitin 2001 dhe se përgjigjja nuk duhet të jetë vetëm historia e një marrëveshjeje.

„Shpresoj të dëgjojnë storjen e njerëzve që, kur ishte më së vështiri, nuk lejuan që frika të ishte më e fortë se arsyeja. Historinë e një vendi që kishte më shumë se një rrugë përpara. Dhe zgjodhi atë që çonte drejt së ardhmes“, tha Ferati.

„25 e më tej – për rininë, me rininë, së bashku drejt së ardhmes“
Në përmbyllje të fjalimit, Ferati theksoi se 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit nuk duhet të jetë vetëm përkujtim i së kaluarës, por edhe një zotim për të ardhmen.

Ai tha se brezi i sotëm duhet të sigurojë që çdo fëmijë, pavarësisht emrit, gjuhës apo vendit ku ka lindur, ta ndiejë Maqedoninë e Veriut si shtëpinë e tij.

„Para 25 vitesh, zgjodhëm paqen. Sot, brezi ynë duhet të zgjedhë të ardhmen“, tha ministri.

Sipas tij, hapi i ardhshëm është që paqja të shndërrohet në besim, besimi në institucione funksionale dhe institucionet në mundësi për të rinjtë.

„Sepse 25 vitet e ardhshme nuk do të maten vetëm me atë që kemi ruajtur. Ato do të maten me atë që kemi ndërtuar“, përfundoi Ferati, duke e përmbledhur mesazhin e tij me moton:

„25 e më tej. Për rininë. Me rininë. Së bashku drejt së ardhmes.“

Dhe në fund, ai përcolli mesazhin: „Të mos presim të ardhmen. Ta meritojmë atë. Së bashku.“

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme23 seconds ago

VLEN: Çfarë lidhje ka Grubi me paralajmërimet e Ahmetit për tërheqje nga politika?

VLEN ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), duke e lidhur aktakuzën ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan...

Lajme2 minutes ago

Zbardhet rasti i dhunës në rrethinë të Shkupit, ngrihet kallëzim penal ndaj tre personave

Njësia për Krime të Dhunshme në SPB Shkup ka ngritur kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar ndaj tre personave nga...

Lajme15 hours ago

Ministri Ferati: 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, detyra jonë është ta shndërrojmë paqen në besim dhe besimin në një të ardhme më të mirë

Në manifestimin qendror me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon...

Lajme2 days ago

Ali Ahmeti përkujton viktimat e Lubotenit: Plagët e historisë nuk mbyllen duke i harruar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përkujtuar viktimat e ngjarjeve të Lubotenit, në 25-vjetorin e tragjedisë...

Lajme2 days ago

Një çerek shekulli nga Ohri: Marrëveshja që i dha Maqedonisë së Veriut të ardhmen

Nga Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë Ka momente në histori kur e...

Lajme2 days ago

Çështja e emrave të rrugëve në Tetovë drejt zgjidhjes, Albi Qamili: Miratuam edhe 145 emra të rinj!

Çështja shumëvjeçare e emrave të rrugëve në Tetovë po shkon drejt zgjidhjes përfundimtare. Grupi i Punës për Riemërtimin e Rrugëve...

Lajme2 days ago

Ndërron jetë babai i Izet Mexhitit

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar se babai i tij, Beqir Mexhiti, ka ndërruar jetë,...

Lajme3 days ago

Driton Kuçi ambasador edhe për një mandat, Jusufi në Stokholm, Todorovska në Prishtinë

Qeveria ka bërë gati listën e ambasadorëve të rinj që do të përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në disa prej misioneve...

Lajme3 days ago

Korrigjohet tabela në Tabanoc, shqipja tashmë pa gabime drejtshkrimore (FOTO)

Tabela në pikën kufitare Tabanoc, në hyrje të Maqedonisë së Veriut, është korrigjuar pas denoncimeve për gabime drejtshkrimore në versionin...

Lajme3 days ago

“Non grata” për Belën dhe Alimin, Ahmeti: Jam i sigurt se shteti shqiptar nuk u bie në qafë shqiptarëve

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka komentuar vendimet e fundit të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë për shpalljen “non grata”...

Trending