Lajme
Ethet e Nilit Perëndimor, Panovski: Virusi qarkullon, kujdes nga mushkonjat
Pas rastit të konfirmuar të Etheve të Nilit Perëndimor te një 68-vjeçar nga Shkupi, i cili nuk ka udhëtuar jashtë vendit, konfirmohet se virusi po qarkullon edhe në vend. Profesori Nikolla Panovski, thotë se kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme, pasi edhe te ne ekziston mushkonja që e bart këtë virus.
Ai paralajmëron se është e mundur të ketë edhe të tjerë të infektuar, të cilët kanë pasur pasqyrë të lehtë klinike ose nuk kanë zhvilluar simptoma, andaj edhe nuk janë regjistruar.
“Sa i përket rasteve, deri më tani nuk kemi pasur epidemi, megjithatë raste sporadike do të ketë. Pasi ky rast ka përfunduar në spital, sipas natyrës së sëmundjes, sigurisht që ka edhe dhjetëra raste të tjera që kanë kaluar me simptoma të lehta dhe nuk është zbuluar se për çfarë bëhet fjalë, si dhe shumë njerëz që nuk kanë fare simptoma. Kështu që për këtë sëmundje, ndryshe nga, le të themi, malaria apo disa sëmundje të tjera që barten nga vektorët si denga e të tjera, nuk është çudi që ka edhe përhapje lokale” – tha mikrobiologu Nikolla Panovski.
Muajin e kaluar në vend u regjistrua një rast i të infektuarit me virusin “Zika” te një person që kishte qëndruar në Maldive, ndërsa ethet “Denga” u konfirmuan te një punëtor nga Bangladeshi.
Kyç është që rastet e importuara të identifikohen me kohë dhe pacientët të izolohen, me qëllim që të parandalohet pickimi nga mushkonjat dhe përhapja e mëtejshme e virusit.
“Tani, e gjithë politika është që kur të importohet një rast nga jashtë, ai të identifikohet në kohë, në mënyrë që të mos pickohet më pas nga mushkonjat. Deri më tani kjo është bërë me sukses me malarien, kështu që edhe për këto sëmundje të tjera do të duhej izolimi i pacientit, kuptohet, përveç të gjitha atyre masave që merren kundër mushkonjave. Kështu që realisht ka gjasa të vogla që këtu të shfaqet, le të themi, denga, malaria apo zika. Nuk është hera e parë që kemi sëmundje të tilla, veçanërisht sa i përket malaries që e kemi ndjekur këto 50 vjet. Ka pasur raste, madje kemi pasur edhe raste me vdekje, megjithatë deri më tani nuk ka pasur rast po flas për malarien që të shfaqet rast brenda Maqedonisë, që do të thotë pa qenë jashtë shtetit, pra transmetim nga njeriu te njeriu përmes mushkonjave” – u shpreh mikrobiologu Nikolla Panovski.
Panovski potencon se mushkonjat mund të pakësohen, por jo edhe të eliminohen plotësisht. Prandaj, ai thotë se nevojiten masa më të rrepta dhe kontroll i shtuar, veçanërisht pas shfaqjes së virusit “Zika” dhe etheve “Denga”.
Lajme
Protestat në Tiranë, Rama për mediat greke: Qeveritë ndryshojnë me zgjedhje, jo me kokteje molotovi
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për mediat greke lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë duke deklaruar se qeveritë në një demokraci ndryshojnë përmes zgjedhjeve dhe jo përmes dhunës.
Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, kreu i qeverisë shprehet se ka dallim mes studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve të personave të maskuar, të cilët, sipas tij, përdorin dhunën gjatë protestave.
Më tej, Rama ka përsëritur thirrjen e tij për dialog me protestuesit.
Artikulli i plotë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri dallimin midis studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe protestuesve të maskuar, përfshirë njerëz të lidhur me lëvizjen Antifa, siç thotë ai.
“Një pakicë beson se djegia e vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, thotë Rama.
Cila është përgjigjja juaj ndaj kërkesave të protestuesve për arsim më të mirë, luftë kundër korrupsionit dhe ulje të kostos së jetesës?
