Lajme
Arrestohen dy persona në Shkup, mbuluan targat për të shmangur sistemin “Safe City”
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njofton se dy persona nga Shkupi janë privuar nga liria nën dyshimin për kryerje të veprave penale lidhur me fshehjen e targave të regjistrimit të automjeteve të tyre, me qëllim shmangien e evidentimit nga sistemi “Safe City”.
Sipas MPB-së, më 13 dhe 14 shkurt 2026, në periudhën nga ora 19:00 deri në 03:00, në zonën e Qendrës dhe Bit Pazarit në Shkup, nëpunës policorë nga SPB Shkup kanë realizuar aksion kontrollues të përforcuar për ruajtjen e sigurisë në zonën qendrore të qytetit.
Gjatë aksionit janë verifikuar identitetet e 24 personave, janë kontrolluar 17 persona dhe katër automjete, ndërsa janë evidentuar shtatë kundërvajtje në trafik. Dy automjete janë konfiskuar në përputhje me nenet 378 dhe 380 të Kodit Penal.
Në kuadër të këtij aksioni janë arrestuar dy persona me inicialet S.S. dhe M.A., të cilët drejtonin automjete të tipit “Mercedes” me targa të Shkupit. Sipas policisë, ekziston dyshim i bazuar se ata kanë kryer vepra penale sipas neneve 378 dhe 380 të Kodit Penal. Gjithashtu, është konstatuar edhe një kundërvajtje sipas nenit 80 të Ligjit për Armë.
MPB njofton se gjatë kontrollit janë ndërmarrë edhe masa parandaluese me patrullime të vazhdueshme në parkun në territorin e Kapishtecit, pranë një objekti hotelierik në bulevardin “Arradhat Partizane”, si dhe pranë fushës sportive “Dërveni Grad”, për shkak të grumbullimeve të përditshme të personave të mitur.
Nga MPB theksojnë se aksionet e përforcuara do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Lajme
VLEN: 24 vite pushtet nuk u mjaftuan për kanalizimin në Zajaz, a përfunduan milionat evropiane në rrjetin e interesave familjare?
Koalicioni VLEN ka akuzuar BDI-në dhe liderin e saj, Ali Ahmeti, për dështimin e realizimit të projektit të kanalizimit në Zajaz dhe Kërçovë, duke ngritur dyshime për keqpërdorime financiare dhe përfshirje të kompanive të lidhura me familjen Ahmeti.
Në një konferencë për media, Faton Fazliu nga VLEN deklaroi se, pavarësisht 24 viteve në pushtet dhe kontrollit mbi institucionet kryesore, BDI nuk arriti të zgjidhë një nga problemet më themelore të banorëve të Zajazit – ndërtimin e një rrjeti funksional të kanalizimit.
Sipas tij, qytetarët sot përballen me një projekt të papërfunduar, kanale të hapura dhe gropa septike, ndërsa shteti ka pësuar dëme milionëshe dhe ka humbur fonde nga Bashkimi Evropian.
VLEN iu referua informacioneve të publikuara lidhur me kallëzimin penal të ngritur nga Policia Financiare për dyshime mbi keqpërdorime gjatë realizimit të projektit për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Kërçovë. Sipas këtyre të dhënave, dëmi i pretenduar ndaj buxhetit arrin mbi 127 milionë denarë, ndërsa janë humbur rreth 9,47 milionë euro fonde nga programi IPA.
Fazliu tha se projekti nuk dështoi për mungesë fondesh, pasi financimi ishte siguruar nga Bashkimi Evropian, por për shkak të, siç u shpreh ai, “garancive bankare të dyshimta, angazhimit të nënkontraktorëve të paautorizuar dhe mungesës së kontrollit institucional”.
VLEN ngriti gjithashtu pyetje lidhur me raportimet se kompani të lidhura me Drin Ahmetin, nipin e Ali Ahmetit, kanë marrë pjesë në realizimin e projektit, duke kërkuar sqarime mbi rolin e tyre, vlerën e kontratave, mënyrën e përzgjedhjes dhe nëse kanë qenë të autorizuara nga institucionet kompetente.
Koalicioni kërkoi nga Prokuroria Publike dhe Policia Financiare që ta zgjerojnë hetimin, të publikojnë listën e të gjithë nënkontraktorëve të angazhuar dhe të verifikojnë nëse ka pasur lidhje politike, biznesore apo familjare mes personave përgjegjës dhe strukturave të BDI-së.
“Banorëve të Zajazit nuk u duhen më arsyetime, por kanalizim. Ndërsa qytetarët meritojnë përgjigje për çdo denar të shpenzuar dhe përgjegjësi nga ata që kanë menaxhuar këtë projekt”, deklaroi Fazliu.
BDI deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka reaguar ndaj këtyre akuzave.
