Connect with us

Lajme

Aksion policor në Tetovë: Gjashtë të mitur kapen duke konsumuar alkool në një lokal

Më 19.12.2025 në periudhën prej ora 22:10 deri në 23:55, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë në bashkëveprim me Inspektoratin Shtetëror të Punës, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Drejtorinë e të Hyrave Publike, kanë kryer kontroll aksion në objektet hoteliere në rajonin e SPB Tetovë.

Me këtë rast, në një objekt hotelier në Tetovë në rrugën “Jovan Onçevski” ku si menaxherë janë paraqitur I.S. (23) dhe M.J. (22), të dy nga fshati Bërvenicë, janë hasur gjashtë persona të mitur, të cilëve u ishin shërbyer pije alkoolike. Të miturit u janë dorëzuar prindërve të tyre dhe kundër pronarëve do të vijojë parashtresë përkatëse në lidhje me veprën penale të kryer “shërbim i alkoolit për të mitur” sipas nenit 204 të Kodit Penal të RMV-së, ndërsa nga ana e organeve të tjera janë ndërmarrë masa dhe aktivitete nga kompetenca e tyre.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Gjest i madh, 18 vjeçari gjen kuletën me 18 mijë € dhe i’a kthen pronarit

Një i ri 18 vjeçar ka treguar ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare, pasi ka gjetur dokumente personale dhe një shumë të konsiderueshme parash, të cilat i ka dorëzuar në polici, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas njoftimit të MPB-së, dje, në orën 14:00, në Stacionin Policor në Delçevë, një 18-vjeçar nga ky qytet ka dorëzuar dokumentet personale të gjetura dhe para në vlerë prej 114.000 denarësh dhe rreth 2.000 eurosh.

I riu i kishte gjetur paratë dhe dokumentet në bulevardin „Maqedonia“ në Delçevë. Bëhej fjalë për një dokument udhëtimi, letërnjoftimin e një banori të Delçevës, si dhe shumën e lartpërmendur të parave.

Pas gjetjes së tyre, ai kishte vepruar me përgjegjësi dhe i kishte dorëzuar të gjitha në stacionin policor.

Ministria e Punëve të Brendshme e përshëndeti këtë veprim, duke theksuar se ai përbën një shembull pozitiv të ndershmërisë, ndërgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë së lartë qytetare, veçanërisht te të rinjtë.

„Veprime të tilla meritojnë mirënjohje publike dhe përbëjnë një nxitje për kultivimin e vlerave shoqërore, besimit të ndërsjellë dhe sjelljes së përgjegjshme në komunitet“, theksuan nga MPB-ja.

Continue Reading

Lajme

“Plumbin e kam ende në sy”, para nisjes drejt Italisë rrëfehet 28-vjeçari që u plagos në protestë

Një goditje, dy hapa dhe më pas rrëzimi në tokë. Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u plagos në sy nga një plumb gome gjatë protestës.Mes dhimbjes dhe pasigurisë për shikimin, ai rrëfen për herë të parë ekskluzivisht për gazetarin e Top Channel Endi Tufa çfarë ndodhi, pak para se gjithçka të ndryshonte.

Plumbi ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa shpresa tashmë është te mjekët dhe një ndërhyrje më e specializuar.“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, tha ai.

Gjithçka ndodhi në pak sekonda. Erjoni tregon se pas goditjes ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm. Kujtimet për atë që ndodhi më pas janë të pakta, por ai mban mend ndihmën e një shoku, i cili e transportoi me makinë. Pas kësaj, nisi një tjetër betejë, këtë herë në spital, me dhimbjen dhe frikën se mund të humbasë shikimin.“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, u shpreh ai.

Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e majtë të Erjonit. Pasojat e goditjes dhe rreziku për shikimin mbeten shqetësimi kryesor. Ai nuk e fsheh dhimbjen, ndërsa për atë që mund të ndodhë në vijim, ende nuk ka siguri.“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, u shpreh ai për Top Channel.

