Lajme
VMRO-DPMNE humbi 140.000 vota, LSDM rreth 30.000 (TABELA)
Pas numërimit të 99% të votave, konfirmohet ajo që LSDM e kishte thënë më parë se, kjo qeveri, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM, në këto zgjedhje do të humbë një numër të madh votash. Kështu thuhet në komunikatën e LSDM-së, sipas të cilës, analizat krahasuese me rezultatet zgjedhore të vitit të kaluar, tregojnë se VMRO-DPMNE dhe ZNAM kanë humbur pothuajse një të tretën e votave të tyre.
“Rënia e VMRO-DPMNE-së është e jashtëzakonshme – 135.000 vota më pak, që përbëjnë 30.8% të votave, ndërsa ZNAM bie nga 56.200 në 38.034 vota, duke humbur 33% të mbështetjes dhe duke u cilësuar si humbësi më i madh. Në të kundërt, LSDM ka humbur vetëm 18% të votave, çka – duke pasur parasysh pjesëmarrjen më të ulët në zgjedhje – pothuajse nuk përbën humbje reale. Partia Levica, e cila dje gënjeu në mënyrë triumfaliste duke pretenduar se po bëhej lidere e opozitës, ka humbur po të njëjtin përqindje votash si LSDM, me një përmirësim të lehtë vetëm në nivel të qytetit të Shkupit. Në total, Levica ka 2.2 herë më pak vota se LSDM, gjë që tregon se deklaratat e euforike të Apasievit nuk kanë asnjë lidhje me realitetin”.
LSDM, thuhet më tej në komunikatë, kishte shpresuar në një rezultat më të mirë, por fakti që diferenca mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së është zvogëluar ndjeshëm, si dhe fakti që ZNAM, partia e lidhur me ta, ka pësuar një rënie dramatike, tregon se besimi ndaj pushtetit është në rënie të ndjeshme.
“Megjithatë, LSDM mbetet partia e dytë më e fortë në vend. Sipas analizave, LSDM ka stabilizim dhe rritje të përqindjes së votave të fituara në shumicën e komunave, çka shihet si një trend pozitiv, ndërsa në një numër më të vogël komunash ka një rënie të lehtë, për të cilën pritet të bëhet analizë e detajuar dhe të merren masa për përmirësimin e rezultatit”.

Lajme
Ferati: Sfida e 25 viteve të ardhshme është t’u japim të rinjve arsye ta ndërtojnë të ardhmen këtu
Ministri Agon Ferati, i ftuar në emisionin “Rishtazi”, ka folur për nevojën që të rinjtë të kenë më shumë hapësirë, mundësi dhe rol aktiv në shoqëri.
Ai tha se ministria duhet të jetë më pranë rinisë dhe t’u krijojë mundësi konkrete për t’u përfshirë në projekte, iniciativa dhe aktivitete ku mund të shfaqin talentin dhe idetë e tyre.
Sipas Feratit, vendi ka një potencial të madh te të rinjtë, por shumë prej tyre ende nuk e gjejnë hapësirën që meritojnë.
“Të rinjtë duhet të dëgjohen”, theksoi ai, duke vënë në pah rëndësinë e përfshirjes së tyre edhe në proceset politike dhe vendimmarrëse. Për ministrin, krijimi i mundësive për zhvillim profesional dhe personal është një hap i rëndësishëm që të rinjtë të shohin të ardhmen e tyre në vend, në vend që të kërkojnë perspektivë jashtë tij.
Lajme
Aksion i madh policor në disa qytete! Gjashtë të arrestuar për kontrabandë me ilaçe
Një aksion i madh policor po zhvillohet në disa lokacione në Shkup, Çair, Tetovë dhe Gjevgjeli, në kuadër të një hetimi ndaj një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë dhe tregti të paligjshme me ilaçe, medikamente dhe suplemente, si dhe për vepra penale të lidhura me korrupsionin.
Sipas informacioneve fillestare dhe jozyrtare, deri më tani janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa policia është në kërkim të disa të tjerëve. Në mesin e të dyshuarve, sipas këtyre informacioneve, ka edhe persona të punësuar në Administratën Doganore.
Ekipet policore po kryejnë kontrolle në më shumë se dhjetë lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli.
Gjatë kontrolleve në subjekte juridike në Shkup dhe Tetovë, janë zbuluar magazina me lloje të ndryshme të barnave mjekësore. Në njërin prej objekteve është gjetur edhe një makinë për ekstraktimin e vajit.
Aksioni po zhvillohet nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar pranë Byrosë për Siguri Publike, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Lajme
Në Universitetin e Tetovës, fillon afati i tretë për regjistrimin e studentëve të rinj
Universiteti i Tetovës ka hapur afatin e tretë për regjistrimin e studentëve të rinj në ciklin e parë të studimeve për vitin akademik 2026/2027.
Sipas njoftimit të Universitetit të Tetovës, regjistrimet në këtë afat do të realizohen më 21 dhe 22 shtator, në programet studimore ku kanë mbetur vende të lira pas përfundimit të dy afateve të mëparshme.
Nga UT bëjnë të ditur se kandidatët e interesuar mund të aplikojnë për programet studimore në të cilat ende ka vende të lira, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në konkursin për regjistrim.
Afati i tretë u mundëson maturantëve dhe kandidatëve të tjerë që plotësojnë kriteret të bëhen pjesë e Universitetit të Tetovës në vitin e ri akademik.
Universiteti i Tetovës pritet që pas përfundimit të afatit të tretë të publikojë të dhënat për numrin e studentëve të regjistruar dhe programet studimore në të cilat janë plotësuar vendet e parapara.
-
Lajme10 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
