Lajme
“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do ta falimentonin shtetin”
Zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë, pasi ato do ta çonin vendin drejt falimentimit, ndërsa kundër mbajtjes së tyre është edhe bashkësia ndërkombëtare. Edhe nëse partneri qeveritar ZNAM, i udhëhequr nga Maksim Dimitrievski, largohet nga Qeveria, nuk do të ketë zgjedhje, pasi shumica parlamentare mund të vazhdojë punën edhe pa deputetët e kësaj partie.
Kështu mund të kuptohet qëndrimi i kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili foli para gazetarëve pas përplasjes së ashpër mes VLEN-it dhe ZNAM-it lidhur me gjuhën në të cilën duhet të jepet Provimi i Jurisprudencës.
Dimitrievski ka paralajmëruar mundësinë e largimit nga Qeveria nëse provimi do të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Mickoski bëri të ditur se për këtë çështje ka biseduar tashmë me Dimitrievskin, por nuk tregoi nëse lideri i ZNAM-it ka mbetur në qëndrimin për largimin nga Qeveria.
Mickoski vlerësoi se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë periudhë do të ishte e papërgjegjshme, për shkak të obligimeve të mëdha financiare me të cilat përballet shteti.
“Për momentin është e papërgjegjshme. Nëse e shohim nga aspekti politik, neve na përshtatet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, por nëse e shohim thelbin, duhet të jemi të vetëdijshëm se në dy vitet e ardhshme duhet të sigurojmë pesë miliardë euro. Vitin e ardhshëm duhet të sigurojmë 2.3 miliardë euro. Gjashtë muaj me qeveri teknike do ta çonin shtetin drejtpërdrejt në falimentim. Ajo qeveri teknike do të funksiononte në kulmin e dimrit më të ashpër, në janar dhe pjesërisht në shkurt”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se bëhet fjalë për borxhe të marra gjatë pandemisë së COVID-19, të cilat duhet të kthehen, për të rifinancuar një pjesë të borxheve, për të paguar interesat dhe për të mbuluar deficitin buxhetor.
Sipas tij, viti 2028 do të jetë më i lehtë për menaxhimin e obligimeve financiare, edhe pse atëherë shteti do të duhet të sigurojë rreth 2.7 miliardë euro.
“Edhe pse bëhet fjalë për më shumë para, rreth 2.7 miliardë euro, do të mund t’i bartim detyrimet në vitin 2029, pasi viti 2029 është i vetmi vit për të cilin nuk kanë arritur të plotësojnë nevojat financiare. Një pjesë të obligimeve të vitit 2028 mund t’i bartim në vitin 2029 dhe kështu të dalim nga këto dy vite, gjatë të cilave duhet të sigurojmë likuiditet prej pesë miliardë eurosh”, tha Mickoski.
Ai përsëriti se zgjedhjet e parakohshme në vitin 2027, të shoqëruara me gjashtë muaj qeveri teknike, do të ishin veprim i papërgjegjshëm ndaj shtetit.
Lajme
Nuk mjafton shtrejtimi i naftës, edhe çmimi i rrymës pritet të rritet deri në 5%
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë mund të rritet deri në 5 për qind, ndërsa Qeveria po përgatit masa për të kufizuar shtrenjtimin.
Plani parasheh sigurimin e qymyrit nga Kosova për nevojat e REK Manastirit, shfrytëzimin e prodhimit vendor dhe furnizimin shtesë me energji nga Greqia. Gjithashtu, është planifikuar rikthimi në funksion i bllokut të tretë të termocentralit në Manastir.
Sipas Mickoskit, çmimet e energjisë elektrike në tregjet evropiane janë rritur deri në trefish. Ai paralajmëroi se në muajt e ardhshëm çmimi mund të arrijë në 350–400 euro për megavat-orë.
Për furnizimin me qymyr nga Kosova po përgatitet një sistem transporti prej mbi 6.000 tonësh në ditë, me angazhimin e më shumë se 200 kamionëve.
Kryeministri tha se Qeveria po ndërmerr masa për të ruajtur stabilitetin energjetik dhe për të kufizuar ndikimin e krizës në çmimet për qytetarët.(INA)
Lajme
Qeveria e RMV-së planifikon hapjen e një vendkalimi të ri kufitar me Kosovën
Qeveria planifikon të hapë një pikë tjetër kufitare me Kosovën, përmes së cilës do të kalojnë kamionë me qymyr të importuar nga Kosova. Këtë e njoftoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski në konferencën e sotme me gazetarët, i cili tha se ky është pikëkalimi që më parë përdorej nga KFOR-i.
