Lajme
Islam Abazi në fund të mandatit: Kush është ai nga BDI-ja që unë e kam mbrojtur?
“Cila është ajo kallëzim penal ndaj funksionarëve të BDI-së që ka mbërritur në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, por nuk është proceduar? Kë nga BDI-ja kam mbrojtur unë?” Me këto kundërpyetje u përgjigj shefi i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, ndaj pyetjes së gazetarit nëse e konsideron dështim faktin që mandatin e tij, i cili përfundon në nëntor, do ta mbyllë pa asnjë aktakuzë ndaj ndonjë funksionari të BDI-së, duke pasur parasysh se mandati i tij nisi me publikimin e fotografive me drejtuesit e BDI-së ose me persona të afërt me ta.
Lënda për “Soravia”, të cilën Prokuroria e hapi me iniciativë të vet pas informacioneve të marra, ku i dyshuar është Drin Ahmedi, nipi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, prej vitesh ndodhet në fazën e hetimeve paraprake. Ahmedi, së bashku me një kompani nga Shqipëria, u bënë pronarë të qendrës afariste pa investuar para të tyre, duke përdorur një kredi bankare. Ndërkohë, për “Soravian” është hapur edhe procedurë falimentimi, ndërsa Ahmedi është tërhequr nga kompania që zotëronte pjesë në këtë qendër.
Siç tha Abazi, ky rast është ende në fazën e hetimeve paraprake dhe Prokuroria ka pritur përgjigje ndaj një kërkese për ndihmë juridike ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas marrjes së përgjigjes, prokurori do të vlerësojë nëse do të merret një vendim prokurorial apo do të kërkohen të dhëna shtesë. Edhe për hetimet paraprake, që zgjasin prej kohësh, lidhur me mbikëqyrjen e projektit “Bechtel & Enka”, Prokuroria kishte dhënë urdhër për veprim ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ndërsa Ministria, sipas tij, ka vepruar në mënyrë intensive.Lëndët janë voluminoze dhe komplekse, tha Abazi.
Lajme
Haxhiu në shtëpinë ku qëndroi refugjate: Faleminderit shqiptarë të Maqedonisë që në ditë të vështira na i hapët shtëpitë dhe zemrat e juaja
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në kuadër të vizitës së saj në Maqedoninë e Veriut, ka qëndruar edhe te familja Sinani, ku siç bënë të ditur, ka qenë refugjate gjatë luftës së Kosovës, përcjell TV21.
Haxhiu, këtë veprim, siç njofton ajo, e ka bërë për “t’u çmallur, për të kujtuar dhe për të falënderuar familjen Sinani dhe shqiptarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, të cilët, në ditët më të vështira të luftës, na i hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre”.
“Pas 27 vitesh, u ktheva aty ku kisha ardhur si fëmijë refugjat lufte.
U ktheva për t’u çmallur, për të kujtuar dhe për të falënderuar familjen Sinani dhe shqiptarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, të cilët, në ditët më të vështira të luftës, na i hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre.
Mirënjohje e përjetshme për solidaritetin, bujarinë dhe humanizmin e tyre”, shkruan Haxhiu.
Gjatë ditës, Haxhiu ka realizuar takime bilaterale dhe është takuar edhe me kryetarët e komunave me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut./TV21
Lajme
Bora e parë e këtij viti në Maqedoni, ja ku po bie
Reshjet e borës kanë nisur sonte në rajonet më të larta të Maqedonisë perëndimore, ndërsa sipas informacioneve nga terreni, reshjet më të dendura janë regjistruar në Kodrën e Diellit.
Një video e regjistruar rreth orës 18:00 në qafën malore të Strazhës, në aksin rrugor Gostivar–Kërçovë, tregon kushtet dimërore në këtë segment rrugor dhe nevojën për kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve.
Sipas dëshmive të shoferëve që kanë kaluar në këtë rrugë, bora deri më tani nuk po qëndron në asfalt, ndërsa trafiku po zhvillohet pa probleme të theksuara.
Megjithatë, drejtuesit e automjeteve këshillohen të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike, të ruajnë distancën e sigurisë dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në zonat malore.
Lajme
Adnan Azizi: Dhjetëra ministra të BDI-së nuk e hapën kurrë çështjen e jurisprudencës, ne sjellim zgjidhje
Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, në një intervistë për Pollogu.news, ka folur për zgjidhjen ligjore që mundëson dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se për dekada me radhë kjo çështje nuk është zgjidhur nga qeveritë e kaluara.
Azizi tha se, ndonëse problemi i provimit të jurisprudencës ekziston prej shumë vitesh, vetëm tani po ndërmerren hapa konkretë për të garantuar përdorimin e gjuhës shqipe në këtë proces.
“Dhjetëra ministra të BDI-së nuk e kanë hapur kurrë këtë çështje për ta zgjidhur problemin e jurisprudencës. Nuk është 84 për qind zgjidhja e jurisprudencës siç pretendon BDI-ja. Për mua, kjo është zgjidhja më e mirë”, deklaroi Azizi.
Duke komentuar protestat studentore kundër zgjidhjes së propozuar, deputeti i VLEN-it vlerësoi se ato kanë motive politike, duke nënvizuar se zgjidhja e ofruar synon të kapërcejë pengesat shumëvjeçare për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.
Sipas Azizit, nuk ekziston një alternativë tjetër që do të mundësonte funksionalizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Po i heqim barrierat për provimet profesionale dhe po ndërtojmë një ligj me themel. Pas këtij ligji, të gjitha provimet profesionale do të jepen në gjuhën shqipe”, thekson Azizi.
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
