Lajme
Bora paralizon Maqedoninë: Rrugë të papastruara, trafik në kaos dhe qytetarë të bllokuar
Reshjet e borës që kanë rënë sot në Maqedoninë e Veriut sërish e kanë zënë shtetin të papërgatitur. Rrugë të papastruara, trafik i rënduar dhe vonesa masive në qarkullim kanë shkaktuar kaos, sidomos në orët e hershme të mëngjesit, në kohën kur qytetarët niseshin drejt punës, shkollave dhe institucioneve shëndetësore, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Qytetarë të shumtë janë ankuar për pamundësinë që të arrijnë me kohë në vendet e tyre të punës, ndërsa shumë prej tyre kanë humbur termine të rëndësishme në spitale dhe institucione të tjera. Situata më problematike është raportuar në aksin Kumanovë–Shkup, ku udhëtimi ka zgjatur deri në një orë e gjysmë.
“Prej Kumanove deri në Shkup sot kemi udhëtuar një orë e gjysmë. Rrugët janë të mbuluara me borë, të papastruara dhe qarkullimi është jashtëzakonisht i vështirë”, shprehet për INA një i punësuar në administratë.
Edhe vetë qyteti i Kumanovës është përballur me bllokim të madh, me rrugë të mbuluara nga bora dhe mungesë të dukshme të mekanizmit për pastrim. Situata nuk është më e mirë as në Shkup, ku qytetarët flasin për paralizim të plotë të qytetit.
“Qyteti është i paralizuar, trafiku është në kaos. Shërbimet nuk funksionojnë dhe nuk janë në gjendje të përballojnë as këtë sasi të vogël bore. Banorët e Shkupit duhet të presin që bora të shkrihet vetë për të lëvizur normalisht”, shprehen qytetarët e revoltuar.
Pakënaqësitë nuk kanë munguar as ndaj institucioneve përgjegjëse, të cilat akuzohen për keqmenaxhim dhe mungesë përgjegjësie. Sipas reagimeve, paratë publike po keqpërdoren, ndërsa qytetarët po përballen çdo dimër me të njëjtin skenar.
“Ashtu siç abuzohen paratë e qytetarëve që përfundojnë në xhepa privatë, ashtu duket edhe qyteti sot. Kjo është pasqyra e Maqedonisë – e bllokuar nga politikat e dështuara”, thuhet në reagimet e qytetarëve.
Reshjet e borës, edhe këtë herë, kanë nxjerrë në pah mungesën e përgatitjes së institucioneve përballë kushteve dimërore, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta në jetën e përditshme të qytetarëve dhe duke rritur pakënaqësinë publike ndaj menaxhimit shtetëror. (INA)
Lajme
Zëvendësministri i MPB Iseni: Edhe kufiri në Dibër tani e tutje do të kalohet vetëm me një kontroll
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Astrit Iseni, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja One Stop Shop ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Iseni theksoi se me këtë hap po realizohet një nga premtimet për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe përmirësimin e shërbimeve në pikat kufitare.
“Po realizohet ajo që kemi premtuar: punojmë për qytetarët. Kufij më të shpejtë, më pak pritje dhe më shumë dinjitet për qytetarët e të dy vendeve”, ka shkruar Iseni.
Ai uroi që kjo marrëveshje të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, duke theksuar se sistemi One Stop Shop do të kontribuojë në përshpejtimin e procedurave kufitare dhe në lehtësimin e qarkullimit ndërmjet dy vendeve.
Lajme
Izet Mexhiti: Bashkëpunimi ndërshqiptar nuk është slogan, por agjendë që ndërtohet çdo ditë
Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka theksuar se bashkëpunimi ndërshqiptar nuk duhet të mbetet vetëm një ide për të cilën flitet, por të shndërrohet në një angazhim të përditshëm me projekte konkrete që sjellin përfitime për qytetarët.
Duke folur në Konferencën kushtuar agjendës së përbashkët ndërshqiptare, Mexhiti u ndal te fushat që, sipas tij, ofrojnë potencialin më të madh për bashkëpunim, duke veçuar arsimin, kulturën, ekonominë dhe turizmin si shtyllat kryesore mbi të cilat duhet të ndërtohen iniciativa të përbashkëta.
Ai solli edhe shembuj konkretë të këtij bashkëpunimi, si organizimi i Panairit Shqiptar në Shkup dhe Festivali Ndërkombëtar i Muzikës që do të mbahet në Çarshinë e Shkupit, me pjesëmarrjen e artistëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua të rinjve. Mexhiti theksoi se ata nuk janë vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja, ndaj duhet të kenë më shumë hapësirë dhe përgjegjësi në proceset vendimmarrëse.
