Connect with us

Lajme

Irani sulmon një spital në Izrael, raportohen dëme të mëdha dhe të plagosur

Një spital në jug të Izraelit ka pësuar goditje direkte nga një raketë iraniane të enjten, teksa zyrtarët raportuan për “dëme të mëdha” në këtë spital.
Qendra Shëndetësore Soroka është spitali kryesor në jug të Izraelit. Një zëdhënës i këtij spitali tha se ndërtesa ka pësuar “dëme të mëdha” në disa zona dhe ka persona të plagosur nga ky sulm. Autoritetet në këtë qendër shëndetësore u kanë kërkuar qytetarëve që të mos kërkojnë trajtim mjekësor në këtë institucion.

Spitali i goditur ka mbi 1.000 shtretër dhe ofron shërbim për pothuajse 1 milion banorë në jug të Izraelit, sipas uebfaqes së spitalit. Sulmi erdhi pasi Izraeli goditi reaktorin e ujit të rëndë [reaktor bërthamor që përdor ujë të rëndë], raportoi televizioni shtetëror iranian më 19 qershor.

Sipas televizionit shtetëror iranian, “nuk ka asnjë rrezik nga rrezatimi”. Një gazetar i këtij televizioni, gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë nga qyteti i afërt Khondab, tha se objekti është evakuuar dhe nuk ka dëme në zonat civile që gjenden përreth reaktorit.

Mëngjesin e së enjtes, Izraeli paralajmëroi se do të godiste këtë ndërtesë dhe u bëri thirrje banorëve që të largohen nga zona. Ushtria izraelite tha se gjatë sulmeve ajrore të së enjtes ka shënjestruar Teheranin dhe disa zona të tjera të Iranit, pa dhënë detaje të hollësishme. Më pas tha se Irani ka nisur një valë të re sulmesh raketore ndaj Izraelit dhe u bëri thirrje njerëzve të strehoheshin.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Ahmeti letër të hapur Shasivarit: Mos i kufizoni të drejtat gjuhësore të shqiptarëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i është drejtuar me një letër të hapur ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe provimet e tjera shtetërore profesionale. Ahmeti kërkon që Ministria e Drejtësisë të mundësojë dhënien e këtyre provimeve edhe në gjuhën shqipe, duke iu referuar Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe dispozitave të tij.

Në letër, Ahmeti shpreh shqetësimin për atë që e cilëson si tendencë për kufizimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve. Ai kundërshton mundësinë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në maqedonisht, si dhe kritikon qasjen që, sipas tij, synon të paraqitet para Komisionit të Venecias si avancim i të drejtave gjuhësore. Ai gjithashtu u bën thirrje institucioneve dhe faktorëve ndërkombëtarë që të angazhohen për zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Më poshtë ju sjellim të plotë letrën e hapur të Ali Ahmetit drejtuar ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari:

