Lajme
Policia izraelite nuk lejon hyrjen e mijëra palestinezëve në Al-Aksa për të falur namazin e xhumasë
Mijëra palestinezë që donin të falnin namazin e xhumasë në xhaminë Al-Aksa në Qytetin e Vjetër të Kudsit Lindor të pushtuar u ndaluan nga policia izraelite, raporton Anadolu.
Pavarësisht lehtësimit të kufizimeve të gjendjes së jashtëzakonshme të vendosura nga Izraeli pas sulmeve të gjera ndaj Iranit, Izraeli nuk lejoi mijëra palestinezë që ishin mbledhur në Al-Aksa për faljen e xhumasë.
Dëshmitarët thanë se policia izraelite lejoi rreth 450 palestinezë të hyjnë në Al-Aksa për faljen e xhumasë. Izraeli lehtësoi kufizimet e gjendjes së jashtëzakonshme të vendosura pas sulmeve të gjera ndaj Iranit të mërkurën në mbrëmje më 13 qershor.
Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit njoftoi javën e kaluar se policia izraelite nuk ka lejuar palestinezët të falen në Al-Aksa si pjesë e gjendjes së jashtëzakonshme.
– “Status quo”-ja në lidhje me xhaminë Al-Aksa
Jordania konsiderohet vendi përgjegjës për çështjet fetare në Kuds, në përputhje me marrëveshjen “Wadi Araba” të nënshkruar me Izraelin në vitin 1994.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes mbretit Abdullah II të Jordanisë dhe presidentit palestinez Mahmoud Abbas në vitin 2013, e drejta për mbrojtjen dhe kujdestarinë e Kudsit dhe vendeve të shenjta atje sërish iu dha Jordanisë.
Xhamia Al-Aksa, sipas marrëveshjes, është nën kujdesin e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit, e cila është e lidhur me Ministrinë e Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta të Jordanisë.
Hebrenjtë të cilët më parë vizitonin Al-Aksën me lejen e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit, që nga viti 2003 e deri më sot ata nën shoqërimin e policisë hyjnë në vendet e shenjta në kuadrin e vendimit të njëanshëm të Izraelit, i cili shkel sovranitetin e Administratës së Vakëfeve.
Izraeli mbron idenë se po ruhet “status quo”-ja historike në Al-Aksa në të cilën “mund të kryejnë adhurime vetëm muslimanët ndërsa anëtarët e feve të tjera vetëm mund të kryejnë vizita”.
Por, kolonët fanatikë hebrenj janë kapur shpesh në kamera duke u lutur dhe duke kryer rituale fetare gjatë bastisjeve në Al-Aksa nën mbrojtjen e policisë izraelite.
Lajme
Vuçiq ofron të organizojë varrimin në Serbi të “Kasapit të Bosnjës”
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka ofruar që Serbia të organizojë varrimin e kriminelit të dënuar serb të luftës të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i njohur gjerësisht si “Kasapi i Bosnjës”, i cili vdiq të enjten në Hagë, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi RTS, Vuçiq u tha gazetarëve se nëse familja e Mlladiqit dëshiron që ai të varroset në Serbi, shteti do të organizojë procedurat.
Megjithatë, ai shtoi se ende nuk është konfirmuar asgjë, duke theksuar se janë dërguar ekipe për të ndihmuar me çështjet logjistike.
“Nuk mund të them asgjë më shumë për momentin, sepse nuk kemi marrë asgjë nga Haga”, tha Vuçiq.
Më pas, ai pretendoi se Haga “donte që Mlladiq të vdiste pas hekurave”.
“Tani kemi parë se Haga donte që Mlladiq të vdiste pas hekurave, nuk donin ta linin gjeneralin të vdiste në Serbi, të vdiste aty ku dëshironte, kjo është sjellje anti-civilizuese, sjellje pa precedent dhe pa justifikim”, tha Vuçiq.
Mlladiq vdiq të enjten në moshën 85-vjeçare derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Hagë.
Në qershor të vitit 2021, Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual i OKB-së për Gjykatat Penale la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm të Mlladiqit për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë Luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995.
Ai u shpall fajtor për 10 nga 11 akuzat, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen, shfarosjen, vrasjen, dëbimin, transferimin me forcë, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe marrjen peng të personelit të OKB-së.
Më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, në një masakër të njohur si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.
Mlladiq iu shmang drejtësisë për gati 16 vjet pas luftës. Ai u arrestua në maj të vitit 2011 në fshatin serb Lazarevo, pranë qytetit verior Zrenjanin dhe më pas u transferua në Hagë.
