Lajme
Vrasja e Liridona Ademajt u inskenua si grabitje, motivi ishte përfitimi pasuror
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim për vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas aktgjykimit të arsyetuar, vrasja ishte planifikuar dhe inskenuar si grabitje, ndërsa motivi kryesor ishte përfitimi pasuror nga polisa e sigurimit jetësor dhe motive personale të Murselit.
Themelorja, më 21 prill 2026, ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, pasi janë shpallur fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt. Më 6 korrik 2026, Gjykata publikoi edhe aktgjykimin e arsyetuar të këtij rasti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 6 korrik 2026, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari Naim Murseli, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, si dhe për shkak të mllefit e dëshirës për hakmarrje, kishte bërë plan ta largonte Liridonën nga jeta e tij. Sipas aktgjykimit, pas datës 25 qershor 2022, kur ishte paguar polisa e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt, në shumën prej 3,000,000 kronash suedeze, ai kishte synuar që, përveç vrasjes, të përfitonte edhe dobi financiare.
Për këtë qëllim, Naim Murseli ia kishte shpalosur planin e tij Kushtrim Kokallës, duke i kërkuar që të gjente mundësi për vrasjen e saj. Fillimisht, Kokalla kishte refuzuar, por më pas kishte gjetur të akuzuarin Granit Plava, të cilin e kishte njoftuar me Naim Murselin. Sipas aktgjykimit, të tre ishin dakorduar që Plava ta kryente vrasjen, ndërsa Murseli t’ia paguante kompensimin në shumën prej 30,000 eurosh.
Ndërkaq, më 29 nëntor 2023, Murseli kishte siguruar armën e zjarrit të markës “Zastava”, të cilën e kishte blerë nga i akuzuari Tom Dodaj për shumën prej 280 eurosh. Më pas, atë armë ia kishte dorëzuar të akuzuarit Granit Plava, i cili e kishte përdorur për vrasjen e Liridona Ademajt.
Sipas aktgjykimit, po atë ditë, në intervalin kohor nga ora 20:11 deri në orën 20:18, në vendin e dakorduar me të akuzuarin Murseli, ku ngjarjen e kishin inskenuar si grabitje, Naim Murseli, në mënyrë dinake, e kishte mbajtur me dorën e tij të djathtë tani të ndjerën Liridonë për krahun e saj të majtë, me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit. Më pas, Murseli kishte dalë nga vetura së bashku me fëmijët dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Tutje, Gjykata ka vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari Granit Plava, pas marrëveshjes paraprake me Naim Murselin, më 29 nëntor 2023, në intervalin kohor nga ora 20:11 deri në orën 20:18, në fshatin Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, në lagjen “Chelsea Point”, Komuna e Prishtinës, kishte vepruar sipas planit të dakorduar. Sipas aktgjykimit, Murseli, me veturën e tij BMW, i kishte dhënë shenjë me dritat e automjetit të akuzuarit Granit Plava, i cili më pas kishte dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar.
Në ato çaste, Naim Murseli kishte ndaluar dhe fikur motorin e veturës, ndërsa me dorën e tij e kishte mbajtur Liridonën për krahun e dorës së majtë. I akuzuari Granit Plava, për kompensimin e dakorduar prej 30,000 eurosh, nga afërsia dhe drejtpërdrejt përmes dritares gjysmë të hapur në anën e pasagjerit, kishte shtënë një fishek nga pistoleta në drejtim të Liridonës, duke e qëlluar në kokë, prapa veshit të djathtë. Si pasojë e lëndimeve të marra, ajo kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Ndër tjerash, Gjykata ka konstatuar se Granit Plava, nga data 29 nëntor 2023 rreth orës 14:00 deri më 1 dhjetor 2023 rreth orës 16:15, kur është kryer bastisja në shtëpinë e tij në fshatin Cërmjan, Komuna e Gjakovës, ka mbajtur pa autorizim dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore armën e markës “Zastava” dhe 19 fishekë të kalibrit 6 mm, armë me të cilën, sipas aktakuzës, është kryer vepra penale. Kjo armë, sipas aktgjykimit, ishte blerë nga Naim Murseli prej Tom Dodajt për shumën prej 280 eurosh.
Në vendim thuhet se po ashtu është vërtetuar se Kushtrim Kokalla, pasi Naim Murseli i kishte kërkuar të gjente mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt, fillimisht kishte refuzuar, mirëpo më pas e kishte gjetur Granit Plavën, të cilin e kishte njoftuar me Naim Murselin. Sipas aktgjykimit, të tre ishin dakorduar që Plava ta kryente vrasjen.
Ndërkaq, Gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se Kushtrim Kokalla, edhe pse kishte pasur njohuri për veprën penale të kryer, nuk i kishte lajmëruar organet kompetente për kryerësit apo për veprën penale të vrasjes, planifikimi i së cilës ishte bërë me pjesëmarrjen e tij aktive, së bashku me Naim Murselin dhe Granit Plavën, e që fillimisht nga organet kompetente ishte hetuar si rast grabitjeje.
Gjykata ka analizuar edhe elementet e veprës penale. Për veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, përcaktohet: “Privon nga jeta anëtarin e familjes”, ndërsa për ekzistimin e kësaj forme të vrasjes duhet të plotësohet kushti objektiv, i cili konsiston në faktin se vrasja kryhet ndaj një anëtari të familjes. Në rastin konkret, Naim Murseli dhe viktima kanë qenë anëtarë të familjes, përkatësisht bashkëshortë.