LETËR E HAPUR
Drejtuar ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari
I nderuar ministër Shasivari,
Po ju drejtohem publikisht për një çështje që tejkalon çdo mosmarrëveshje politike apo institucionale! Një çështje që qëndron përtej normave interpretuese ligjore, të cilat ju, me apo pa dashje, keni tendencë t’i izoloni dhe kufizoni.
Bëhet fjalë për të drejtat gjuhësore të shqiptarëve, për respektimin e rendit juridik të vendit dhe për zbatimin e një të drejte të fituar me shumë sakrificë, rezistencë politike dhe përpjekje institucionale.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2018 dhe i hyrë në fuqi në vitin 2019, përfaqëson një akt dhe arritje të rëndësishme në përmbushjen e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve, në përputhje me Amendamentin V të Kushtetutës dhe Marrëveshjen Paqësore të Ohrit, prej së cilës buron dhe me të cilën lidhet kjo e drejtë. Marrëveshja e Ohrit është njëherazi pikëkthesa dhe gurthemeli i përfshirjes juridike dhe institucionale të shqiptarëve në vend. Miratimi i këtij ligji nuk ka qenë aspak një proces i lehtë. Ai u arrit përmes një përpjekjeje të gjatë politike, e cila u përball me rezistencën e vazhdueshme të qarqeve të caktuara politike maqedonase.
Ky ligj nuk është një akt deklarativ dhe as një dokument, zbatimi i të cilit varet nga vullneti apo disponimi i përditshëm i bartësve të pushtetit. Ky është ligj në fuqi, i cili krijon detyrime të qarta për institucionet shtetërore. Prandaj, pas hyrjes së tij në fuqi, shteti kishte dhe vazhdon ta ketë detyrimin të sigurojë të gjitha parakushtet për zbatimin e tij të plotë: kapacitetet institucionale, resurset njerëzore dhe financiare, si dhe mekanizmat funksionalë mbikëqyrës.
Për fat të keq, gjatë më shumë se dy vjetëve të kësaj qeverisjeje, po vërehet një tendencë shqetësuese e tkurrjes së të drejtave kolektive të shqiptarëve, veçanërisht e të drejtave gjuhësore. Dobësimi i pozitës juridike dhe institucionale të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, përmes heqjes së statusit të personit juridik, si dhe margjinalizimi i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, janë tregues dhe dëshmi të kësaj qasjeje cunguese brenda sistemit.
Në këtë kontekst, çështja e provimit të jurisprudencës dhe e provimeve të tjera shtetërore profesionale në gjuhën shqipe është bërë një test serioz për respektimin e ligjit dhe barazinë e qytetarëve.
Zoti ministër, këtu nuk ka asnjë paqartësi ligjore që mund të shërbejë si arsyetim për mohimin e kësaj të drejte.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e rregullon qartë këtë çështje.
Neni 1, paragrafi 3, përcakton se gjuha shqipe dhe alfabeti i saj, krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, është gjuhë zyrtare në institucionet qendrore, agjencitë, drejtoritë, komisionet dhe institucionet e tjera të përcaktuara me ligj. Kjo dispozitë përfshin edhe Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Neni 2 garanton të drejtën e çdo qytetari për të përdorur cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe alfabetet e tyre në të gjitha procedurat para institucioneve shtetërore, ndërsa institucionet kanë detyrimin ligjor të mundësojnë zhvillimin e procedurave në atë gjuhë.
Neni 6, paragrafi 1, e konkretizon edhe më tej këtë detyrim, duke përcaktuar se institucionet, sipas detyrës zyrtare, duhet të sigurojnë përdorimin e gjuhës zyrtare, komunikimin dhe zhvillimin e procedurave në atë gjuhë që e flet së paku 20 për qind e qytetarëve, kur këtë gjuhë e përdor personi apo pjesëmarrësi në procedurë.
Ndërkaq, neni 23, paragrafët 4 dhe 5, përcakton detyrimin për harmonizimin e dispozitave gjuhësore të ligjeve të tjera me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe, në rast mospërputhjeje, i obligon organet që të zbatojnë dispozitat e këtij ligji.
Pra, kemi të bëjmë me një rregullim dhe përcaktim të qartë ligjor, i cili mbështetet edhe në parimin juridik lex specialis derogat legi generali. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është ligj i posaçëm për çështjet gjuhësore dhe dispozitat e tij kanë përparësi në zbatim ndaj dispozitave të tjera ligjore që rregullojnë të njëjtën materie.
