Lajme
Shkon në histori regjimi i Bashar al-Asad në Siri
Sundimi 61-vjeçar i Partisë Baath në Siri ra sot kur kryeqyteti Damasku doli nga kontrolli i regjimit, raporton Anadolu.
Partia Socialiste Arabe Baath kishte ardhur në pushtet në Siri në vitin 1963, me një grusht shteti.
Në vitin 1970, Hafez al-Asad – babai i Bashar al-Asadit, udhëheqësit të saporrëzuar të Sirisë – mori pushtetin në një grusht të brendshëm partiak dhe u bë president në vitin 1971.
Pas vdekjes së babait të tij në vitin 2000, Bashar al-Asad mori përsipër regjimin Baath.
Sundimi i Asadit dhe regjimit Baath përfundoi kur grupet kundër regjimit hynë në kryeqytetin Damask, duke mbyllur një seri zhvillimesh të shpejta dhe dramatike që nga fundi i muajit të kaluar.
Ndërsa lëvizjet popullore që kërkonin liri shpërthyen në Siri në vitin 2011, regjimi goditi me dhunë aktivistët për ndryshim.
Ndërhyrjet e regjimit, në të cilat u vranë mijëra njerëz, e kthyen procesin në një luftë civile.
Ndërsa grupet e armatosura të opozitës u angazhuan në një luftë të gjatë, regjimi refuzoi të zgjidhte konfliktin përmes diplomacisë dhe mjeteve paqësore, pavarësisht presionit ndërkombëtar, përfshirë nga aktorët rajonalë.
Pas përleshjeve që u intensifikuan më 27 nëntor, regjimi humbi kontrollin e shumë rajoneve në vend, duke filluar nga Halepi, Idlibi dhe Hama.
Më në fund, me daljen e njerëzve në rrugë në kryeqytetin Damask, forcat e regjimit filluan të tërhiqen nga institucionet publike dhe rrugët, ndërkohë që grupet kundër regjimit shtuan kontrollin e tyre mbi qendrën e qytetit.
Me dorëzimin e kryeqytetit nga forcat e Asadit, 61 vitet e regjimit të përgjakshëm Baath dhe 53 vitet e sundimit të familjes Asad morën fund.
– Deklarata e kryeministrit të regjimit të rrëzuar
Në një video-mesazh në mediat sociale, Mohammad Ghazi al-Jalali, kryeministër i qeverisë së Bashar al-Asadit, tha se janë të gatshëm të punojnë me një qeveri të re të zgjedhur nga populli në Siri dhe të ofrojnë të gjitha llojet e mbështetjes.
Duke kërkuar që prona publike të kursehet nga çdo dëm, Jalali tha: “Po i shtrijmë dorën opozitës, e cila tha se nuk do të prekte askënd dhe na zgjati dorën”.
“Siria u përket të gjithë sirianëve. Ky vend mund të jetë një vend normal, ky vend mund të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët dhe botën”, shtoi ai.
“Kjo zgjedhje varet nga qeveria që do të zgjedhë populli sirian. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me qeverinë e re të zgjedhur. Jemi të gatshëm t’u ofrojmë atyre të gjitha llojet e mbështetjes dhe t’u transferojmë lehtësisht dosjet shtetërore”, tha ai.
– Deklaratë e udhëheqësit të grupit Hayat Tahrir al-Sham
Abu Mohammed al-Jolani, udhëheqës i grupit të armatosur kundër regjimit Hayat Tahrir al-Sham (HTS), paralajmëroi kundër afrimit në institucionet publike në Damask, duke thënë në mediat sociale: “Këto institucione do të qëndrojnë nën mbikëqyrjen e ish-kryeministrit derisa të jenë dorëzuar zyrtarisht”.
“Ndalohet rreptësisht afrimi në institucionet publike”, tha ai, duke shtuar: “Ndalohet edhe gjuajtja në ajër”.
– Zhvillimet në Siri
Më 27 nëntor, shpërthyen përleshje midis forcave të regjimit të Asadit dhe grupeve të armatosura kundër regjimit në zonat rurale në perëndim të Halepit, një qytet i madh në Sirinë veriore.
Më 30 nëntor, grupet kundër regjimit morën nën kontroll pjesën më të madhe të qendrës së Halepit nga forcat e regjimit dhe në të njëjtën ditë ata morën kontrollin mbi gjithë provincën Idlib. Të enjten, pas përleshjeve të ashpra, grupet morën qendrën e qytetit Hama nga forcat e regjimit.
Grupet kundër regjimit morën disa vendbanime në provincën e rëndësishme strategjike të Homsit, një portë drejt kryeqytetit Damask, dhe filluan të përparojnë atje.
Të premten, grupet e armatosura të opozitës filluan një operacion në provincën Daraa në kufirin e Sirisë me Jordaninë dhe rimorën qendrën e qytetit nga forcat e regjimit pas përleshjeve.
