Lajme
Alta Banka nis pagesat në para të gatshme për klientët pa kartela, kufiri është 20 mijë denarë
Ka nisur pagesa e mjeteve në para të gatshme për klientët e Alta Bankës në Manastir, të cilët nuk posedojnë kartela bankare.
Kryesisht pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale mund të tërheqin deri në 20.000 denarë brenda dy javësh, në sportelet e posaçme të degës së bankës. Pagesat do të bëhen sipas orarit të caktuar, ndërsa klientët do të njoftohen përmes SMS-it.
Nga Banka Popullore bëjnë të ditur se pensionet dhe pagat vazhdojnë të derdhen në llogaritë e klientëve, ndërsa mjetet nuk janë të ngrira.
Për klientët e tjerë fizikë vazhdon të vlejë kufizimi prej 10.000 denarësh në javë për tërheqje të parave dhe pagesa te tregtarët me kartelat e lëshuara nga banka. Transaksionet brenda bankës mbeten pa kufizim.
Kufizimet janë vendosur pas marrjes së bankës nën administrim nga tre administratorë të emëruar nga Banka Popullore, për një periudhë deri në tre muaj, për shkak të rrethanave që mund të rrezikojnë seriozisht aftësinë paguese të saj.
Administratorët kanë afat prej 21 ditësh për të shqyrtuar gjendjen financiare të bankës dhe për të dorëzuar raport në Bankën Popullore.
Ndërkohë, Banka Popullore po shqyrton edhe zgjidhjet për kompanitë që duhet të paguajnë pagat e punonjësve dhe detyrimet tatimore deri më 15 nëntor.
Lajme
Arrestohen tre persona për vjedhjen e 129 milionë dollarëve përmes inteligjencës artificiale
Tre persona janë arrestuar në Evropë, pasi dyshohet se për rreth dy vite kanë përdorur inteligjencën artificiale për të mashtruar kompani të ndryshme, duke përvetësuar rreth 129 milionë dollarë (115 milionë euro), shkruan tgcom24.it.
Jacob Soall, Sharon Hazan dhe Guy Sheetrit, të cilët njiheshin me pseudonimet “Rocky Balboa”, “Superman Cash” dhe “Fat Boy”, akuzohen se kanë përdorur teknologjinë e inteligjencës artificiale për t’u paraqitur si drejtues të lartë kompanish dhe avokatë të njohur, me qëllim bindjen e punonjësve për të kryer transferta të mëdha financiare.
Sipas aktakuzës së bërë publike së fundmi, skema mashtruese është zhvilluar nga korriku 2024 deri në shkurt 2026. Të dyshuarit përdornin inteligjencën artificiale për të klonuar zërin dhe imazhin e drejtuesve të kompanive, duke kontaktuar punonjësit përmes telefonatave dhe videothirrjeve.
Ata pretendonin se po zhvillonin operacione financiare konfidenciale dhe kërkonin ndihmë për realizimin e transfertave. Për ta bërë skemën më bindëse, mashtruesit paraqiteshin edhe si avokatë të firmave të mëdha ndërkombëtare, duke krijuar përshtypjen se transaksionet ishin të ligjshme dhe të konfirmuara nga profesionistë të fushës.
Punonjësit udhëzoheshin të transferonin shuma të konsiderueshme parash në llogari bankare të kontrolluara nga organizatorët. Më pas, paratë konvertoheshin në kriptomonedha për të fshehur origjinën e tyre dhe për t’i shpërndarë mes anëtarëve të grupit.
Në shënjestër spitale, banka dhe kompani ndërkombëtare
Mes viktimave të skemës mashtruese janë kompani dhe institucione të ndryshme në SHBA dhe vende të tjera. Sipas aktakuzës, grupi ka përvetësuar afro 5 milionë dollarë nga një sistem spitalor në Misuri, ndërsa rreth 3 milionë dollarë nga një bankë në Rhode Island dhe një sistem spitalor në Kaliforni.
Një nga goditjet më të mëdha financiare ishte ndaj një kompanie të teknologjisë financiare me lidhje në Mbretërinë e Bashkuar, së cilës iu vodhën 11.578.474 dollarë.
Në listën e viktimave përfshihen gjithashtu një kompani investimesh në Masaçusets, me një humbje prej 4.639.918 dollarësh, si dhe një kompani amerikane e produkteve ushqimore për kafshë shtëpiake në Florida, së cilës iu morën 5.242.747 dollarë.
Tre të dyshuarit u arrestuan në Evropë gjatë periudhës qershor-shtator dhe aktualisht presin ekstradimin në SHBA. Ata do të përballen me akuza për komplot kriminal, pastrim parash dhe vepra të tjera penale. Aktakuza është depozituar në një gjykatë federale në Nju Jork.