Në këto kushte, trajtimi i specializuar është kthyer në shpresën kryesore për të shpëtuar syrin e dëmtuar. Pas kontaktit të Top Channel me stafin e spitalit, mjekët dhe të afërmit e Erjonit, është siguruar transporti i tij drejt një spitali në Romë, ku pritet të niset pasditen e sotme për të marrë kujdes më të specializuar mjekësor.Mes dhimbjes dhe pasigurisë, Erjoni mbyll dëshminë e tij me dy fjalë: “Vetëm fitore”. Një shprehje që, pas asaj që ka përjetuar, merr një kuptim edhe më të fortë.

“Vetëm fitore”, thotë ai.Endi Tufa: Çfarë do të thotë kjo?

“Shqipëria është e jona”, e mbyll ai intervistën./ Top Channel

Continue Reading

Lajme

Grosha e Tetovës rrezikon të mbetet vetëm një kujtim i bukur

Ndryshimet klimatike po shkatërrojnë fushat e fasuleve, paralajmërojnë ekspertët.

E enjtja është dita e tregut në Tetovë. Që në orët e hershme të mëngjesit, tregu është i mbushur me blerës. Mes tezgave shumëngjyrëshe, të vendosura brenda dhe jashtë ndërtesës, shihen arka me perime sezonale: domate, speca për ajvar, kunguj, madje edhe kafaze me pula dhe zogj të vegjël, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

Pothuajse në çdo cep të tregut mund të shihen kartonë me mbishkrimet „Tetovë“ ose „Fasule të freskëta“.

Çmimet e fasuleve variojnë nga 150 deri në 500 denarë për kilogram. Fermerët me të cilët ka biseduar BIRN-i thonë se çmimi i fasuleve autentike të Tetovës tashmë ka arritur në 500 denarë për kilogram.

Përveç çmimit, varieteti tradicional i Tetovës dallohet edhe nga kokrrat e mëdha, të cilat, kur preken, mund të lëshojnë një pluhur të imët të bardhë. Nëse janë të freskëta, kokrrat mund të thyhen edhe me thonj. Një tjetër karakteristikë është se lëvozhga nuk u shkëputet gjatë zierjes.

Për shkak të rritjes së kostos së jetesës, qytetarët po i shmangin gjithnjë e më shumë fasulet e Tetovës, duke zgjedhur alternativa më të lira, kryesisht të importuara nga Egjipti dhe Kirgistani. Në dyqane, një kilogram fasule të importuara kushton rreth 120 denarë.

Situata është edhe më paradoksale në Komunën e Tearcës, e cila për dekada të tëra konsiderohej kryeqendra e kësaj krenarie kulinare. Sot, në raftet e dyqaneve përgjatë rrugës kryesore, shiten vetëm fasule të importuara nga Egjipti, të paketuara ose me shumicë.

„Vështirë se do të gjeni këtu fasule të Tetovës“, pranon njëri nga shitësit vendas.

Një tjetër shton me buzëqeshje: „Nëse dikush ju thotë se janë vendase, po ju gënjen.“

Sot, nga ky vendbanim rrëzë Sharrit mund të largohesh pa arritur të blesh asnjë kilogram fasule vendase.

Përgjatë rrugës së dheut që të çon drejt fushave poshtë Tearcës, ku dikur kultivoheshin me bollëk fasule dhe misër, tani shtrihen sipërfaqe të zbrazëta. Herë pas here dëgjohet vetëm fëshfërima e erës që përshkon mbetjet e thara të bimëve.

Fasulet e Tetovës përballen me rrezikun e zhdukjes

Bajram Ali Demiri, nga fshati Neproshten, është në të dyzetat. Ai merret me kultivimin e fasuleve që nga fëmijëria.

„Para 15 vjetësh, nga një dekar tokë merrnim deri në 120 kilogramë fasule, ndërsa tani mezi arrijmë të prodhojmë 10 deri në 20 kilogramë“, thotë ai.