Nuk kam pretenduar kurrë se gjithçka në Shqipëri është bërë mirë. Nuk besoj se të rinjtë duhet ta pranojnë thjesht atë që kemi arritur deri më tani. Shqetësimet e tyre në lidhje me arsimin, koston e jetesës dhe mungesën e mundësive reale janë të vlefshme dhe kërkojnë përgjigje thelbësore. Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta paraqesim së shpejti, përfshin masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët. Në të njëjtën kohë, i kam ftuar studentët dhe mësuesit në një dialog të hapur. Jam i gatshëm të shqyrtoj çdo propozim serioz, madje edhe ato që vijnë nga kritikët tanë më të ashpër.
Megjithatë, ekziston një vijë e qartë ndarëse midis studentëve që duan një të ardhme më të mirë dhe grupeve të mbuluara me kapuçë – përfshirë njerëz që i kam lidhur me lëvizjen Antifa – të cilët hedhin kokteje Molotov, sulmojnë ndërtesa publike dhe dëmtojnë pronën private. Lufta kundër korrupsionit është përgjegjësi e institucioneve të Drejtësisë. Nuk është puna e atyre që përdorin dhunën si mjet për të pretenduar se përfaqësojnë një brez të tërë.
A keni ndërmend të jepni dorëheqjen?
Jo. Në një demokraci, qeveritë ndryshojnë nëpërmjet zgjedhjeve, jo me kokteje molotovi. Populli shqiptar na dha një mandat të qartë vitin e kaluar dhe unë kam ndërmend ta zbatoj atë. Kushdo mund të kërkojë dorëheqjen time, kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me forcë. Detyra ime është të dëgjoj ankesat e vlefshme, të mbroj të drejtat e qytetarëve dhe të vazhdoj punën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Unë nuk do të devijoj nga kjo detyrë sepse një pakicë beson se djegia e vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit.
Lajme
Mexhiti: Bashkëpunimi VLEN-VMRO është i mirë, synojmë ta bëjmë edhe më të mirë
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, sonte në emisionin “Debat në SHENJA” ka vlerësuar si të mirë bashkëpunimin mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së, duke theksuar se ekziston hapësirë për përmirësim të mëtejshëm.
Mexhiti tha se gjatë dy viteve të bashkëpunimit ka pasur edhe përplasje dhe dallime në qëndrime, por sipas tij, Qeveria ka treguar kapacitet demokratik për t’i zgjidhur situatat përmes komunikimit dhe argumenteve.
“Mirë, por me pretendime që ta bëjmë edhe më mirë. Dy vite bashkëpunojmë. Ka raste edhe kur ka përplasje, ka edhe mendime ndryshe, por Qeveria ka demonstruar kapacitet demokratik, që di t’i zgjidhë situatat me komunikim, me argumentim. Unë mund ta vlerësoj si mirë, por me pretendime që ta bëjmë edhe më mirë”, deklaroi Mexhiti.
Lajme
Tre të lënduar nga përplasja e një “Golf”-i me një “Audi” në Shkup
Tre persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Shkup, në kryqëzimin e rrugëve “Brigada Maqedono-Kosovare” dhe “Brigada e Dytë Maqedonase”.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), aksidenti ndodhi rreth orës 19:10, ku u përplasën një veturë “Golf” me targa të Shkupit, e drejtuar nga një 20-vjeçar me inicialet S.S., dhe një “Audi” me targa të Kosovës, që drejtohej nga një 32-vjeçar, A.M., nga Kosova.
Nga përplasja u lënduan drejtuesi i “Golf”-it dhe bashkudhëtari i tij, S.M. Të dy u transportuan me ambulancë në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza”, ku iu konstatuan lëndime trupore.
Lëndime pësoi edhe drejtuesi i “Audi”-t, i cili u dërgua për trajtim në spitalin “Shën Naumi i Ohrit”.
Në vendin e aksidentit është kryer ekspertizë nga një ekip i SPB-së së Shkupit.
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