Lajme
Fal kujt është fitorja në Bërvenicë? Flasin Sulejmani dhe Hasani
Driton Sulejmani nga koalicioni VLEN, në emisionin “Debat në Shenja”, lidhur me zhvillimet politike pas zgjedhjeve në Bërvenicë, tha se populli e ka dhënë verdiktin e tij dhe se në këtë rast ka fituar demografia.
Sipas tij, rezultati zgjedhor nuk duhet të marrë konotacione të tjera politike, pasi gjatë fushatës janë hapur tema që nuk kanë të bëjnë me pushtetin lokal.
Sulejmani kritikoi BDI-në për hapjen e temave kombëtare gjatë zgjedhjeve lokale, duke i cilësuar ato si përpjekje për manipulim politik.
“Kur BDI nxit tema kombëtare, bën manipulim. Nuk janë zgjedhjet lokale për tema kombëtare, ato janë zgjedhjet parlamentare”, deklaroi Sulejmani.
Ai iu përgjigj edhe kritikave ndaj VLEN-it për destruktivitet, duke theksuar se politikat konstruktive të koalicionit kanë mundësuar sigurimin e një komune më shumë për BDI-në.
“Për shkak të politikave konstruktive të VLEN-it, ju sot keni një komunë më shumë. Dhe tani na akuzoni për destruktivitet”, u shpreh ai.
Duke folur për zhvillimet pas zgjedhjeve lokale 2025, Sulejmani tha se Haqim Ramadani ka hequr dorë nga simbolet partiake, ndryshe nga Arkin Jahiu. Ai shtoi se kandidati i VLEN-it ka shkuar për ta uruar dhe për t’i dhënë mbështetje.
Në lidhje me deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, Sulejmani vlerësoi se ato mund të jenë pjesë e folklorit parazgjedhor dhe paszgjedhor. Ndërsa sa u përket marrëdhënieve brenda Qeverisë, ai theksoi se qeverisja nuk është ndërtuar për një komunë të vetme dhe se zhvillimet në nivel lokal nuk ndikojnë në raportet mes partnerëve qeveritarë.
“Qeveria nuk është përpiluar për një komunë. Ngjarjet në komunë nuk i prishin raportet”, deklaroi Sulejmani.
Ilir Hasani nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), në emisionin “Debat në Shenja”, komentoi rezultatin zgjedhor në Bërvenicë, duke theksuar se fitorja është rezultat i vullnetit të pastër të shqiptarëve.
Sipas tij, ky rezultat nuk përcaktoi vetëm udhëheqjen e komunës, por nxori në pah edhe dallimin mes pushtetit dhe opozitës, si dhe hendekun në votën e shqiptarëve dhe maqedonasve.
Hasani vlerësoi se në Bërvenicë u bë një ndarje e madhe, e cila, sipas tij, nuk do të duhej të ekzistonte. Ai kritikoi tendencën për përqendrim të pushtetit në të dy nivelet e qeverisjes, atë qendror dhe lokal.
“Dikush dëshiron të qeverisë në mënyrë absolute, edhe në pushtetin qendror edhe lokal. Në fund të fundit, foli populli”, deklaroi Hasani.
Ai tha se është e turpshme që VLEN nuk doli hapur për mbështetjen e Arkinit./TV Shenja
Lajme
Komuna e Tetovës ka paguar 226 milionë denarë për kamata dhe përmbarues nga borxhet e trashëguara
Një vit nga fillimi i mandatit të dytë të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në fokus mbetet edhe çështja e borxheve të trashëguara dhe kostot financiare që ato kanë shkaktuar në buxhetin komunal.
Komuna e Tetovës ka paguar gjithsej 226 milionë denarë për kamata dhe shpenzime të përmbarimit, të cilat lidhen me borxhet e trashëguara nga periudhat e mëparshme. Kjo shumë përbën një barrë të konsiderueshme financiare për institucionin lokal, pasi bëhet fjalë për mjete që janë shpenzuar për detyrime të krijuara në të kaluarën, por që kanë rënduar buxhetin e komunës.
Pagesat për kamata dhe përmbarues paraqesin një nga pasojat financiare të borxheve të papaguara në kohë. Në raste të tilla, detyrimet fillestare mund të rriten për shkak të kamatave dhe procedurave përmbarimore, duke shtuar koston përfundimtare që duhet ta mbulojë institucioni.
Shuma prej 226 milionë denarësh, që përfaqëson një vlerë prej rreth 3.67 milionë eurosh, ngre gjithashtu çështjen e ndikimit që këto pagesa kanë pasur në mundësitë e komunës për të orientuar mjete drejt investimeve infrastrukturore, projekteve publike dhe shërbimeve për qytetarët.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme3 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