Demiri kishte shkuar për të vizituar të njohurin e tij, Metin Muaremin, kryetar i Qendrës lokale për Edukim dhe Zhvillim.

„Çdo vit i them vetes: ‘Vitin tjetër ndoshta do të jetë më mirë’“, shprehet ai me një buzëqeshje ironike.

Ndërkohë, familja Tofilovski nga Tearca, e cila merret me kultivimin e fasuleve prej gati një shekulli, dikur prodhonte nga 200 deri në 250 kilogramë për dekar. Vitin e kaluar, megjithatë, arriti të korrte mezi një kilogram fasule, sasi e pamjaftueshme edhe për nevojat familjare.

„Toka është bërë e fortë si shkëmb. Nuk mund të lërohet“, thotë Jove Tofilovski.

Familja fillimisht e zvogëloi sipërfaqen e kultivuar nga dhjetë në gjashtë dekarë, ndërsa tani ka vendosur të heqë dorë plotësisht nga prodhimi.

„E vetmja gjë që na ka mbetur është t’i blejmë fasulet në treg për t’i ngrënë“, shprehet ai.

Sipas profesoreshës Sonja Ivanovska, nga Fakulteti i Bujqësisë i Universitetit „Shën Kirili dhe Metodi“ në Shkup, goditja kryesore ndaj prodhimit të fasuleve të Tetovës vjen nga ndryshimet drastike klimatike.

Prej më shumë se dhjetë vjetësh, ajo dhe disa profesorë të tjerë të fakultetit po mbledhin fara të varieteteve të vjetra, lokale dhe autoktone, nga rajone të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, me qëllim ruajtjen e tyre për brezat e ardhshëm.

Deri më tani, ata kanë vizituar mbi 500 fshatra dhe kanë mbledhur më shumë se 8.500 mostra farash.

Së fundmi, ekipi është kthyer nga një ekspeditë dhjetëditore, gjatë së cilës ka vërejtur ndryshime të mëdha krahasuar me vitin 2014.

„Varietetet e vjetra po zhduken“, paralajmëron Ivanovska.

„Situata me fasulet është shumë alarmante, sepse në shumë rajone na kanë thënë se nuk i kultivojnë më, pasi nuk arrijnë të prodhojnë në këto kushte klimatike“, shpjegon ajo.

Fasulet e Tetovës janë një varietet tradicional kacavjerrës, i cili kultivohet duke përdorur kunja mbështetëse ose në kombinim me misrin, që shërben si mbështetëse natyrore.

Ndryshe nga varietetet e tjera, fasulet e Tetovës kanë nevojë për disa muaj që të arrijnë pjekurinë. Lulëzimi dhe formimi i bishtajave ndodhin pikërisht gjatë muajve më të nxehtë të verës, kur reshjet e shiut janë të pakta.

Ivanovska thekson se, kur temperaturat tejkalojnë 30 gradë Celsius për disa ditë radhazi dhe lagështia relative e ajrit është e ulët, rendimenti bie në mënyrë drastike, pavarësisht ujitjes.

„Fasulet ose nuk formojnë lule, ose poleni nuk është funksional dhe nuk mund të kryejë fekondimin. Si pasojë, nuk formohen bishtaja, ndërsa edhe nëse formohen, ato bien“, shpjegon profesoresha.

Kjo shpjegon edhe pamjet e fushave ku bimët kanë gjethe, por bishtajat janë të zbrazëta dhe të thara.

Për shkak të temperaturave ekstreme, fermerët thonë se tani detyrohen t’i ujitin fushat pesë deri në gjashtë herë gjatë sezonit, ndryshe nga e kaluara, kur mjaftonin dy deri në tri ujitje.

Burimi kryesor i ujit është lumi Bistrica, niveli i të cilit, sipas banorëve, bie ndjeshëm gjatë verës.

