Connect with us

Lajme

Goxhaj: Sulmet false ndaj meje për UÇK-në, për të hequr vëmendjen nga protestat

Dritan Goxhaj, një nga protagonistët e protestave në Tiranë, ka thënë se akuzat ndaj tij janë bërë me qëllim për të hequr vëmendjen nga kërkesat e protestuesve.

Pasi lexoi pesë kërkesa në emër të protestuesve ditë më parë, Goxhaj u akuzua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e figura të njohura politike në Kosovë e Shqipëri se nuk ka qenë as pjesë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës siç pretendon apo edhe se ka lidhje me regjimin e Iranit.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Goxhaj të premten ka thënë se të gjitha sulmet “erdhën me qëllim të heqjes së vëmendjes”. Ai ka mohuar gjithçka duke thënë se të gjitha akuzat ndaj tij kanë qenë false.

“Nga ana psikologjike njihet për manipulimin e popullit – që të merresh me individin. E unë aty nuk u prezantova as me emër e as me mbiemër, e as si ish-pjesëtar i UÇK-së. UÇK-ja s’ishte subjekt as i protestës, as i prezantimit e as i fjalimit. Nuk ishte askund. Është histori e para 30 vjetësh. Ka mbaruar, por duhej ngritur kjo histori me dokumente false… Unë jam veteran i UÇK-së. S’e kam shpallur unë, por Qeveria. Dokumentacioni ndodhet pranë zyrave të Qeverisë së Kosovës. Absolutisht (nëse ka kartelë të veteranit). Edhe certifikata, edhe të gjitha”, ka thënë ai.

Duke komentuar një deklaratë të Xhavit Halitit që të tregojë se kë e ka pasur komandant gjatë luftës, Goxhaj ka thënë se ka qenë nën urdhrat e Bislim Zyrapit.

“Gjatë operacionit ‘shigjeta’ në Pashtrik, kam qenë nën urdhrat e Bislim Zyrapit”, ka thënë ai duke shtuar se pjesë e luftës i njihet periudha mars – qershor 1999. Si veteran ka thënë se është njohur në periudhën 2018-2019.

Sa i përket akuzës për mbështetje të Iranit, Goxhaj ka thënë se kjo është çështje parimesh. “Nëse kam qenë pjesë e luftës, ku jemi mbrojtur nga një gjenocid, s’mund të jem me një popull tjetër që bën gjenocid ndaj një populli tjetër”, ka thënë ai.

Për protestat, që sot shënuan ditën e 27-të, Goxhaj ka thënë se ato janë luftë nervash. “Fiton ai që ka nerva e reziston më shumë. Qytetarët po rezistojnë. Duket se ka qëndresë. Uroj të ketë akoma e të shohim sa do të qëndrojë Qeveria”, ka thënë tutje ai.

Ai ka vlerësuar se me protesta janë arritur disa qëllime. “Janë zhgënjyer ata që thonë se ky popull s’ka reagim e se i ka vdekur nervi. Ka rini të angazhuar të cilës nuk i interesonte deri tash asgjë. Klasa e mesme që ishte e angazhuar e që ndihej e fyer dhe e paintegruar, ka dalë në rrugë. Njiheshim për keq dhe tash ka 27 ditë protesta paqësore ku asnjë shishe ujë nuk është hedhur”, ka thënë ai.

Në ditën e 23-të të protestave kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit, në jug të Shqipërisë, protestuesit bënë publike pesë kërkesë, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate. Kërkesat i pati lexuar Goxhaj, që njihet si ish-luftëtar i UÇK-së. Por pas leximit ai u përball me akuza se është “zëdhënës i interesave të Iranit”. E Rama publikoi edhe një dokument, sipas të cilit, Goxhaj nuk ka marrë pjesë në luftën çlirimtare në Kosovë.

Tash e 27 ditë në kryeqytetin shqiptar po protestohet kundër planeve për një resort luksoz në Zvërnec. Protestat nisën në mbrojtje të hapësirave publike dhe u shtuan me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Lajme

Të martën dorëzohen në Parlament emrat e rinj të ministrave, kush shkon e kush mbetet në kabinetin e ri të Mickoskit?

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të gjerë, ku sipas informacioneve jozyrtare, të paktën një pjesë e madhe e ministrave do të largohen nga postet e tyre.

Krahas ndryshimeve tek pozita e Zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Kryeministri Hristijan Mickoski pritet të bëjë ndryshime edhe në ministritë e Çështjeve Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Drejtësisë, Shëndetësisë, Kulturës dhe Turizmit, Arsimit, Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Sportit dhe Bujqësisë, ndërsa nuk përjashtohen edhe lëvizje të tjera kadrovike.

