Liqeni i Ohrit, i cili shtrihet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ky destinacion natyror, shpesh i nënvlerësuar, është përzgjedhur së fundmi nga gazetarët e Time Out si një nga vendet më të bukura në Evropë.
Ai konsiderohet një nga liqenet më të vjetër dhe më të thellë në kontinent, duke mahnitur vizitorët me ujërat e tij kristal të kaltër, peizazhet malore dhe qytetet historike që ruajnë një atmosferë autentike.
Në anën e Maqedonisë së Veriut, qyteti i Ohër mbetet pika kryesore turistike, transmeton Klankosova.tv.
I njohur për rrugët me kalldrëm dhe trashëgiminë e pasur kulturore, qyteti ka qenë dikur shtëpi e qindra kishave mesjetare.
Vizitorët mund të shijojnë notin në ujërat e liqenit gjatë ditës dhe të eksplorojnë monumentet historike, ndërsa mbrëmjeve të shijojnë perëndimet spektakolare të diellit.
Në anën shqiptare, peizazhi ofron një atmosferë më të egër dhe të qetë, me fshatra tradicionalë buzë liqenit.
Një ndër më të njohurit është Lin, i famshëm për mozaikët e lashtë dhe kampingjet piktoreske që ofrojnë një përvojë unike relaksi pranë natyrës, transmeton Klankosova.tv.
Në listën e publikuar nga Time Out për destinacionet më të bukura në Evropë përfshihen edhe vende të tjera ikonike, si Alberobello në rajonin e Pulias, i njohur për shtëpitë tradicionale “trulli”, Kopshtet Keë në Londër, si dhe Sagrada Familia në Barcelonë, kryevepra e arkitektit të njohur Antoni Gaudí.
Zgjedhja e Liqenit të Ohrit në këtë listë konfirmon potencialin e madh turistik të rajonit dhe e vendos atë gjithnjë e më shumë në hartën e destinacioneve më tërheqëse në Europë.