Grup pune për mbrojtjen e varieteteve vendase

Ministria e Bujqësisë ka deklaruar për BIRN-in se do të formojë një grup pune me përfaqësues të komunitetit shkencor, me qëllim ruajtjen e varieteteve vendase, përfshirë edhe fasulen e Tetovës.

„Do të merren në konsideratë ndikimet e ndryshimeve klimatike, ruajtja e materialit faror dhe krijimi i kushteve për kultivim të qëndrueshëm“, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Komuna e Tearcës konfirmon se, përveç thatësirës, në zvogëlimin e prurjeve të lumit ka ndikuar edhe „menaxhimi joadekuat i potencialit ujor nga minihidrocentralet lokale“.

„Kjo situatë është më e theksuar gjatë periudhës së verës, kur niveli i ujit në lumë bie ndjeshëm, gjë që mund të vërehet edhe me sy të lirë“, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Në vitin 2022, në Komunën e Tearcës nisi ndërtimi i një sistemi të vogël ujitjeje, i cili synon të ndihmojë 150 fermerë vendas në rritjen e rendimenteve bujqësore.

Sipas Komunës, projekti me vlerë 1,75 milionë euro, i financuar përmes fondeve IPA, ka përfunduar, por ende nuk është vënë në funksion.

Arsyeja, sipas autoriteteve komunale, është se „nuk është kryer dorëzimi zyrtar i projektit me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave“.

Kushtet e reja klimatike i kanë detyruar disa fermerë, përfshirë Ali Demirin, ta zhvendosin prodhimin drejt fshatrave malore në lartësi më të mëdha mbidetare, siç është Vejca në Malin Sharr.

Megjithatë, edhe atje janë përballur me vështirësi të tjera.

Kafshët e egra, veçanërisht arinjtë dhe derrat e egër, kanë dëmtuar sipërfaqet e mbjella, të tërhequra nga misri që fermerët e përdornin si mbështetëse për fasulet.

Për këtë arsye, fermerët tani po i kultivojnë fasulet duke përdorur kunja mbështetëse.

Nga ana tjetër, fermeri Jove Tofilovski thotë se toka e zezë malore nuk është e përshtatshme për kultivimin e fasuleve të Tetovës, të cilat kanë nevojë për tokë kafe me lagështi të mjaftueshme.

Disa nga fermerët që janë vizituar nga profesorët në rajonin e Tetovës tashmë kanë kaluar në kultivimin e varieteteve të tjera.

Përveç pasojave të ndryshimeve klimatike, fermerët ankohen edhe për vonesat në pagesën e subvencioneve, të cilat ua vështirësojnë mbulimin e shpenzimeve bazë për karburant dhe plehra bujqësore.

Ata pretendojnë gjithashtu se preparatet kimike po bëhen gjithnjë e më pak efektive në luftimin e barërave të këqija.

Përpjekjet për të ruajtur traditën

Rëndësia e fasuleve të Tetovës për kulturën dhe traditën vendase dëshmohet edhe nga manifestimi tradicional „Dita e Fasuleve“, i cili organizohet në Tearcë prej 14 vjetësh.

Manifestimi organizohet nga Qendra për Edukim dhe Zhvillim.

Çdo vjeshtë, në kuadër të këtij aktiviteti, fasulet e Tetovës gatuhen në kazanë të mëdhenj, ndërsa në stendat përreth ofrohen specialitete të tjera tradicionale, të shoqëruara me muzikë.

„Bëhet fjalë për një kulturë bujqësore që bashkon njerëzit“, thotë Metin Muaremi, kryetar i Qendrës.

Sipas tij, ideja fillestare e organizatorëve ishte promovimi, krijimi i një marke të dallueshme dhe ruajtja e këtij produkti tradicional.

„Na kanë vizituar njerëz nga shumë vende të tjera, të cilët na kanë treguar se fasulet e Tetovës dikur ishin ndër më të kërkuarat në ish-Jugosllavi“, kujton Muaremi.

