Lajme
Goditjet në tru, rreth 5 mijë raste të reja çdo vit
Goditja në tru mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë dhe paaftësisë afatgjatë në vend, ndërsa mjekët theksojnë se shumë raste mund të parandalohen me një stil jetese të shëndetshëm dhe me kontrolle të rregullta mjekësore. Me këtë rast Klinika Universitare e Neurologjisë në Shkup thotë se dita e hapur për qytetarët, ku u ofruan ekzaminime falas Doppler të arteries karotide, ka qenë e suksesshme.
Sipas të dhënave të Klinikës, çdo vit në Maqedoninë e Veriut regjistrohen rreth 5000 raste të reja të goditjeve në tru, ndërsa vendi renditet ndër shtetet me nivel mesatar të incidencës dhe prevalencës. “Kemi rreth 200 deri në 300 raste të goditjeve në tru për 100.000 banorë, ndërsa prevalenca është nga 500 deri në 600 për 100.000. Asnjë moshë nuk është e kursyer – goditja mund të ndodhë edhe në fëmijëri”, tha prof. dr. Anita Arsovska, shefe e Departamentit të Neurologjisë së Urgjencës në Klinikën Universitare të Neurologjisë. Ajo theksoi se reagimi i shpejtë është jetik, pasi çdo minutë ka rëndësi për shpëtimin e jetës dhe ruajtjen e funksioneve të trurit.
“Shenjat paralajmëruese janë të folurit e paqartë, shtrembërimi i fytyrës dhe paraliza në njërën anë të trupit – në krah ose këmbë. Pacienti duhet menjëherë të dërgohet në institucionin më të afërt shëndetësor, gjegjësisht në Klinikën e Neurologjisë”, theksoi Arsovska. Në Klinikë, tregon ajo, trajtohen madje pacientë mbi moshën 14 vjeç, ndërsa rastet e moshave të reja po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, sipas mjekëve.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ndërkohë ka përmendur rëndësinë e parandalimit dhe edukimit shëndetësor.
“Sistemi ynë shëndetësor nuk duhet parë vetëm si mekanizëm trajtimi, por edhe si sistem parandalimi. Ditë si kjo janë shumë të rëndësishme për informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi mënyrën si të njohin simptomat, stilin e jetesës që duhet ndjekur dhe dietën që ndihmon në shmangien e sëmundjeve”, thotë Aliu, ndërsa shton se është i impresionuar nga përkushtimi i stafit të Klinikës dhe përmirësimet e brendshme që janë bërë për të optimizuar shërbimet neurologjike.
“Në një kohë të shkurtër, drejtoria ka arritur të organizojë një ngjarje të tillë ndërgjegjësuese dhe të modernizojë proceset e punës”, shtoi ai, ndërsa ka apeluar që kujdesi për trurin duhet të jetë pjesë e përditshmërisë sonë, pasi parandalimi fillon me ne – me ushqimin e shëndetshëm, aktivitetin fizik, kontrollin e tensionit dhe shmangien e stresit e duhanit. /Koha/
Lajme
Horror në Shkup: Një grua me skallper në mes të rrugës tentoi të grabiste një djalë
Një 24-vjeçare nga Shkupi është thirrur në stacionin e policisë për bisedë, pas denoncimit se para më shumë se një muaji tentoi të grabiste një djalë 18-vjeçar, duke e kërcënuar me një objekt të mprehtë – skallper.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ngjarja ka ndodhur më 15 tetor të këtij viti, ndërsa e dyshuara është thirrur më 21 nëntor në bisedë zyrtare në Stacionin Policor të Kisela Vodës.
Policia informon se 24-vjeçarja ka sqaruar mënyrën se si është kryer vepra.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, Njësia e Punëve të Brendshme e Kisela Vodës do të paraqesë kallëzim penal kundër saj për “vjedhje me dhunë në tentativë”.
Lajme
Nga mesnata çmime të reja të dizelit dhe benzinës
Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) në Maqedoninë e Veriut sot pritet të sjellë vendim të ri për çmimet më të larta me pakicë të derivateve të naftës në Maqedoni. Llogaritja e re vjen pas uljes së çmimeve të javës së kaluar, ndërsa ndryshimet eventuale do të fillojnë të zbatohen nga nesër, 24 nëntor.
