Lajme
Eli Fara më në fund del me reagimin e saj publik: Do vazhdoj me kokën lartë!
Këngëtarja e njohur Eli Fara ka reaguar këtë të shtunë pas publikimit të videove intime me kompozitorin Adrian Hila në rrjetet sociale, të cilat kanë qarkulluar ditët e fundit.
Në një reagim në rrjetin social Instagram, këngëtarja shprehet se është e lënduar, duke theksuar se nuk ka arsye të turpërohet. Ndërkohë, thekson se turpi u përket atyre që kanë filmuar ato video.
Sakaq, ajo ka theksuar se këtë rast do t’ia lërë në dorë drejtësisë.
Kam kaluar një jetë në skenë, duke ndarë me publikun këngën dhe dashurine për artin. Sot po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me giykime e fyerje që prekin edhe familjen time.
Në këtë shoqëri, grave u kërkohet shpesh të mbajnë mbi supe edhe turpin e veprimeve që kryhen kundër tyre. U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim. Sot po e përjetoj vet sa e rëndë është të shohësh jetën tënde private te kthyer në spektakël dhe te ndiesh se, për disa njerëz, çdo gjë që ke ndërtuar vlen më pak se një moment intim.
Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem. Turpi u përket atyre që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e një njeriu. Intimiteti i një gruaje nuk është leje për ta poshtëruar.
Të qenit artiste nuk ma heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet. Këtë të drejtë e ka çdo grua, pavarësisht emrit, profesionit apo zgjedhjeve të saj. Këtë çështje do t’ia lë në dorë drejtësisë. Nga
publiku kërkoj njerëzillëk dhe ndalimin e shpërndarjes. Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që lëndoni.
Falënderoj nga zemra familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që me kanë mbështetur, publikisht apo privatisht. Dashuria dhe mirëkuptimi juaj me japin force.
Do të marr kohën që më duhet dhe do të vazhdoj përpara, me dinjitet dhe me kokën lart.
Lajme
Në ditën e parë u shitën mbi 24.5 milionë kopje të GTA 6, 2.36 miliardë dollarë të ardhura
Pas 13 vitesh pritje, videoloja e shumëpritur Grand Theft Auto 6 (GTA 6) ka debutuar me një sukses të jashtëzakonshëm tregtar. E publikuar më 19 nëntor, loja ka arritur të kthehet brenda pak orësh në një nga lançimet më të mëdha në historinë e industrisë së argëtimit.
Sipas vlerësimeve paraprake të kompanisë analitike Sensor Tower, shitjet e GTA 6, duke përfshirë edhe porositë paraprake, kanë kaluar 24.5 milionë kopje. Të ardhurat vlerësohen në rreth 2.36 miliardë dollarë.
Nëse këto shifra konfirmohen, GTA 6 do të regjistrojë një nga debutimet më të mëdha tregtare të të gjitha kohërave. Kompania mëmë Take-Two Interactive dhe zhvilluesi Rockstar Games nuk kanë publikuar ende shifra zyrtare të shitjeve, por e kanë përshkruar kërkesën për lojën si të paprecedentë.
Sipas agjencisë Reuters, vlerësimet e Sensor Tower tregojnë se GTA 6 ka shitur pothuajse trefishin e kopjeve që kishte shitur paraardhësi i tij, GTA 5, gjatë 24 orëve të para të publikimit në vitin 2013.
Të ardhura sa një superprodhim hollivudian
Përmasat e suksesit bëhen edhe më të dukshme kur krahasohen me industrinë e filmit. Sipas të dhënave të cituara në raport, filmi Spider-Man: Brand New Day ka grumbulluar rreth 2.5 miliardë dollarë nga shitja e biletave në kinematë botërore.
GTA 6 ka arritur t’i afrohet kësaj shifre që në ditën e parë të publikimit, duke përfshirë edhe porositë paraprake.
Ndërkohë, kompania kërkimore e tregut Niko Partners parashikon se të ardhurat nga loja mund të kalojnë 3 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2026.
Miliona lojtarë në pritje, rekord edhe në trafikun e internetit
Publikimi i GTA 6 ka shkaktuar një mobilizim të jashtëzakonshëm të lojtarëve në mbarë botën. Shumë prej tyre kanë qëndruar zgjuar gjatë natës për të nisur menjëherë aventurën e re, ndërsa të tjerë kanë planifikuar të marrin pushim nga puna për t’i kushtuar më shumë kohë lojës.
Interesi masiv është reflektuar edhe në trafikun e internetit. Në Britaninë e Madhe, operatori Virgin Media O2 ka regjistruar nivele rekord të transferimit të të dhënave, për shkak të shkarkimeve dhe instalimeve paraprake të lojës.
GTA 6 zë rreth 212 GB hapësirë, çka kërkon një sasi të konsiderueshme të dhënash për shkarkim dhe instalim.
Një nga videolojërat më të shtrenjta në histori
Pas këtij projekti qëndron një investim gjigant. Kostoja e zhvillimit të GTA 6 vlerësohet të ketë kaluar 1 miliard dollarë, shifër që, nëse konfirmohet, do ta rendiste atë ndër videolojërat më të shtrenjta të prodhuara ndonjëherë.
Rockstar Games ka punuar për më shumë se një dekadë për të sjellë pasardhësin e GTA 5, i cili u publikua në vitin 2013 dhe u shndërrua në një prej lojërave më të suksesshme komerciale të të gjitha kohërave.