„Fatkeqësisht, mund të them se vitet e fundit është bërë shumë e vështirë të gjesh njerëz që ende prodhojnë fasule autentike të Tetovës“, shton ai.

Ndërkohë, numri i vizitorëve të manifestimit është rritur nga viti në vit.

Këtë vit, organizatorët kanë mirëpritur rreth 400 mysafirë. Për të përgatitur porcione të mjaftueshme për të pranishmit, janë nevojitur mbi 30 kilogramë fasule.

„Kjo traditë duhet të mbahet gjallë. Institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masa konkrete“, apelon Muaremi.

Megjithatë, profesoresha Ivanovska paralajmëron se, nëse nuk ndërmerren masa urgjente, përfshirë mbështetjen financiare për kërkime shkencore dhe testimin e varieteteve vendase më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, e ardhmja e fasuleve të Tetovës do të jetë gjithnjë e më e pasigurt.

Sipas saj, nëse vazhdon kjo gjendje, pas 10 deri në 15 vjetësh, fasulet e Tetovës mund të mbeten vetëm një kujtim i bukur.

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme1 hour ago

Gjest i madh, 18 vjeçari gjen kuletën me 18 mijë € dhe i’a kthen pronarit

Një i ri 18 vjeçar ka treguar ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare, pasi ka gjetur dokumente personale dhe një shumë të...

Lajme1 hour ago

“Plumbin e kam ende në sy”, para nisjes drejt Italisë rrëfehet 28-vjeçari që u plagos në protestë

Një goditje, dy hapa dhe më pas rrëzimi në tokë. Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u plagos në...

Lajme1 hour ago

Grosha e Tetovës rrezikon të mbetet vetëm një kujtim i bukur

Ndryshimet klimatike po shkatërrojnë fushat e fasuleve, paralajmërojnë ekspertët. E enjtja është dita e tregut në Tetovë. Që në orët...

Lajme2 hours ago

Katër diskoteka të reja nën Kalanë e Shkupit, rikthehet edhe pishina „Plaja Vista“

Zona pranë Kalasë së Shkupit, ku dikur funksiononte pishina „Plaja Vista“, do të shndërrohet në një hapësirë sportive, rekreative dhe...

Lajme2 hours ago

15-vjeçari nga Bogovina shtrohet në spital me plagë nga arma e zjarrit në bark, e plagosi një i mitur

Një 15-vjeçar nga fshati Bogovinë i Tetovës është pranuar në Qendrën Klinike në Tetovë me plagë nga arma e zjarrit...

Lajme2 hours ago

Rama: Gjobë deri në 500 mijë lekë kush qëndron në tubim, për të miturit mbi 14 vjeç paguajnë prindërit

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të paketës së re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, shpjegoi gjashtë instrumentet që parashikohen...

Lajme1 day ago

U kap me 1 milion € në Merdare, kush është personi që arriti të arsyetoj paratë?

Shtetasi gjerman, i dyshuar për 1 milion euro të padeklaruara kur kishte hyrë në Kosovë nga Merdarja, është paraqitur dje...

Lajme2 days ago

Kumanovari dhuron 26 mijë euro për rrugën që mundëson qasjen në xhaminë më të vjetër në rajon

Husejn Bajrami, djali i të ndjerit hoxhë Nexhmedin Bajrami nga Kumanova, ka financuar blerjen e rrugës që mundëson qasjen në...

Lajme2 days ago

Të dielën nis ora dimërore, akrepat lëvizin një orë prapa

Ora verore këtë vit përfundon të dielën, më 25 tetor në orën 3:00 të mëngjesit duke u zhvendosur një orë...

Lajme2 days ago

„Pesë veta rrahin një fëmijë dhe e filmojnë“: Dëshmi shqetësuese nga Tetova

Pesë të mitur, të moshës rreth 13 dhe 14 vjeç, sipas pretendimeve të një prindi, kanë ndaluar dy fëmijë 11-vjeçarë...

Trending