Prandaj, dua ta bëj të qartë edhe një herë: provimi i jurisprudencës duhet të jepet edhe në gjuhën shqipe. Çdo zgjidhje tjetër, e cila do ta kufizonte apo do ta kushtëzonte përdorimin e gjuhës shqipe në këtë provim, është në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Nuk ka hapësirë për interpretime jo-juridike apo politike, improvizime institucionale apo zgjidhje të pjesshme aty ku ligji e ka përcaktuar qartë të drejtën dhe detyrimin për zbatimin e saj.
Dua të theksoj edhe një aspekt tjetër thelbësor: provimi i jurisprudencës është provim profesional për vlerësimin e njohurive juridike, e jo test për njohjen e gjuhës maqedonase. Studentët shqiptarë që kanë ndjekur studimet juridike në gjuhën shqipe në universitete të akredituara në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk mund të vendosen në pozitë të pabarabartë në momentin kur ushtrojnë të drejtën e tyre për qasje në provimin profesional. Njohja e gjuhës maqedonase mund të verifikohet përmes mekanizmave të veçantë të certifikimit gjuhësor, por nuk mund të përdoret si pengesë për ushtrimin e një të drejte të garantuar me ligj.
Këtë nuk e themi vetëm ne, si Bashkim Demokratik për Integrim, si bartës të përgjegjësisë politike dhe institucionale për miratimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Këtë e ka konstatuar edhe vetë Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, i cili ka evidentuar shkeljen e ligjit nga Ministria e Drejtësisë lidhur me kërkesat e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera në gjuhën shqipe.
Ky konstatim institucional duhet të ishte pikënisje për korrigjimin e shkeljes, e jo për përpjekje që të gjendet një mënyrë për ta relativizuar atë.
Prandaj, ajo që po përgatitet të prezantohet para Komisionit të Venecias është veçanërisht shqetësuese.
Kemi informacione se gjatë kësaj jave po zhvillohen takime koordinuese në Ministrinë e Drejtësisë, në të cilat përfshihen edhe Inspektorati dhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, me qëllim që të menaxhohen pakënaqësitë institucionale dhe të krijohet një qëndrim i përbashkët në favor të propozim-zgjidhjes së Qeverisë.
Sipas këtyre informacioneve, synohet që para përfaqësuesve të Komisionit të Venecias të prezantohet si një hap përpara një zgjidhje sipas së cilës provimi i jurisprudencës do të zhvillohej pjesërisht në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në gjuhën maqedonase.
Dua të jem shumë i qartë: një zgjidhje e tillë nuk është hap përpara. Ajo është prapakthim, degradim i një të drejte të fituar dhe, nëse paraqitet si avancim i të drejtave gjuhësore, përbën akt tradhtie ndaj shqiptarëve dhe ndaj vetë Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Nuk mund të quhet përparim një zgjidhje që, në vend se ta zbatojë ligjin, e kufizon atë. Nuk mund të paraqitet si kompromis evropian një propozim që cenon një të drejtë të garantuar me ligj. Dhe nuk mund të kërkohet legjitimitet ndërkombëtar për një zgjidhje që bie ndesh me rendin juridik të vendit.
Komisioni i Venecias nuk duhet të shërbejë si mbulesë për shmangien e detyrimeve ligjore të institucioneve shtetërore. Përfaqësuesve të tij duhet t’u prezantohet gjendja e plotë juridike, dispozitat konkrete të ligjit dhe konstatimet e organit kompetent të inspektimit, e jo një zgjidhje politike e maskuar si përparim institucional.
Po ju rikujtoj se kjo çështje nuk është e shkëputur nga një zhvillim më i gjerë shqetësues. Paralelisht me këto veprime në ekzekutiv, po zhvillohen edhe procese në Gjykatën Kushtetuese që prekin drejtpërdrejt pozitën juridike të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Amendamenti V i Kushtetutës përcakton qartë se në institucionet e pushtetit shtetëror, ligjvënësi përcakton me ligj mënyrën dhe fushëveprimin e përdorimit zyrtar të gjuhës tjetër zyrtare krahas gjuhës maqedonase. Ky autorizim kushtetues i takon Kuvendit dhe është ushtruar përmes miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Çdo përpjekje për ta dobësuar këtë ligj, përmes veprimeve ekzekutive, interpretimeve selektive apo zgjidhjeve të reja ligjore që e kufizojnë zbatimin e tij, duhet të shihet me shqetësim të madh. Kjo nuk është çështje e një provimi apo e një procedure të vetme. Është çështje e sigurisë juridike, e barazisë së qytetarëve dhe e respektimit të marrëveshjes politike dhe kushtetuese mbi të cilën është ndërtuar bashkëjetesa dhe funksionimi i shtetit.
