Lajme
Bujar Osmani njoftoi: “Kartela e Artë” për jetë më të lirë, barna më të lira dhe më shumë respekt për të moshuarit!
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, e prezantoi programin “Me zemër për të moshuarit”, i fokusuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së pensionistëve përmes ndihmës financiare direkte dhe kujdesit sistematik. Programi parasheh tre masa kryesore për përmirësimin e sigurisë ekonomike të personave të moshuar: mbështetje mujore financiare, subvencione për qëndrimin në shtëpi të të moshuarve dhe një kartë zbritjeje në farmaci dhe markete.
“Së pari, do t’i mbështesim financiarisht personat e moshuar. Parashikojmë ndihmë për të gjithë pensionistët me të ardhura të ulëta, për ata që më së shumti e ndiejnë peshën e muajit. Në dy vitet e para të mandatit do të fillojmë me 2.500 denarë për pensionistët me të ardhura minimale, me synim që kjo mbështetje të arrijë deri në 5.000 denarë”, deklaroi Osmani.
Masa e dytë parasheh mbështetje për kujdesin dinjitoz të personave të moshuar që nuk kanë përkrahje familjare ose jetojnë në kushte të vështira materiale, duke përfshirë edhe mundësinë për akomodim të subvencionuar në shtëpi të të moshuarve, nëse kjo është nevojë apo zgjedhje e tyre.
“Do të sigurojmë subvencione për qëndrimin në shtëpitë e të moshuarve për ata me të ardhura më të ulëta. Asnjë pensionist nuk duhet të mbetet pa mbështetje, as pa një vend ku do të ndihet i sigurt dhe i përkujdesur”, theksoi Osmani.
Masa e tretë e programit ka të bëjë me kartën “Vitet e Arta”, e cila do të sigurojë zbritje në farmaci dhe gjatë blerjes së produkteve të përditshme, përmes partneriteteve me bizneset lokale dhe rrjetet e marketeve.
“Me këtë kartë do t’ua ulim barrën e shpenzimeve më të rëndësishme – atyre shëndetësore dhe bazike. Ajo do të jetë simbol i respektit dhe kujdesit nga komuna për çdo pensionist”, tha Osmani.
Në fjalimin e tij, Osmani theksoi se në Çair jetojnë mbi 7.400 pensionistë, që përbëjnë më shumë se 15% të popullsisë së rritur.
Ai shtoi se ky program është rezultat i punës së tij shumëvjeçare me personat e moshuar dhe se qëllimi i tij është të sigurojë pleqëri dinjitoze dhe siguri ekonomike për çdo pensionist në Çair.
Lajme
Vjedhje prej 5 milionë eurosh në një nënstacion hekurudhor në Shkup
Në nënstacionin për tërheqje elektrike në Draçevë, mes stacioneve hekurudhore Lisiçe dhe Draçevë, është kryer një vjedhje e përmasave të mëdha, gjatë së cilës është shkatërruar një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve elektroenergjetike, njoftoi Ndërmarrja për Infrastrukturë Hekurudhore.
Sipas informacioneve, hajdutët kanë rrëzuar me forcë dy transformatorë me peshë mbi 30 tonë, kanë derdhur vajin e transformatorëve dhe kanë vjedhur mbështjelljet e bakrit, si dhe tela bakri, shina dhe pajisje të tjera të domosdoshme për funksionimin e nënstacionit, i cili tani është plotësisht jashtë funksionit.
Nga ndërmarrja vlerësojnë se bëhet fjalë për një sulm serioz ndaj infrastrukturës kritike hekurudhore, me një dëm material të vlerësuar fillimisht rreth 5 milionë euro. Ata kërkojnë një hetim urgjent dhe përgjegjësi penale për autorët dhe për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në vjedhje dhe në tjetërsimin e mëtejshëm të materialeve të vjedhura.
Lajme
Ministri i Shëndetësisë: Uji në Gostivar ende nuk është i sigurt
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, gjatë vizitës në Spiatalin Special për Sëmundjet e Mushkërive dhe Tuberkulozin në Leshkë të Tetovës bëri të ditur se situata me helmimin nga uji në Gostivar po përmirësohet dhe se kriza ka hyrë në një fazë qetësimi. Sipas të dhënave të fundit, numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore është ulur ndjeshëm. Gjatë ditës janë regjistruar 80 raste të reja, që është rreth dy herë më pak krahasuar me ditët paraprake, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve arrin rreth 4 mijë persona. Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente tashmë kanë nisur një analizë të plotë epidemiologjike, me qëllim përcaktimin e saktë të zhvillimit të situatës dhe ndarjen e rasteve të shkaktuara nga epidemia prej rasteve të zakonshme të gastroenteritit. Megjithëse numri i pacientëve është në rënie, uji nga rrjeti i ujësjellësit të Gostivarit ende nuk lejohet të përdoret as për qëllime teknike, pasi analizat e fundit kanë treguar nivel të pamjaftueshëm të klorit.
SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Siguria e ujit vlerësohet edhe përmes sasisë së klorit që përmban ai, por ende nuk është arritur niveli i kërkuar. Aktualisht po kryhen analiza të vazhdueshme në disa pika të ndryshme dhe, sapo klorinimi të arrijë nivelin e duhur, do të jepet leja për përdorimin e ujit teknik”.
Duke iu referuar informacioneve se edhe uji në Leshkë është i papërshtatshëm për konsum dhe nuk duhet të pihet, Klekovski tha se kjo situatë nuk është e re dhe nuk është mbajtur e fshehtë. Sipas tij, problemi në këtë zonë vazhdon prej më shumë se një dekade.
SASHO KLEKOVSKI ,MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Gjatë kësaj jave pritet të kryhen dy testime për të vërtetuar se uji nga ujësjellësi nuk do të jetë më vetëm për përdorim teknik, por do të jetë i përshtatshëm edhe për pije, si për spitalin ashtu edhe për të gjithë banorët e zonës”.
Ndërkohë, ditët e fundit nga opozitarja LSDM kanë deklaruar se rasti i Gostivarit nuk është një rast i izoluar, por pasqyron dobësi sistemore dhe mungesë efikasiteti të institucioneve. Duke u thirrur në një raport të siguruar nga sinjalizues, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se uji në Spitalin Special për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkuloz në Leshkë ka qenë i ndotur. Ai kërkoi kontroll të jashtëzakonshëm urgjent dhe analiza të të gjitha sistemeve të furnizimit me ujë në vend. /SHENJA/
Lajme
2 turke arrestohen pasi i sulmuan policët në “Bit Pazar” të Shkupit
Më 24.07.2026 në orën 23:40, në zonën e Bit Pazarit, nëpunës policorë nga Stacioni Policor Bit Pazar i privuan nga liria B.D. (23) dhe E.D. (54), të dyja nga Turqia me qëndrim të rregulluar në Shkup, për shkak se kanë sulmuar fizikisht nëpunës policorë të cilët kanë kryer veprime zyrtare.
Të dy u ndaluan në stacion policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit kundër tyre do të ngrihet kallëzim përkatës.
-
Lajme8 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme8 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
