Lajme
Teuta Arifi: Besoj në integritetin e drejtësisë, jam plotësisht e pafajshme
Ka vazhduar sot procesi gjyqësor ndaj ish-kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila ngarkohet me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në seancën e sotme dëshmuan katër persona të angazhuar dikur me kontrata në vepër në sektorë të ndryshëm komunalë, si dhe tre revizorët e brendshëm të komunës.
Sipas aktakuzës së ngritur pas kallëzimit nga Komuna e Tetovës, Arifi dyshohet se ka dëmtuar buxhetin komunal për rreth një milion euro përmes lidhjes së 546 kontratave në vepër – prej të cilave për 268 persona nuk ka pasur raporte të punës së kryer, ndërsa për 248 të tjerë po. Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori publik dhe avokatët mbrojtës, revizorët e brendshëm deklaruan se kontrolli është bërë me kërkesë të kryetarit aktual, Bilall Kasami, në periudhën janar-mars 2022. Ata konfirmuan se punësimet janë bërë direkt nga komuna dhe jo përmes ndonjë agjencie.
Me pyetje të kryqëzuara ndërhyri edhe mbrojtja, duke kërkuar sqarime nga revizorët nëse të angazhuarit me kontratë në vepër kanë pasur obligim ligjor të kenë vend të saktë dhe orar fiks të punës. Pas përfundimit të seancës, Arifi u deklarua e pafajshme, duke e cilësuar procesin si të ulët ndaj qytetarëve që kanë kryer punë.
“Është kallëzim penal nga ana e kreut aktual të komunës dhe ishit brenda, i dëgjuat dëshmitarët që treguan se kanë shkuar, kanë qenë në vend të punës dhe është e ulët, e turpshme që qytetarët e këtij qyteti që kanë bërë një punë, cila qoftë ajo, t’i marrin dhe t’i tërheqin gjyqeve për t’iu marrë deklarata nëpër gjykata”, tha Teuta Arifi.
Arifi shprehet se ka tentuar të jetë afër qytetarëve.
“Nuk është problem, unë nuk kam bërë asnjë gabim me tendencë. Kam tentuar gjithnjë të jem ndihmesë e qytetarit tim. Do ta ndiqni procesin dhe besoj se autoritetet gjyqësore do të kenë integritetin të vendosin si duhet për çdo qytetar të këtij shteti”, deklaroi ajo
Gjykatësi i lëndës, Rexhep Musa, caktoi seancën e radhës për më 1 dhjetor në orën 10:00, ku pritet të lexohen provat materiale dhe të dëgjohen një dëshmitar dhe një ekspert.
Lajme
Çmenduria për “GTA 6”, mijëra punëtorë kërkojnë pushim për të luajtur
Për shkak të publikimit të videolojës shumë të pritur “GTA 6“, në Belgjikë është regjistruar një rritje prej plot 66 për qind e kërkesave për pushim nga puna në sektorin privat për datën 19 nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kështu bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga kompania “Acerta”.
“Është e mundur që mijëra punonjës të marrin një ditë pushim në mënyrë që të mund ta luajnë lojën e re. Sipas informacioneve tona, personat që kanë paraqitur kërkesa janë më të rinj se 30 vjeç”, raportoi televizioni belg VRT.
Sipas vlerësimeve të kompanisë, nga 10.000 deri në 15.000 punonjës në sektorin privat mund të marrin ditë pushimi të enjten.
Rritje e kërkesave për pushim është regjistruar edhe në Holandë, ku janë shënuar 21 për qind më shumë mungesa të planifikuara për atë ditë. Ndërkohë, në SHBA, vendin ku është krijuar videoloja, pothuajse çdo i pesti punonjës dëshiron të marrë një ditë pushim për të shijuar vazhdimin e ri të lojës së njohur.
Kompania amerikane “BambooHR”, e cila ofron shërbime në fushën e burimeve njerëzore, pas analizimit të të dhënave të më shumë se 3.4 milionë punonjësve, ka konstatuar se kërkesat për pushim nga puna për atë ditë janë rritur me gati 13 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas të dhënave, gjenerata Z, përkatësisht personat e lindur nga viti 1997 deri në vitin 2012, ka paraqitur më së shumti kërkesa për pushim. Rreth 32 për qind e tyre kanë kërkuar të mos punojnë atë ditë.
Për krahasim, “GTA 5” u publikua në shtator të vitit 2013 dhe deri më sot ka shitur mbi 230 milionë kopje në mbarë botën.