Është po ashtu e rëndësishme që debati publik për të drejtat gjuhësore të mbështetet në dispozitat konkrete të ligjit dhe jo në interpretime që e ngushtojnë fushëveprimin e tij. Pretendimet e disa përfaqësuesve të VLEN-it se gjuha juridike e gjykatave është vetëm gjuha maqedonase nuk qëndrojnë përballë përcaktimeve të qarta të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Neni 9 i këtij ligji përcakton përdorimin e gjuhës shqipe krahas gjuhës maqedonase edhe në këtë fushë. Prandaj, i ftoj të gjithë përfaqësuesit politikë që, përpara se të japin deklarata publike për këtë çështje, t’i konsultojnë me përgjegjësi dispozitat ligjore. Nëse nuk mund të kontribuojnë në avancimin e të drejtave gjuhësore, së paku nuk duhet të bëhen pjesë e proceseve që i cenojnë dhe i relativizojnë ato. BDI-ja do të vazhdojë të angazhohet me vendosmëri, përmes mjeteve politike dhe institucionale, për mbrojtjen e këtyre të drejtave, në interes të barazisë, dinjitetit të qytetarëve dhe respektimit të rendit kushtetues e juridik të vendit.
Zoti ministër Shasivari,
Ju bëj thirrje që të tregoni përgjegjësi politike, institucionale dhe kombëtare. Të hiqni dorë nga çdo përpjekje për të tkurrur të drejtat gjuhësore të shqiptarëve dhe të ndalni iniciativat që synojnë relativizimin dhe degradimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Ju bëj thirrje që të mos manipuloni me pritjet e opinionit publik dhe të mos prezantoni para Komisionit të Venecias zgjidhje që janë në kundërshtim me ligjin në fuqi, duke i paraqitur ato si avancim të të drejtave gjuhësore.
Ju bëj thirrje që Ministria e Drejtësisë, në vend se të kërkojë mënyra për ta kufizuar një të drejtë ligjore, të marrë përgjegjësinë për zbatimin e saj të plotë, duke mundësuar organizimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, ashtu siç e kërkon ligji.
Gjithashtu, kërkoj që Qeveria të sigurojë zbatimin e plotë dhe konsekuent të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha organet dhe institucionet që ushtrojnë autorizime publike.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk është çështje e vullnetit të një ministri, të një qeverie apo të një shumice parlamentare. Ai është ligj në fuqi dhe duhet të zbatohet.
Çdo zgjidhje në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës që bie ndesh me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve nuk mund të prodhojë një bazë të qëndrueshme juridike dhe vetëm sa do ta thellojë pasigurinë juridike të qytetarëve.
Shteti i së drejtës nuk ndërtohet duke negociuar zbatimin e ligjeve sipas interesave të pushtetit, por duke i respektuar ato me konsekuencë dhe pa përjashtim.
Ne nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë zbatimin e ligjit. Në këtë rast nuk po kërkojmë të drejta të reja. Kërkojmë respektimin e të drejtave që tashmë janë garantuar dhe fituar me sakrificë.
Të drejtat gjuhësore nuk janë pronë e asnjë partie politike dhe nuk mund të jenë objekt pazari për asnjë qeveri. Ato janë të drejta të qytetarëve dhe obligim i shtetit.
Për të gjitha këto shqetësime, që lidhen jo vetëm me zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, por edhe me cenimin e të drejtave tona kolektive që burojnë nga Marrëveshja Paqësore e Ohrit, i drejtohemi hapur edhe garantuesve ndërkombëtarë të kësaj marrëveshjeje: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë. Besojmë se respektimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe i të drejtave që burojnë prej saj është përgjegjësi e përbashkët dhe një garanci thelbësore për barazinë, stabilitetin dhe perspektivën euroatlantike të vendit.
Me respektin institucional që kërkon kjo përgjegjësi, por edhe me vendosmërinë që kërkon mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve,
Ali Ahmeti
Kryetar i BDI-së
Continue Reading