Në përfundim, ai u shpreh se vetëm përmes besimit, bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët mund të ndërtohet një agjendë që u shërben shqiptarëve kudo që jetojnë dhe krijon më shumë mundësi për brezat e ardhshëm.
https://www.facebook.com/share/p/1BUnzZEs5n/
Lajme
Rregullat e reja për bastet sportive on-line, ja si do të pezullohen dhe revokohen licencat
Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që përcakton qartë procedurat, afatet dhe mekanizmat për pezullimin ose heqjen përfundimtare (revokimin) të licencave për kompanitë që ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit në kategorinë “Baste sportive on-line”. Ky akt synon të rrisë transparencën, të forcojë monitorimin dhe të garantojë që subjektet e licencuara të respektojnë detyrimet ligjore dhe financiare.
Më poshtë gjendet një përmbledhje e strukturuar e dispozitave kryesore të këtij vendimi.
Arsyet për pezullim ose revokim të licencës
Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) dhe Komisioni i Licencave nisin procedurat ndëshkuese kur një organizator i licencuar shkel kushtet e ushtrimit të aktivitetit.
Kushtet kur licenca pezullohet:
Humbja ose mospërmbushja e kritereve bazë pas marrjes së licencës.
Mospagimi i detyrimeve financiare ndaj AMLF-së ose moslikuidimi i fituesve të lojës.
Përsëritja e shkeljeve ligjore për herë të dytë brenda një periudhe 3-vjeçare.
Mosngurtësimi i fondeve të garancisë nga subjekti fitues.
Kushtet kur licenca revokohet (hiqet përfundimisht):
Dështimi për të rregulluar shkeljet gjatë periudhës së pezullimit.
Përsëritja e shkeljeve për herë të tretë brenda një periudhe 3-vjeçare.
Mospagimi i detyrimeve ndaj AMLF-së pas një pezullimi 30-ditor.
Kryerja e shkeljeve të rënda specifike të përcaktuara në ligjin e lojërave të fatit.
Zinxhiri i vendimmarrjes dhe afatet
Vendimi përcakton një procedurë strikte administrative me afate të prera, duke kaluar nëpër tre hallka kryesore institucionale:
Hapi i parë (AMLF), inspektimi dhe konstatimi i shkeljes. AMLF-ja kryen kontrollin brenda 5 ditëve nga sinjalizimi dhe, nëse gjen shkelje, i dërgon kërkesën e arsyetuar Komisionit të Licencave brenda 20 ditëve kalendarike.
Hapi i dytë (Komisioni i Licencave), komisioni ka 20 ditë kohë për të shqyrtuar dosjen. Gjatë kësaj kohe, thërret subjektin në një seancë dëgjimore. Nëse shkelja vërtetohet, Komisioni i propozon Ministrit të Financave masën përkatëse (pezullim ose revokim) brenda 5 ditëve.
Hapi i tretë (Ministria e Financave), Ministri ngre një komision ad hoc me 3 anëtarë, i cili shqyrton propozimin brenda 20 ditëve. Ministri merr vendimin përfundimtar me urdhër të arsyetuar brenda 30 ditëve nga marrja e propozimit.
Afati i pezullimit të licencës varion nga 30 ditë deri në përmbushjen e kushteve nga subjekti, por nuk mund të zgjasë në asnjë rast më shumë se 2 vjet.
Të drejtat dhe detyrimet e subjekteve
Çdo organizator i licencuar ka të drejtë të njoftohet dhe të marrë pjesë (vetë ose me përfaqësues) në seancën dëgjimore përpara Komisionit të Licencave. Mosparaqitja e tyre nuk e ndal procesin.
Mosdhënia e informacionit apo pengimi i inspektorëve të AMLF-së konsiderohet rrethanë rënduese gjatë marrjes së vendimit.
Gjatë kohës së pezullimit, organizatori duhet të ndërpresë menjëherë ushtrimin e aktivitetit dhe është nën monitorimin e vazhdueshëm fizik dhe teknologjik të AMLF-së.
Subjektet kanë të drejtë ta ankimojnë urdhrin e ministrit në gjykatë. Megjithatë, ankimi nuk e pezullon zbatimin e urdhrit, përveç rastit kur gjykata vendos një masë sigurimi padie.
-
Lajme7 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme7 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
