Lajme
Çmime të reja nga mesnata: Ja sa kushtojnë aktualisht derivatet e naftës në Maqedoninë e Veriut
Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) sot, më 13 tetor, duhet të publikojë vendimin e ri për çmimet me pakicë të derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut.
Çmimet e reja do të fillojnë të zbatohen nga mesnata, gjegjësisht nga 14 tetori.
Për momentin nuk dihet nëse benzina dhe dizeli do të shtrenjtohen apo do të lirrohen, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të bëhet i ditur gjatë ditës.
Deri në hyrjen në fuqi të listës së re të çmimeve, sipas informacioneve të publikuara, vlejnë këto çmime:
EUROSUPER BS-95: 98,50 denarë për litër.
EUROSUPER BS-98: 100,50 denarë për litër.
EURODIZEL BS (D-E V): 97 denarë për litër.
Vaj ekstra i lehtë për djegie (EL-1): 108,50 denarë për litër.
Mazut M-1 NS: 49,597 denarë për kilogram.
Vendimi i KRRE-së do të tregojë nëse shoferët nga nesër do të paguajnë më shumë apo më pak për karburantet.
Të gjitha ndryshimet e mundshme do të bëhen të ditura pas publikimit zyrtar të çmimeve të reja nga ana e Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Lajme
Artan Grubi lirohet nga arresti shtëpiak
Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, i cili është i akuzuari i dytë në rastin “Lotaria Shtetërore”, sot lirohet nga arresti shtëpiak, pasi skadon afati maksimal ligjor i paraparë për këtë masë.
Ndërkohë, mbrojtja e tij i ka dorëzuar gjykatës kërkesë për heqjen edhe të masave shtesë të kujdesit, ndërsa si garanci se ai do të jetë në dispozicion të organeve të ndjekjes gjatë procedurës penale është ofruar pasuri e paluajtshme në vlerë prej 335.707 euro.
Artan Grubit, përveç arrestit shtëpiak, i është caktuar edhe masa e sekuestrimit të përkohshëm të dokumentit të udhëtimit, si dhe ndalimi i lëshimit të dokumentit të udhëtimit ose dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror.
“Propozim-aktakuza, mbi bazën e të cilit është regjistruar lënda penale, është dorëzuar më 13 gusht të vitit 2026. Në përputhje me nenin 470 të Ligjit për procedurën penale, paraburgimi mund të zgjasë më së shumti 60 ditë nga dita e dorëzimit të propozim-aktakuzës. Për këtë arsye, siç është theksuar edhe më herët, dhe siç e ka theksuar edhe gjyqtari që e trajton lëndën, me fuqinë e ligjit masa e arrestit shtëpiak për këtë të akuzuar skadon më 13 tetor 2026. Krahas masës së arrestit shtëpiak, ndaj të akuzuarit është caktuar edhe masë shtesë e kujdesit, gjegjësisht sekuestrimi i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit dhe ndalimi i lëshimit të dokumentit të udhëtimit ose dokumentit tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, e cila do të vazhdojë të vlejë edhe pas skadimit të afatit ligjor prej 60 ditësh. Sa i përket kësaj mase të kujdesit, mbrojtja i ka dorëzuar gjykatës propozim, me të cilin, në përputhje me nenin 150 të Ligjit për procedurën penale, kërkon heqjen e saj duke caktuar garanci. Konkretisht, mbrojtja ka ofruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 335.707 euro si garanci se i akuzuari do të jetë në dispozicion të organeve të ndjekjes gjatë procedurës penale. Pas ofrimit të garancisë, është formuar lënda, e cila i është dërguar për mendim prokurorisë publike kompetente. Pas marrjes së mendimit, Këshilli Penal do të shqyrtojë propozimin dhe do ta informojë publikun”, informojnë nga Gjykata Themelore Penale, Shkup.
Edhe kryetarja e Gjykatës Penale, Daniela Dimovska, mbrëmë konfirmoi se ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, nga 13 tetor do të mbrohet në liri si i akuzuar në rastin “Lotaria Shtetërore”.
“E vetmja gjë që mund ta them me siguri është se, pavarësisht nga vendimi (i gjykatës), ai do ta presë atë në liri. Arrestit i Grubit i skadon afati më 13 tetor. Personi do ta ndjekë më tej procesin dhe do të mbrohet në liri”, tha Dimovska në një intervistë në një podkast.
Artan Grubi është i akuzuar në lëndën “Lotaria Shtetërore” për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve. Aktakuza kundër tij dhe shtatë personave të tjerë është ngritur më 13 gusht të vitit 2026. Grubi, në gjykimin është deklaruar i pafajshëm.
Ish-zëvendëskryeministri, pas më shumë se 14 muajsh i paarritshëm për organet e ndjekjes penale, u kthye në vend në shkurt të këtij viti dhe u arrestua në vendkalimin kufitar Bllacë.