Ai tha se për të rritur prodhimin e energjisë elektrike të EMV-së, ata planifikojnë të vënë në funksion si TEC-in e Negotinës ashtu edhe atë të Osllomesë.
“Planifikojmë të hapim një pikëkalim të veçantë kufitar me Kosovën, i cili më parë përdorej nga KFOR-i për të sjellë qymyr më shpejt. Vetëm kamionë me qymyr do të kalojnë nëpër këtë pikëkalim kufitar, dhe është planifikuar që atje të kalojnë 200 kamionë me qymyr, si dhe 60 kamionë në pikëkalimin kufitar të Bllacës”, tha Mickoski.
Ai tha se për funksionimin e tre blloqeve të TEC Manastir nevojiten mbi 6.000 ton qymyr.
Kryeministri njoftoi se një rritje e çmimit të energjisë elektrike është e mundur, por jo më shumë se 5%.
Ai tha se tenderi për nxjerrjen e qymyrit në Kosovë duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji dhe se pret që gjithçka të jetë në rregull.
“Kriza energjetike që nga fundi i shkurtit është ende duke vazhduar dhe në Evropë, rezervat e gazit janë në 50%, dhe niveli i ujit të lumenjve është i ulët dhe investimet e forta në qendrat e të dhënave kanë rritur konsumin e energjisë elektrike. Në BE, çmimi i energjisë elektrike dhe gazit është rritur me 3 deri në 3.5 herë, dhe në vendin tonë, për të mos rritur çmimin, po i bëjmë të gjitha këto gjëra”, tha Mickoski.
Lajme
Përplasja për Alta Bankën, Taravari: VLEN po kërkon fajtorë gjithandej, vetëm jo te vetja
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar lidhur me debatet politike për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut, duke kritikuar VLEN-in për qëndrimin e tij. Taravari thekson se banka hyri zyrtarisht në vend në shtator të vitit 2025, kur VLEN ishte pjesë e Qeverisë, dhe pretendon se Aleanca për Shqiptarët kishte paralajmëruar më herët për ndikimin e mundshëm ekonomik dhe financiar serb.
“ALTA Banka hyri zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut në shtator të vitit 2025. Në atë kohë, pjesë e Qeverisë ishte edhe VLEN-i. VLEN-i vazhdon të jetë pjesë e Qeverisë edhe sot.
Por, duke i parë reagimet e sotme të eksponentëve të VLEN-it, duket se kemi të bëjmë me një rast klasik të amnezisë politike selektive: fajtorët kërkohen gjithandej, vetëm jo aty ku duhet!
Nuk e di nëse kjo është iluzion politik, nënçmim i inteligjencës së qytetarëve apo një përpjekje për t’i trajtuar njerëzit me terapi të harresës kolektive.
Por një gjë është e pamohueshme: Aleanca për Shqiptarët paralajmëroi me kohë!
Që nga momenti kur u bë publike hyrja e kësaj banke, ngritëm shqetësimin se përmes saj mund të zgjerohej ndikimi i botës serbe në Maqedoninë e Veriut, kësaj radhe edhe në sferën ekonomike dhe financiare. Paralajmërimet tona i mbështetëm edhe në shqetësimet e ngritura në raportin e Komisionit Evropian për ndikimin e botës serbe në vend.
Fatkeqësisht, askush nuk deshi t’i dëgjonte vërejtjet tona.
Po të merreshin seriozisht paralajmërimet e Aleancës për Shqiptarët, sot ndoshta nuk do të merreshim me trajtimin e pasojave, por do të kishim mundësi ta parandalonim problemin që në zanafillë.
Ndërsa sot, në vend të përgjegjësisë, kemi një lojë pingpongu politik: njëri ia hedh fajin tjetrit, tjetri të parit, ndërsa qytetarët duhet të shikojnë ndeshjen dhe të harrojnë se kush ishte në pushtet kur banka hyri zyrtarisht në vend.
Ndonjëherë, përgjegjësia nuk matet me atë se sa mirë arrin ta hedhësh fajin te të tjerët, por me atë se çfarë ke bërë kur ke pasur mundësinë ta parandalosh problemin!”, ka shkruar Arben Taravari.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme12 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme4 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