Arrestimi i tij prej kohësh ka qenë një nga kushtet kryesore për përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Lajme
A do të lirohet dizeli nën 100 denarë nga e hëna?
Pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të derivateve këtë javë, lëvizjet në bursat botërore po tregojnë një trend të kundërt. Nëse nuk ka zhvillime të reja gjeopolitike, të hënën Komisioni Rregullator për Energjetikë (RKE) mund të vendosë për ulje të çmimeve, me mundësi që ulja të jetë më e theksuar te dizeli.
Nafta Brent e mbyll javën rreth 89 dollarë për fuçi, rreth 5,3 për qind më lirë krahasuar me javën e kaluar. Ndërkohë, nafta amerikane WTI ka shënuar rënie prej rreth 4,3 për qind.
Kjo vjen pas rritjes së çmimeve të vendosur nga RKE më 24 gusht. Dizeli u shtrenjtua me 3,50 denarë dhe aktualisht shitet me çmim maksimal prej 101,50 denarë për litër. Benzina BS-95 u rrit në 93 denarë, ndërsa BS-98 në 95 denarë për litër.
Në favor të një uljeje të mundshme është edhe dobësimi i dollarit. Kursi i tij këtë javë ka lëvizur kryesisht mes 52,6 dhe 52,8 denarë, krahasuar me kursin mesatar prej 52,9935 denarë që RKE përdori në llogaritjen e mëparshme.
Sipas lëvizjeve aktuale të tregut, dizeli mund të lirohet për rreth 1,5 deri në 2 denarë për litër, ndërsa te benzina mund të ketë një ulje më të moderuar. Megjithatë, këto janë vetëm vlerësime dhe jo llogaritje zyrtare të RKE-së.
Tregu mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme, veçanërisht situatës rreth Iranit dhe Ngushticës së Hormuzit. Çdo zhvillim i ri mund të ndikojë në lëvizjen e çmimeve.
RKE pritet ta bëjë llogaritjen e rregullt të hënën, ndërsa çmimet e reja zakonisht hyjnë në fuqi nga e marta në orën 00:01.
Lajme
Pakënaqësi në Telekom: Drejtori prej një muaji nuk paraqitet në punë, ndërsa paguhet rreth 20 mijë euro në muaj
Pakënaqësi ndaj drejtorit aktual të . Një pjesë e strukturave drejtuese janë të revoltuara për shkak të mungesës së drejtorit të përgjithshëm, Goran Markoviq, i cili, sipas tyre, prej rreth një muaji nuk është paraqitur në vendin e tij të punës në Shkup.
Sipas informacioneve të siguruara nga A1on përmes burimeve brenda kompanisë, Markoviq gjatë rreth 30 ditëve të fundit nuk është paraqitur asnjëherë në selinë e Telekomit të Maqedonisë. Sipas të njëjtave burime, gjatë kësaj periudhe ai ndodhet në Mal të Zi, prej nga edhe e ka origjinën.
Ajo që ka shkaktuar veçanërisht revoltë te një pjesë e drejtuesve është fakti se, gjatë mungesës së drejtorit të përgjithshëm, pjesën më të madhe të detyrimeve dhe përgjegjësive të punës e kanë marrë përsipër drejtuesit e tjerë të kompanisë.
Pakënaqësi shtesë, sipas burimeve, shkakton edhe lartësia e kompensimit të tij mujor. Sipas informacioneve të transmetuara nga burime brenda kompanisë, Goran Markoviq merr të paktën 20 mijë euro në muaj.
Në krahasim me të, të ardhurat mujore të drejtuesve të tjerë në Telekomin e Maqedonisë janë dukshëm më të ulëta, gjë që, sipas burimeve të njëjta, e rrit edhe më tej pakënaqësinë brenda kompanisë.
Markoviq është drejtor i përgjithshëm i Telekomit të Maqedonisë. Mungesa e tij më e gjatë nga selia e kompanisë nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai nuk i kryen formalisht detyrimet e tij. Megjithatë, mënyra se si është organizuar puna gjatë periudhës së mungesës së tij është bërë shkak për pakënaqësi te një pjesë e strukturave drejtuese.
Sipas burimeve brenda kompanisë, në Telekomin e Maqedonisë veçanërisht komentohet diferenca e madhe mes kompensimit të drejtorit të përgjithshëm dhe të ardhurave të drejtuesve dhe punonjësve të tjerë, ndërsa barra e funksionimit të përditshëm të kompanisë gjatë mungesës së tij bie mbi anëtarët e tjerë të menaxhmentit.
Pretendimet për mungesën e drejtorit dhe shumën e kompensimit të tij nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga kompania.
-
Lajme9 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme9 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