Lajme
Nga 15 nëntori gjoba 45 euro për shoferët pa pajisje dimërore!
Nga 15 nëntori 2026, në Maqedoninë e Veriut hyn në fuqi detyrimi për pajisje dimërore në automjete. Shoferët që nuk respektojnë rregullat rrezikojnë gjobë prej 45 eurosh ose 25 pikë negative, sipas dispozitave ligjore.
Për automjetet deri në 3.500 kilogramë kërkohen goma dimërore në të gjitha rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 mm. Si alternativë lejohen goma verore me profil të paktën 4 mm, por me zinxhirë bore për rrotat tërheqëse.
Për automjetet 4×4 dhe ato mbi 3.500 kilogramë, gomat dimërore duhet të kenë profil të paktën 6 mm, ndërsa përdorimi i gomave verore kërkon zinxhirë sipas kategorisë së automjetit.
Autobusët dhe kamionët që nuk mund të vendosin zinxhirë duhet të kenë goma dimërore në rrotat tërheqëse dhe pajisje ndihmëse.
Lajme
Artan Grubit nesër i përfundon arresti shtëpiak
Ish zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi nesër i mbaron arresti shtëpiak. Vendimi ekzekutohet sipas fuqisë së ligjit pasi kalojnë 60 ditë nga dita e dorëzimit të propozim-akuzës. Megjithatë, Grubi i cili gati 8 muaj ka qëndruar në arrest shtëpie kërkon që t’i kthehet edhe pasaporta. Për këtë ka ofruar prona si garanci në vlerë mbi 335 mijë euro. Nga Gjykata Penale e Shkupit theksojnë shkurt për Alsat se për këtë propozim ende nuk kanë vendosur pasi e presin mendimin nga Prokuroria, e cila pritet që ta japë gjatë kësaj jave.
Ndërkohë vazhdon gjykimi për Grubin lidhur me keqpërdorimet në “Lotarinë Shtetërore”, megjithatë për dallim nga herët e kaluara, Grubi do të paraqitet në Gjykatë pa shoqërim policor.
Grubi gjykohet për “keqpërdorimin e detyrës zyrtare” pasi ka udhëhequr mbledhjen e Qeverisë ku është miratuar pika e rendit të ditës për nisjen e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit, ndonëse sipas Prokurorisë kjo nuk ka qenë e ligjshme. Sipas tyre, këtë e ka bërë në bashkëpunim me të akuzuarin e parë, ish drejtorin Përparim Bajrami.
Me këtë, Prokuroria pretendon se Grubi ka hapur rrugën që Lotaria Shtetërore t’i blejë VLT aparatet në vlerë mbi 9,7 milionë euro edhe pse të njëjtat nuk kanë qenë të nevojshme.
Pretendimet e këtilla Grubi i ka hedhur poshtë nën arsyetimin se për vendimin në mbledhje të Qeverisë kanë votuar 20 anëtarë, të gjithë “për”. Nga ana tjetër, teza e mbrojtjes së Grubit, por edhe të akuzuarve të tjerë është se ata kanë mbrojtur interesin shtetëror, me qëllim që përfitimi të shkojë direkt te Lotaria Shtetërore dhe jo të ndahet me partnerë të tjerë.
Lënda u hap në dhjetor të vitit 2024, rreth një javë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën në Listë të Zezë për korrupsion së bashku me ish gjyqtarin e Apelit Enver Bexheti. SHBA-ja i akuzoi për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm, duke pretenduar se kishin pranuar ryshfet për të penguar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin e ish shefit të Policisë Sekrete Sasho Mijallkov.
Megjithatë, Artan Grubi u largua nga Maqedonia më 15 dhjetor, duke kaluar pikën kufitare të Bllacës drejt Kosovës. Pas alarmit për arratisje, Grubi njoftoi në Facebook se ka udhëtuar për vizitë private dhe sapo t’i kryejë obligimet do të kthehet në shtëpi.
Megjithatë, obligimet e Grubit zgjatën mbi 14 muaj, për çka shteti shpalli fletëarrest të brendshëm ndërkombëtar. Në mëngjesin e 23 shkurtit, Grubi në Maqedoni hyri nga kishte dalë. Nëpër media dolën filmimet në të cilat shihej Grubi me pranga, pasi ishte vetëdorëzuar. Prej Pikës Kufitare Bllacë, Grubi dërgohet në Burgun e Shutkës, megjithatë vetëm pas disa orësh ai dërgohet në shtëpi pasi organet e sigurisë kishin alarmuar se rrezikohet jeta e Grubit në paraburgim. Për vendimin e këtillë pati reagime të ashpra në opinion.
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