Po ashtu, nënparagrafi 1.4 përcakton: “Privon nga jeta personin tjetër në mënyrë mizore apo dinake”, që nënkupton se, në mënyrë dinake, mashtruese dhe me qëllim të keq, duke shfrytëzuar besimin e veçantë të viktimës, kryhet vrasja me qëllim që viktima të privohet nga jeta pa rezistencë ose me rezistencë sa më të vogël.
Ndërsa, nënparagrafi 1.6 i po këtij neni përcakton se: “Privon nga jeta personin tjetër me qëllim të fitimit të dobisë pasurore”, element që plotësohet edhe kur kryesi synon të përfitojë dobi pasurore dhe është i vetëdijshëm për shkaktimin e vdekjes, duke u pajtuar që ajo të ndodhë.
Lajme
Rina Ajdari, Shasivarit: Ke barazuar viktimën me agresorin
Shpallja e vendimit të Hagës për denimin e ish krerëve të UÇK-së dhe deklarata e ministrit të Drejtësisë të RMV-së Jeton Shasivarit disa ditë para vendimit, vazhdojnë të jenë kryetemë në vendin tonë. Këtë herë ky diskutim u zhvillua në Kuvend, në seancën për pyetje deputetësh. Deputetja e Frontit Evropian Rina Ajdari i tha ministrit Shasivari se në statusin e tij, ai e ka barazuar viktimën me agresorin. Ndërsa edhe pas shpalljes së vendimit, në deklaratën e dhënë një ditë më parë tha se ministri fshihet pas akrobacioneve juridike dhe procedurale.
Rina Ajdari, deputete e Frontit Evropian
“Sërisht asnjë fjalë të vetme me gojën plot për të thënë atë që çdo shqiptar dhe çdo njeri dashamirës i të drejtës por edhe njohës i historisë e di se lufta e shqiptarëve në Kosovë ka qenë e pastër e drejtë dhe se krerët e saj nuk kanë kryer krime. Në vend që të shprehni një qëndrim të qartë dhe kombëtarë, zgjodhët përsëri fshehjen pas akrobacioneve juridike dhe procedurale”. /SHENJA/
Lajme
Pensionet do të rriten për 3%
Rritja e pensioneve të shtatorit do të jetë 3 për qind, konfirmoi drejtori i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Nikolla Memov. Rritja e pensioneve këtë herë do të bëhet sipas zgjidhjes ligjore dhe nuk do të ketë rritje lineare, siç kërkonin një pjesë e pensionistëve.
Nëse një pensionist merr pensioni prej 20,000 denarësh, i njëjti do të ketë rritje të pensionit për 600 denarë.
Shumat e reja pritet të zbatohen gjatë pagesës së pensioneve muajin e ardhshëm. Vlera e rritjes do të përcaktohet duke aplikuar përqindjen e paraparë mbi shumën aktuale të pensionit. Në Fond tashmë po bëhen përllogaritjet për shumat e reja, me qëllim që pagesa të përgatitet në kohë.
Detajet për shumën që do të marrin pensionistët pas rritjes do të varen nga lartësia e pensionit të tyre aktual.
Gjatë dy viteve të fundit, pensionet u rritën në mënyrë lineare në katër raste, për një shumë totale prej 7 mijë denarësh. Vitin e kaluar, Gjykata Kushtetuese nisi procedurë për vlerësimin e kësaj çështjeje, por në mars 2026 e ndërpreu atë, pasi nuk pati shumicë për marrjen e një vendimi.
Lajme
Trump për Erdoganin: Është një njeri fantastik, i fortë, nuk mund të luash me të!
Presidenti amerikan Donald Trump shprehu vlerësime të larta për Presidentin Recep Tayyip Erdoğan gjatë një takimi me liderë të Lindjes së Mesme, duke e cilësuar presidentin turk si një njeri “të fortë” dhe duke paralajmëruar se ai nuk është dikush me të cilin “mund të luash”.
Duke folur në takimin shumëpalësh të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) me Kryeministrin irakian, Presidentin Erdoğan, Mbretin Abdullah II të Jordanisë, Emirin e Katarit dhe Presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, Trump veçoi Erdoğanin gjatë fjalimit të tij në këtë takim, i cili mblodhi së bashku liderë nga Turqia dhe disa vende arabe, përfshirë Sirinë, Katarin, Jordaninë, Libanin dhe Egjiptin.
“Përfshirë mikun tim këtu, nga Turqia. Ai është një njeri i fortë. Nuk mund të luash me të,” tha Trump, duke iu referuar Erdoğanit.
Më pas, Trump bëri shaka nëse fjalët e tij do të përktheheshin saktë, para se të vazhdonte me vlerësimet për presidentin turk.
“Shpresoj se do ta përkthejnë saktë këtë. Shpresoj se kemi një përkthyes të mirë, por ai është fantastik. Është një njeri fantastik,” tha Trump, duke u kthyer nga Erdoğani dhe duke e quajtur atë “miku im”.
Takimi u zhvillua në një kohë përpjekjesh intensive diplomatike për të adresuar tensionet dhe konfliktet në rritje në të gjithë Lindjen e Mesme, veçanërisht zhvillimet në rajonin e Gjirit.
-
Lajme10 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