Lajme
Maqedonia ndër të fundit në rajon për përdorimin e rripit të sigurisë
Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet me përdorimin më të ulët të rripit të sigurisë në rajon, me vetëm 40.1 për qind të pasagjerëve që e përdorin atë. Për krahasim, në Shqipëri kjo përqindje është 75.8%, në Kosovë 53.8%, në Mal të Zi 59.6%, në Bosnjë dhe Hercegovinë 64.8%, ndërsa në Serbi arrin në 90.7%. Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Transportit Talis Linkaits deklaroi se fushata e studimit për Ballkanin Perëndimor shqyrton përdorimin e rripave të sigurisë dhe të ulëseve për fëmijë në të gjashtë vendet partnere të Ballkanit Perëndimor. Të dhënat për Maqedoninë e Veriut tregojnë se përdorimi i rripit të sigurisë nuk është bërë ende rutinë, veçanërisht te pasagjerët dhe personat që ulen në ulëset e pasme të automjetit.
“Bashkëpunimi ynë me Maqedoninë e Veriut përfshin sistemet teknologjike të avancuara për sigurinë rrugore, legjislacionin për sigurinë në komunikacion dhe bashkëpunimin rajonal për përmirësimin e të dhënave dhe reagimin në raste emergjente. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë udhëzime dhe ekspertizë për zbatimin më të shpejtë të prioriteteve në fushën e sigurisë rrugore”, tha Talis Linkaits .
Zëvendësministrja , Kaltrina Zekolli, vlerësoi se siguria në komunikacion nuk është vetëm çështje e rregulloreve dhe infrastrukturës, por para së gjithash mbrojtje e jetës së njerëzve.
“Kjo është gjithashtu arsyeja pse iniciativat rajonale, siç është “Moment for Life”, janë kaq të rëndësishme. Sfidat në sigurinë rrugore nuk ndalen në kufijtë kombëtarë. Përmes bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe përafrimit të politikave me standardet evropiane, mund të ndërtojmë një rajon më të sigurt dhe më të ndërlidhur. Le të kujtojmë se çdo vendim që marrim, çdo masë që zbatojmë dhe çdo veprim në rrugë mund të bëjë ndryshimin”, tha , Kaltrina Zekolli.
Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni, për sistemin “ Safe City” thotë se po funksionon dhe jep rezultate të mira. Ai teknologjinë e konsideron aleat të fortë për shpëtimin e jetës së njerëzve.
“Miratimi i Strategjisë Kombëtare për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor paraqet një bazë të rëndësishme për një qasje sistematike në uljen e viktimave dhe lëndimeve të rënda, në përputhje me objektivat evropiane dhe parimet e “Vision Zero””, tha Astrit Iseni .
Në Maqedoninë e Veriut, të dhënat tregojnë se përdorimi i rripit të sigurisë ndryshon sipas llojit të automjetit. Në automjetet private, rripin e përdorin 77.8 për qind e fëmijëve në ulëset e pasme dhe 64.9 për qind e shoferëve. Ndërsa në automjetet komerciale, rripin e përdorin 64.9 për qind e shoferëve dhe 55.7 për qind e pasagjerëve.
Lajme
Gjykata e Beogradit lëshon urdhërarrest për Radoiçiqin
Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar urdhërarrest dhe ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë për ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe organizatorin e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq.
Në një përgjigje për “N1”, gjykata ka konfirmuar se urdhërarresti dhe vendimi për paraburgim janë lëshuar pasi Radoiçiqi nuk është paraqitur në stacionin policor më 15 nëntor.
Radoiçiqi ishte urdhëruar nga gjykata në Beograd që të paraqitej në polici dy herë në muaj, më datën 1 dhe 15. Ai ishte paraqitur më 1 nëntor, por nuk ishte paraqitur në datën 15. Radoiçiqit më herët i ishte konfiskuar edhe pasaporta.
Mediat në Serbi kanë raportuar se Radoiçiqi është larguar drejt Rusisë pas rezultateve të zgjedhjeve, në të cilat partia e Aleksandar Vuçiqit pësoi humbje përballë Listës së Studentëve. Radoiçiqi u pa për herë të fundit në publik para zgjedhjeve të 25 tetorit, kur mori pjesë në tubimin parazgjedhor të partisë së Vuçiqit.
Radoiçiqi është në kërkim edhe nga INTERPOL-i, me kërkesë të Kosovës përmes UNMIK-ut.
Në sulmin e vitit 2023 në Banjskë u vra togeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle3 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme12 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 month agoÇmimi i naftës shënon rënie