Të shtunën, e gjithë provinca e Suwayda në Sirinë jugore ra nën kontrollin e grupeve opozitare. Në të njëjtën ditë, grupet lokale të opozitës në Quneitra morën gjithashtu kontrollin e qendrës së provincës.
Në Homs, forcat kundër regjimit morën kontrollin e qendrës së provincës të shtunën.
Grupet që përparonin kundër forcave të regjimit të Asadit hynë në periferitë jugore të Damaskut më vonë të shtunën. Forcat e regjimit u tërhoqën gjithashtu nga ministria e mbrojtjes dhe ajo e brendshme dhe nga aeroporti ndërkombëtar në Damask.
Ndërsa grupet e armatosura kundër regjimit filluan të dominojnë në kryeqytet, regjimi i Asadit të dielën në mëngjes humbi shpejt çdo kontroll mbi Damaskun.
Në operacionin “Agimi i Lirisë” të nisur nga Ushtria Kombëtare Siriane opozitare kundër organizatës terroriste PKK/YPG në zonat rurale të Halepit më 1 dhjetor, qendra e rrethit Tel Rifaat u çlirua nga terrorizmi.
Lajme
Taravari: S’kanë faj VLEN-i, ata janë si kukulla në Qeveri
Arben Taravari në Click Plus, duke folur për Alta Banka, kritikoi ashpër përfaqësuesit e VLEN-it në Qeveri.
“S’kanë faj VLEN-i. As që e kanë ditur për Alta Banka. Aq dinë, aq marrin vesh, aq kuptojnë. Ata janë si kukulla në qeveri”, deklaroi Taravari.
Lajme
Pasholli: VLEN dje festoi për shqipen, ndërsa sot Bekim Sali foli maqedonisht në Kuvend
Deputetja e BDI-së, Arban Pasholli, ka kritikuar mënyrën e përdorimit të gjuhëve nga zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, gjatë mbledhjes së Këshillit Nacional për Integrime Evropiane.
E ftuar sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, Pasholli tha se është e papranueshme që një ditë pas manifestimit madhështor për Ditën e Alfabetit, Sali gjatë një mbledhjeje institucionale fillimisht të mbajë fjalimin në gjuhën maqedonase dhe më pas ta përsërisë të njëjtin fjalim në gjuhën shqipe.
“Pas gjithë atij manifestimi madhështor, sot në mbledhjen dedikur për shqyrtimin raportit të Komisionit Evropian, në mbledhjen e Këshillit Nacional për eurointegrime për çështje evropiane, z. zëvendëskryeministër Bekim Sali, u drejtua në gjuhën maqedone dhe më pas mori kohën që të njëjtin fjalim ta bëj edhe në gjuhën shqipe. Për mendim e para është nënvlerësim i skajshëm i gjuhës shqipe, i gjuhës tonë të bukur i cili dje, me të drejtë kolegët kanë festuar dhe manifestuar. Këtu ka një, le të themi një disbalanc, tash a po festojmë se e ndjejmë apo e duam dhe e kemi gjuhën tonë, por të nesërmen ndodh e kundërta”, deklaroi Pasholli.
Lajme
Mimoza Musa: Funksionarët e BDI-së kanë komunikuar mes vete në gjuhën maqedonase
Deputetja dhe nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa i është kundërpërgjigjur kritikave të deputetes së BDI-së, Arban Pasholli lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe nga zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali gjatë mbledhjes së Këshillit nacional për integrime evropiane.
Duke folur sonte në emisionin “Debat në Shenja”, Musa deklaroi se funksionarët e BDI-së edhe gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet, në takime bilaterale kanë zgjedhur të komunikojnë në gjuhën maqedonase, madje edhe kur në takim nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësues të palëve të treta.
Ajo tha se nuk mund të fokusohet debati vetëm në raste të veçanta, kur sipas saj, anashkalimi i gjuhës shqipe ka ndodhur edhe në të kaluarën nga vetë funksionarët e BDI-së.
“Ne jemi vetë dëshmitarë se në takime bilaterale, kur ka pasur funksionarë të BDI-së, kanë zgjedhur që mes vete të komunikojnë në gjuhën maqedonase. Domethënë, ne nuk mundemi për raste specifike të lidhemi dhe të themi se këta po e anashkalojnë gjuhën shqipe. Gjuha shqipe në vazhdimësi është anashkaluar nga funksionarët e BDI-së”, deklaroi Musa.
Ajo shtoi se, sipas saj, ekzistojnë edhe video-incizime që dëshmojnë raste kur funksionarë të BDI-së kanë komunikuar në gjuhën maqedonase edhe mes vete, “pa praninë e palëve të tjera”.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle3 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme3 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme12 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 month agoÇmimi i naftës shënon rënie