Burimet qeveritare bëjnë të ditur se përbërja e re e kabinetit Mickoski II mund të shpallet zyrtarisht të martën kur edhe emrat e rinj pritet të dërgohen për miratim në Parlament.

Sipas këtyre informacioneve, nga posti i ministrit të Shëndetësisë pritet të largohet Azir Aliu derisa në vend të tij pritet të ulet kuadër i VMRO ku në lojë janë disa emra e mes tyre edhe Sinisha Stojanovski drejtor aktual i Klinikës Universitare 8 Shtatori si dhe drejtori aktual i Fondit për sigurim shëndetësor Sasho Klekovski. Ndërkohë, nga Ministria e Bujqësisë pritet të largohet Cvetan Tripunovski, ndërsa në vend të tij përmendet emri i Borçe Serafimovski nga ZNAM i cili aktualisht mban pozitën e Sekretarit shtetëror.

Po ashtu, sipas të njëjtave burime, nga Qeveria pritet të largohen edhe ministri i Drejtësisë Igor Filkov ku në vend të tij pritet të ulet kuadër i Vlen-it dhe si emër përflitet profesori universitar Jeton Shasivari, ministrja e Arsimit Vesna Janevska e cila pritet të zëvendësohet me një kuadër tjetër të VMRO, ministri i Kulturës Zoran Ljutkov do të zëvendësohet me një kuadër të Vlen-it ku përflitet emri i zëvendësministrit aktual Sadat Sulejmani, si dhe ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani ku në vend të tij pritet të ulet zëvendësministri aktual nga VMRO Gjoko Velkovski.

Ndryshime pritet të ketë edhe në Ministrinë e Sportit ku pritet të ulet kuadër i Vlen-it si dhe gjithashtu edhe te Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive poashtu kuadër i Vlen-it.

Më herët, kryeministri Mickoski kishte paralajmëruar se rikonstruksioni i kabinetit qeveritar do të bëhet për shkak të ndryshimit të prioriteteve në punën e Qeverisë. Për të martën është caktuar mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, ku pritet të bëhen publike edhe emrat e ministrave të rinj.

Përveç ministrave, pritet të ketë ndryshime edhe në pozitat drejtuese të institucioneve shtetërore, megjithëse deri më tani nuk janë publikuar emra konkretë.

Megjithatë, duhet theksuar se këto informacione ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Qeveria, ndërsa bisedimet për përbërjen e re të kabinetit vazhdojnë.

Kryeministër:
Hristijan Mickoski

Zëvendëskryeministër i parë
Bekim Sali

Zëvendëskryeministër për Sistem Politik
Ljupço Dimovski

Zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë

VMRO

Ministria e Punëve të Brendshme
Pançe Toshkovski

Ministria e Mbrojtjes
Vllado Misajllovski

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme
Timço Mucunski

Ministria e Financave
Gordana Dimitrieska-Koçoska

Ministria e Shëndetësisë
Sinisha Stojanovski

Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Vesna Janevska

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë
Gjoko Vellkovski

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale
Zllatko Perinski

Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale
Sanja Bozhinovska

Ministria e Transportit
Aleksandar Nikolloski

Ministria e Transformimit Digjital
Stefan Andonovski

ZNAM

Ministria e Administratës Publike
Goran Minçev

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave
Borçe Serafimovski

VLEN

Ministria e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive
Bekim Sali

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor
Muhamet Hoxha

Ministria e Sportit
Visar Ganiu

Ministria e Drejtësisë
Jeton Shasivari

Ministria e Kulturës dhe Turizmit
Sedat Sulejmani

Ministria e Ekonomisë dhe Punës
Besar Durmishi

Continue Reading

Lajme

Trump: Që një komb të jetë i madh, duhet të ketë fe dhe Zot

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka theksuar rëndësinë e fesë në jetën shoqërore dhe publike amerikane, duke deklaruar se besimi fetar është rikthyer me një ndikim më të madh se në shumë vite të fundit.
Në një deklaratë publike, ai u shpreh se feja po rifiton një rol qendror në identitetin e shoqërisë amerikane, transmeton lajmi.net.

“Feja është rikthyer në vendin tonë më e madhe dhe më e fuqishme se sa ka qenë për shumë e shumë vite. Që një komb të jetë i madh, duhet të ketë fe dhe Zot”, deklaroi Trump.

Ai shtoi se, sipas tij, një shoqëri nuk mund të funksionojë siç duhet pa besimin fetar.

“Nëse nuk i ke këto, duket se gjërat thjesht nuk funksionojnë, apo jo?”, u shpreh presidenti amerikan.

Deklaratat e tij pritet të nxisin reagime të ndryshme në opinionin publik, duke pasur parasysh debatin e vazhdueshëm në SHBA për rolin e fesë në jetën politike dhe raportin mes religjionit dhe shtetit.