Ngjarjet e lojës zhvillohen në Leonida, një shtet imagjinar i frymëzuar nga Florida, ndërsa qendra kryesore e historisë është Vice City, e ndërtuar mbi modelin e Majamit.
Protagonistët janë Lucia dhe partneri i saj Jason, dy personazhe të përfshirë në botën e krimit, grabitjeve dhe ndjekjeve të rrezikshme. Loja ndërthur aksionin me satirën sociale, duke trajtuar kulturën amerikane dhe anën e errët të ëndrrës amerikane.
Rockstar ka ende dy burime të mëdha të ardhurash
Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm të ditëve të para, potenciali tregtar i GTA 6 mund të rritet edhe më tej.
Për momentin, loja është e disponueshme për PlayStation 5 dhe Xbox Series X|S. Ende nuk është njoftuar një datë zyrtare për versionin e kompjuterëve, ndërsa pritet edhe prezantimi i modalitetit online, ku lojtarët do të mund të ndërveprojnë dhe të zhvillojnë misione së bashku përmes internetit.
Përvoja e GTA 5 tregon rëndësinë që mund të ketë kjo pjesë e lojës. GTA Online u shndërrua në një burim të rëndësishëm të ardhurash për kompaninë, përmes blerjeve virtuale, automjeteve luksoze, pronave dhe përmbajtjeve të tjera shtesë.
Kufizime në disa tregje
Përmbajtja e lojës, e cila përfshin skena të dhunshme dhe materiale të destinuara për të rritur, ka sjellë edhe kufizime në disa tregje ndërkombëtare.
Në Japoni janë raportuar ndërhyrje për përshtatjen e përmbajtjes me rregullat vendase, ndërsa në Kinën kontinentale loja nuk ka marrë miratimin për shitje zyrtare.
Megjithatë, këto kufizime nuk duket se kanë ndikuar në interesin e jashtëzakonshëm global.
Me më shumë se 24.5 milionë kopje të shitura sipas vlerësimeve paraprake dhe të ardhura që kapin rreth 2.36 miliardë dollarë, GTA 6 po vendos një standard të ri për industrinë e videolojërave. Për Rockstar Games, debutimi i 19 nëntorit mund të jetë vetëm fillimi i një suksesi që pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
Lajme
Era e fuqishme në Tetovë dhe Pollog! Rreth 15 intervenime, pa të lënduar
Erërat e fuqishme që përfshinë mbrëmë Tetovën dhe rajonin e Pollogut shkaktuan dëme të shumta materiale. Pemë të rrëzuara, kulme të dëmtuara, rrugë të bllokuara dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa vendbanime. Ekipet e zjarrfikësve intervenuan në rreth 15 raste, ndërsa në terren gjatë gjithë natës ishin edhe ekipet e ndërmarrjes publike komunale për largimin e pemëve dhe degëve të rrëzuara.
“Patëm rreth 15 intervenime, dy zjarre, disa kulme të rrëzuara, rrugë të bllokuara, si dhe shtylla elektrike të dëmtuara. Kemi intervenuar në të gjitha rastet dhe situatën e kemi pasur nën kontroll. Fatmirësisht, nuk kemi persona të lënduar”, deklaroi Avni Ameti, shef i NjTKZ Tetovë.
Komuna e Tetovës u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes gjatë motit të lig dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. Deri më tani, në Komunë nuk është paraqitur asnjë kërkesë zyrtare për kompensimin apo evidentimin e dëmeve.
“Komuna e Tetovës mbrëmë doli me apel për qytetarët që të kenë kujdes dhe të shmangin lëvizjet gjatë erërave të fuqishme. Deri më tani nuk kemi pasur denoncime nga banorët për dëmet materiale, por nëse paraqiten raste të tilla, Komuna së bashku me inspektoratin do të dalë në terren për verifikimin e tyre dhe marrjen e masave të nevojshme”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Në polici është raportuar edhe dëmtimi i një automjeti nga tjegullat e një kulmi në rrugën industriale. Ekipet e SPB Tetovë, zjarrfikësit dhe ndërmarrja publike komunale kanë bashkëpunuar për sigurimin dhe pastrimin e rrugëve. Deri më tani, as në Qendrën për Menaxhim me Kriza nuk janë raportuar dëme më të mëdha materiale. Fatmirësisht, nga të gjitha incidentet nuk ka persona të lënduar.
Lajme
Imer Aliu: PPD, BDI dhe VLEN – emra të ndryshëm, e njëjta filozofi politike!
35 vite pluralizëm, emra të rinj partish, por e njëjta formulë politike: kompromiset për pushtet në kurriz të interesave të shqiptarëve. Kështu e përshkruan përfaqësimin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Imer Aliu, përfaqësues i lartë i PDSH-së.
Sipas Aliut, nga PPD-ja te BDI-ja dhe VLEN-i, partitë kanë ndryshuar emrat, por jo filozofinë politike, duke e vendosur qëndrimin në pushtet mbi interesat e shqiptarëve.
Ai thekson se PDSH-ja ka përfaqësuar një koncept tjetër, të bazuar në dinjitetin kombëtar, barazinë politike dhe refuzimin e nënshtrimit për interesa pushteti.
“Sa herë duhet të ndryshojnë emrat e partive që më në fund të kuptoni se po votoni për të njëjtin model politik?”, pyet Aliu.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle3 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme3 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme12 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 month agoÇmimi i naftës shënon rënie
