Lajme
Bujar Osmani: Mickoski dëshiron të mos ekzistojë BDI-ja, për t’u fshirë rrënjët e luftës shqiptare për barazi
Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, nga një takim me qytetarët përcolli një mesazh të fuqishëm për kthesën politike dhe kombëtare që pritet në nëntor. Në fjalën e tij, Osmani paralajmëroi se pas strategjisë politike të VMRO-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit nuk qëndron vetëm ndërrimi i pushtetit, por përpjekja për të fshirë gjithçka që përfaqëson trashëgimi historike dhe vlerore e shqiptarëve.
“Mickoski dëshiron që BDI-ja të fshihet nga skena politike. Pse? Sepse dëshiron të fshihen vlerat e BDI-së, trashëgimia e BDI-së, rrënjët e BDI-së. E ato rrënjë kanë degë që do të zgjasin për breza dhe shekuj. Dhe çdo i ri, edhe nëse harron çfarë ka ndodhur historikisht, do të ketë një nerv brenda vetes: si filloi ky rrugëtim për rikthimin e dinjitetit”, tha Osmani.
Sipas Osmanit, beteja që vjen është përplasja e dy vizioneve: njëra që dëshiron të fshijë dinjitetin shqiptar dhe tjetra që synon ta ruajë dhe ta forcojë atë. Ai paralajmëroi se zgjedhjet në tetor do të jenë një test i pjekurisë historike për secilin individ:
“Në tetor, secili prej nesh do të jetë para një testi: ose do ta legjitimojë politikën e marrjes së sovranitetit, tapinë e shtëpisë, statusin e zotit të saj, ose do ta pranojë rolin e shërbëtorit. Kjo varet nga ju, vëllezër e motra”, tha Osmani.
Osmani theksoi përgjegjësinë që ka secili qytetar si ruajtës i vlerave të fituara me dekada të tëra luftë. Ai i bëri thirrje njerëzve të mos jenë indiferentë, por të mendojnë seriozisht për zgjedhjen që sjell vota e tyre:
“Unë vetëm dua që secili prej jush të ndajë pak kohë dhe të mendojë për përgjegjësinë e madhe që do të bjerë mbi supet tona në tetor. Bisedoni në shtëpi, me miqtë tuaj: a do të lejojmë të na merret e drejta për të vendosur? A do të lejojmë të na poshtërohet gjuha?”
Në fund, Osmani iu drejtua emocioneve dhe kujtesës historike të komunitetit të tij:
“Kur të qëndroni para kutisë së votimit, mendoni për gjakun dhe djersën që janë derdhur për këtë dinjitet, që të respektohemi si zot të shtëpisë sonë. Dhe vendosni: cili do të jetë akti juaj që do të mbahet mend për breza”, përfundoi Osmani.
Lajme
Nga 1 dhjetori, kontrolle dhe kritere të reja për pushimin mjekësor!
Nga 1 dhjetori 2026, në Maqedoninë e Veriut do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për hapjen dhe vazhdimin e pushimit mjekësor. Ndryshimet parashikojnë kritere shtesë mjekësore për përcaktimin e paaftësisë së përkohshme për punë, në varësi të diagnozës dhe kohëzgjatjes së mungesës.
Sipas rregullave të reja, mjekët amë do të vazhdojnë të kenë kompetencë për të miratuar pushim mjekësor deri në 15 ditë. Megjithatë, për mungesat që zgjasin më shumë se pesë ditë, do të zbatohen kritere shtesë mjekësore, të cilat do të përcaktohen në bazë të diagnozës së pacientit.
Ndërkaq, për pushimin mjekësor që tejkalon 15 ditë, vendimin do ta marrë komisioni mjekësor pranë Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH).
Ndryshimet janë përcaktuar në Rregulloren për mënyrën, procedurat dhe kriteret e përcaktimit të paaftësisë së përkohshme për punë, e publikuar në “Gazetën Zyrtare” nr. 254, më 30 tetor 2026.
Rregullorja është miratuar më 6 tetor nga Bordi i Drejtorëve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ndërsa zbatimi i saj do të nisë më 1 dhjetor të këtij viti.
Nga Fondi sqarojnë se ndryshimet nuk nënkuptojnë heqjen apo shkurtimin automatik të së drejtës për pushim mjekësor. Bëhet fjalë për ndryshimin e kritereve mjekësore mbi bazën e të cilave vlerësohet nëse një punonjës është përkohësisht i paaftë për të kryer detyrat e tij të punës.
Me rregullat e reja, synohet që vendimmarrja për pushimin mjekësor të bazohet në kritere më të përcaktuara, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore dhe diagnozën e secilit pacient.
Lajme
Apeli konfirmon Taravarin në krye të ASH-së! Përfundon beteja gjyqësore për vulat dhe drejtimin e partisë
Gjykata e Apelit në Gostivar ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore të Tetovës, duke njohur Arben Taravarin si kryetar legjitim të Aleancës për Shqiptarët dhe duke lënë në fuqi ndryshimet statutare të miratuara në Kongresin e 4-të të Jashtëzakonshëm. Me këtë vendim, të datës 13 nëntor 2026, përfundon beteja disavjeçare gjyqësore mes dy krahëve të ASH-së për vulat dhe drejtimin e partisë, e cila nisi në vitin 2024 pas përçarjes mes Taravarit dhe Ziadin Selës.
Gjatë procesit, Gjykata e Tetovës kishte marrë disa vendime, të cilat Apeli i kishte kthyer në rigjykim, derisa në mars të vitit 2026 vendosi në favor të Taravarit. Ky vendim tashmë është konfirmuar nga shkalla e dytë, ndërsa Sela ndërkohë ka formuar subjektin e ri politik „Lidhja Shqiptare“.
Lajme
Adnan Azizi: Flamurin shqiptar nuk ka kush e prek, shpifjet e UDB-së nuk na lëkundin
Deputeti dhe eksponenti i lartë i VLEN-it, Adnan Azizi ka reaguar pas publikimit të disa SMS-ve në të cilat pretendohet se ai u ka kërkuar aktivistëve të mos vendosin flamujt shqiptarë në hapësirat publike.
Azizi i ka cilësuar këto mesazhe si shpifje të porositura nga opozita, duke mohuar çdo përpjekje për të penguar vendosjen e flamurit kombëtar.
“Shpifjet e UDB-së nuk e ulin flamurin shqiptar – vetëm zbulojnë frikën dhe dëshpërimin e opozitës! Këto shpifje të ulëta flasin qartë për gjendjen aktuale të opozitës: të zhytur në llum, pa ide, pa vizion, pa projekt. Vetëm shpifje, gënjeshtra dhe montazhe. Flamuri kombëtar do të valojë si gjithmonë dhe nuk ka kush e prek”, ka thënë Azizi.
Ai gjithashtu ka ftuar qytetarët që ta ngritin lart flamurin shqiptar, duke theksuar se ai do të vendoset edhe në institucionet shtetërore dhe lokale, aty ku parashihet me ligj.
“Ju ftoj ta ngritni shqipen lart, me krenari, ashtu siç do të ngritët në të gjitha institucionet shtetërore dhe lokale ku e parashikon ligji”, ka theksuar Azizi.
-
Lajme1 year agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle3 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme3 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme12 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 month agoÇmimi i naftës shënon rënie