Megjithëse SHBA-ja është e ndërtuar mbi parimin e shtetit laik dhe ndarjes së fesë nga shteti, religjioni vazhdon të ketë ndikim të dukshëm në kulturën dhe diskursin publik amerikan.

Continue Reading

Lajme

Mbi 250 rrugë në Kumanovë, vetëm dy apo tri në gjuhën shqipe

Në vitin 2004 kisha shkruar një artikull në gazetën KOHA Ditore (edicioni Maqedoni) mbi emërtimin e rrugëve në Kumanovë. Hulumtimi i atëhershëm tregonte se nga 252 rrugë, vetëm dy apo tri mbanin emra në gjuhën shqipe – njëra prej tyre “Bajram Shabani”.

Kanë kaluar 18 vite. Janë shtuar rrugë të reja, janë ndërruar pushtete dhe parti politike, por ky realitet ka mbetur pothuajse i pandryshuar. Në një qytet ku shqiptarët përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm historik, kulturor e ekonomik, mungesa e emrave të personaliteteve shqiptare në hapësirën publike mbetet shqetësuese.

Lagjet vazhdojnë të mbajnë emra të periudhës komuniste si “Proleterske Brigade”, “Boris Kidriç”, “Vasa Pellagiq”, “JNA”, “Pitu Guli” e të tjerë – emra që për shumë qytetarë shqiptarë përfaqësojnë një sistem që i ka margjinalizuar dhe diskriminuar.

Lajmi për vendosjen e disa emrave të personaliteteve shqiptare në rrugët e Shkupit pati ngjallur shpresë se një proces i ngjashëm mund të ndodhë edhe në Kumanovë. Por koha dëshmoi se Jo.

Rishikimi i emërtimeve nuk është çështje hakmarrjeje historike, por barazie simbolike dhe përfaqësimi dinjitoz në hapësirën publike. (INA)

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme2 hours ago

Të martën dorëzohen në Parlament emrat e rinj të ministrave, kush shkon e kush mbetet në kabinetin e ri të Mickoskit?

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të gjerë, ku sipas informacioneve jozyrtare, të paktën një pjesë...

Lajme3 minutes ago

Trump: Që një komb të jetë i madh, duhet të ketë fe dhe Zot

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka theksuar rëndësinë e fesë në jetën shoqërore dhe publike amerikane, duke deklaruar...

Lajme7 minutes ago

Mbi 250 rrugë në Kumanovë, vetëm dy apo tri në gjuhën shqipe

Në vitin 2004 kisha shkruar një artikull në gazetën KOHA Ditore (edicioni Maqedoni) mbi emërtimin e rrugëve në Kumanovë. Hulumtimi...

Lajme10 minutes ago

Bajram Rexhepi falënderon mbështetësit e protestës në Tetovë

Bajram Rexhepi ka reaguar përmes një video-mesazhi “Mirëmëngjesi Tetovë”, ku ka shprehur falënderime për të gjithë qytetarët që kanë marrë...

Lajme12 minutes ago

Digjet automjeti i një avokati në Shkup, MPB: Rasti është duke u hetuar

Pas informacionit se dy automjete në pronësi të avokatit nga Shkupi, Asmir Alispahiq, janë djegur, Ministria e Punëve të Brendshme...

Lajme15 minutes ago

Maqedoni, pacientët me kancer presin deri në 12 orë për terapi

Pacientët me kancer që trajtohen në Klinikën Universitare të Radiologjisë dhe Onkologjisë në Shkup vazhdojnë të përballen me pritje të...

Lajme48 minutes ago

Valon Zeqiri: Tetovarët nuk dolën kundër Kasamit, po shohin ndryshimet në qytet, ndërtuam dhe rrugën e fshatit të Bajram Rexhepit

Drejtori i NPK “Sharri” në Tetovë, Valon Zeqiri, ka reaguar pas protestës së mbajtur për çështjen e emrave të rrugëve,...

Lajme1 hour ago

Goxhaj: Sulmet false ndaj meje për UÇK-në, për të hequr vëmendjen nga protestat

Dritan Goxhaj, një nga protagonistët e protestave në Tiranë, ka thënë se akuzat ndaj tij janë bërë me qëllim për...

Lajme1 hour ago

Tre persona pranuan trajtim mjekësor pas zjarrit që kaploi një ndërtesë në Prishtinë

Një zjarr ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në katin e sipërm të një ndërtese banimi në rrugën “Isa Kastrati” në...

Lajme14 hours ago

Durmishi: Dështimi i protestës tregoi se Tetova nuk pranon lojëra të errëta politike

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka reaguar pas protestës së organizuar në Tetovë, duke vlerësuar se qytetarët treguan pjekuri dhe...

Trending