Sipas vendimit të fundit të KRRE-së, të sjellë më 16 nëntor, nga 17 nëntori në pompat e benzinës vlejnë këto çmime maksimale:
* EUROSUPER BS-95 – 84 denarë për litër
* EUROSUPER BS-98 – 86 denarë për litër
* EURODIZEL BS – 92 denarë për litër
* Vaj ekstra i lehtë për djegie – 100,50 denarë për litër
* Mazut – 48,314 denarë për kilogram
Me vendimin e kaluar benzinat u liruan për dy denarë për litër, ndërsa dizeli u ul për 2,50 denarë. Ulja e përgjithshme mesatare e çmimeve të derivateve të naftës ishte 2,43 për qind.
Ndërkohë, në bursat botërore nafta përballet me presion rënës. Sipas të dhënave të fundit nga tregtimi i sotëm, çmimi i naftës së papërpunuar Brent lëvizte rreth 92 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI ishte rreth 83 dollarë për fuçi.
Të dy çmimet referuese javën e kaluar shënuan rënie, ku Brent u lirua për rreth katër për qind, ndërsa WTI për rreth pesë për qind. Megjithatë, tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe rreziqet për furnizimin me naftë vazhdojnë të ndikojnë mbi tregun.
Lajme
Sulejmani reagon ndaj BDI-së për bursat: Rezultatet ende nuk janë përfundimtare, 2.470 bursa tjera pritet të publikohen
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani nga VLEN, ka reaguar ndaj pretendimeve të BDI-së për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme për vitin shkollor 2026/2027.
“Opinioni publik meriton një sqarim të bazuar në fakte, në kriteret e konkursit dhe në procedurat ligjore, e jo në interpretime të pjesshme të rezultateve”, ka shkruar Sulejmani.
Ai thekson se bursat nuk ndahen sipas përkatësisë etnike apo preferencave politike. Ato ndahen sipas kritereve të përcaktuara qartë dhe të publikuara paraprakisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Aplikimet i vlerësojnë komisione profesionale, me të njëjtat kushte dhe të njëjtën mënyrë pikëzimi për secilin kandidat.
Sipas tij, rezultatet e publikuara deri tani kanë të bëjnë me katër kategori me kushte specifike. Këto janë bursat për fëmijët pa prindër, për nxënësit e talentuar, për artistët e talentuar dhe për sportistët e talentuar. Në secilën prej tyre përzgjedhja bëhet mbi bazën e suksesit shkollor dhe të çmimeve ose rezultateve të dokumentuara.
Sulejmani nënvizon se këto rezultate nuk e japin pasqyrën përfundimtare. Në ditët në vijim pritet të publikohen rezultatet për 900 bursa për mbështetje sociale dhe për 1.570 bursa për nxënësit e paraleleve duale në arsimin profesional.
“Pikërisht në këto dy kategori, interesimi i nxënësve shqiptarë ka qenë dukshëm më i madh. Prandaj, çdo analizë për përfaqësimin e nxënësve shqiptarë duhet të marrë parasysh numrin e aplikimeve, plotësimin e kritereve dhe rezultatet në të gjitha kategoritë, e jo vetëm një pjesë të tyre”, thekson ai.
Sulejmani shprehet i hapur për publikimin e të dhënave të përmbledhura për numrin e aplikimeve, kriteret dhe rezultatet e pikëzimit, në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Ai shton se çdo kandidat i pakënaqur ka të drejtë ankese.
“Përfaqësimi i drejtë i nxënësve shqiptarë është çështje serioze, por ai duhet të trajtohet me përgjegjësi, transparencë dhe fakte të plota”, shkruan Sulejmani.
Ai i fton aktorët politikë që çështjet e arsimit të mos i trajtojnë vetëm përmes deklaratave politike. Ata duhet të ndihmojnë në informimin dhe inkurajimin e nxënësve, që të shfrytëzojnë mundësitë që u ofrohen.
“Përkushtimi ynë mbetet i qartë: mundësi të barabarta për çdo nxënës, respektim i kritereve dhe transparencë në çdo vendim”, ka përfunduar ai.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle3 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme3 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme12 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 month agoÇmimi i naftës shënon rënie