Lajme

Pas reagimit të këshilltarëve shqiptarë, tabela në parkun “Oaza e Butelit” vendoset edhe në gjuhën shqipe

Tabela në hyrje të parkut “Oaza e Butelit”, në Komunën e Butelit, tashmë është vendosur edhe në gjuhën shqipe, pas reagimeve të këshilltarëve të Frontit Evropian dhe VLEN-it.

Çështja u ngrit më 3 nëntor, pasi në hyrje të parkut ishte vendosur një tabelë vetëm në gjuhën maqedonase. Këshilltarët e AKI-së kërkuan që mbishkrimi të jetë dygjuhësh, ndërsa grupi i këshilltarëve të VLEN-it dorëzoi kërkesë zyrtare në komunë për vendosjen e emrit edhe në shqip.

Kërkesa e VLEN-it përfshinte edhe respektimin e dygjuhësisë në tabelat, sheshet, rrugët dhe hapësirat publike ku kjo parashihet me ligj.

Pas këtyre reagimeve, sot është vendosur një tabelë me mbishkrimin “Oaza e Butelit”, krahas emërtimit në gjuhën maqedonase, siç shihet edhe në fotografinë e publikuar. Sipas informacioneve, tabela është vendosur nga vet qytetarët dhe jo autoritet komunale.

Continue Reading

Lajme

Taravari: S’kanë faj VLEN-i, ata janë si kukulla në Qeveri

Arben Taravari në Click Plus, duke folur për Alta Banka, kritikoi ashpër përfaqësuesit e VLEN-it në Qeveri.

“S’kanë faj VLEN-i. As që e kanë ditur për Alta Banka. Aq dinë, aq marrin vesh, aq kuptojnë. Ata janë si kukulla në qeveri”, deklaroi Taravari.

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme1 hour ago

Ahmeti letër të hapur Shasivarit: Mos i kufizoni të drejtat gjuhësore të shqiptarëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i është drejtuar me një letër të hapur ministrit të Drejtësisë,...

Lajme1 hour ago

Pas reagimit të këshilltarëve shqiptarë, tabela në parkun “Oaza e Butelit” vendoset edhe në gjuhën shqipe

Tabela në hyrje të parkut “Oaza e Butelit”, në Komunën e Butelit, tashmë është vendosur edhe në gjuhën shqipe, pas...

Lajme14 hours ago

Taravari: S’kanë faj VLEN-i, ata janë si kukulla në Qeveri

Arben Taravari në Click Plus, duke folur për Alta Banka, kritikoi ashpër përfaqësuesit e VLEN-it në Qeveri. “S’kanë faj VLEN-i....

Lajme14 hours ago

Pasholli: VLEN dje festoi për shqipen, ndërsa sot Bekim Sali foli maqedonisht në Kuvend

Deputetja e BDI-së, Arban Pasholli, ka kritikuar mënyrën e përdorimit të gjuhëve nga zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, gjatë mbledhjes...

Lajme14 hours ago

Mimoza Musa: Funksionarët e BDI-së kanë komunikuar mes vete në gjuhën maqedonase

Deputetja dhe nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa i është kundërpërgjigjur kritikave të deputetes së BDI-së, Arban Pasholli lidhur me përdorimin...

Lajme15 hours ago

Kasami: Gjuha shqipe nuk është zyrtare, qëndrimi i BDI-së është dyftyrësh

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka deklaruar se gjuha shqipe nuk ka status zyrtar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut,...

Lajme18 hours ago

Apeli vërteton burgimin e përjetshëm për Naim Murselin

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës për vrasjen e Liridona...

Lajme18 hours ago

30 stacione, asnjë komandant shqiptar – shifrat ekspozojnë diskriminimin në përfaqësim

Në asnjë nga rreth 30 stacionet e Policisë Pyjore nuk kemi komandant apo zëvendëskomandant shqiptar. Vallë, shqiptarët nuk janë të...

Lajme18 hours ago

Shqiptari që hakoi GTA 6 dënohet me 7 vjet burg, por lirohet menjëherë, gjykatësi i dha një porosi të veçantë

Hakeri shqiptar i cili kishte vjedhur 90 video nga loja Grand Theft Auto VI (GTA 6) është dënuar me shtatë...

Lajme18 hours ago

Sulm në Shkup: Baba dhe djali sulmojnë mjek dhe infermierë për transport pacienti me kancer

Një sulm i ashpër ndodhi në Shkup, kur një baba dhe djali i tij sulmuan fizikisht një mjek dhe një...

Trending