Lajme
Arratisja e ujqërve në Kopshtin Zoologjik Shkup, kërkohet mbyllja dhe inspektimi i tij
Shoqata për mbrojtjen e kafshëve Anima Mundi kërkon mbylljen urgjente të Kopshtit Zoologjik të Shkupit dhe kryerjen e një inspektimi të pavarur, ku të kontrollohen të gjitha habitatet, rrethojat, kafazet dhe sistemet e sigurisë, ndërsa gjetjet të publikohen. Kjo kërkesë vjen pasi në opinion u publikua informacioni se ujqërit kishin ikur nga habitati i tyre dhe kishin mbytur katër kangurë dhe disa shpendë.
Aktivistët kërkojnë një hetim të pavarur për arratisjen e ujqërve, vrasjen e kafshëve dhe përcaktimin e përgjegjësisë për të gjitha lëshimet, si dhe vendosjen e një moratoriumi për shumimin dhe sjelljen e kafshëve të reja derisa të sigurohen kushte që përmbushin standardet. Ata përsëritën gjithashtu kërkesën për mbylljen e Kopshtit Zoologjik të Shkupit dhe shndërrimin e tij në një qendër shpëtimi dhe rehabilitimi për kafshët.
Nga Anima Mundi kanë publikuar edhe një video ku shihet se si ujqërit përpiqen të dalin nga habitati i tyre në një pjesë të improvizuar me rrjetë, ku rrethoja metalike dyshohet se është e dëmtuar.
“Rrethimi i habitatit të ujqërve nuk lë përshtypjen e një sistemi sigurie të përshtatshëm për mbajtjen e kafshëve të egra. Përkundrazi, ngre dyshime serioze nëse janë siguruar fare standardet minimale për mbrojtje dhe parandalimin e arratisjes. Siguria e kafshëve të egra nuk guxon të bazohet në improvizime, nuk duhet të varet nga fati dhe nuk mund të arsyetohet me heshtje. Faji nuk është vetëm i drejtorit aktual, pasi kjo gjendje vazhdon prej kohësh”, thonë nga Anima Mundi.
Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara në media, ujqërit e bardhë kishin hapur një gropë nën habitatin e tyre dhe ishin arratisur fundjavën e kaluar, pas së cilës sulmuan dhe mbytën disa kangurë dhe shpendë. Pasi u vunë re, punonjësve iu deshën disa orë për t’i kapur dhe për t’i kthyer në habitat.
Nga Kopshti Zoologjik i Shkupit deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar për incidentin. Pyetjet se kur ndodhi arratisja, nëse në atë moment kishte vizitorë në kopsht, ku ndodhen tani ujqërit dhe nëse habitati është siguruar, ende mbeten pa përgjigje.
Lajme
Punëdhënësit para detyrimit ligjor: Nga korriku fillon pagesa e K-15
Punëtorët e sektorit privat në Maqedoninë e Veriut nga 1 korriku mund të presin pagesën e regresit për pushimin vjetor, i njohur si K-15. Sipas llogaritjeve të bazuara në pagën mesatare neto të tre muajve të fundit, shuma minimale e këtij regresi për vitin 2026 arrin në 19.116 denarë.
Lartësia e K-15 është përcaktuar në bazë të pagës mesatare neto për muajt shkurt, mars dhe prill, e cila ka arritur në rreth 47.790 denarë. Marrëveshja Kolektive për sektorin privat përcakton se regresi për pushimin vjetor duhet të jetë së paku 40 për qind e kësaj page.
Të drejtën për ta përfituar këtë kompensim e kanë të gjithë punëtorët që kanë të paktën gjashtë muaj punë të pandërprerë te i njëjti punëdhënës gjatë vitit kalendarik. Ndërkohë, punëdhënësit mund të vendosin të paguajnë edhe shuma më të larta, nëse kjo parashihet me marrëveshje kolektive ose me vendime të brendshme të kompanive.
Megjithatë, ligji parashikon edhe përjashtime. Ndërmarrjet që operojnë me humbje ose përballen me vështirësi financiare mund të kërkojnë uljen e shumës së K-15 ose lirimin nga kjo detyrë, por vetëm nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj dhe posedojnë dokumentacionin përkatës.
Mosrespektimi i detyrimit për pagesën e regresit mund të sjellë masa ndëshkuese për punëdhënësit. Inspektorati Shtetëror i Punës ka të drejtë të kryejë kontrolle, ndërsa punëtorët mund të paraqesin ankesa ose të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre në gjykatë.
Për mijëra familje, K-15 mbetet një nga të ardhurat shtesë më të rëndësishme gjatë muajve të verës, kur shpenzimet për pushime dhe nevojat e përditshme rriten. Pavarësisht barrës financiare për kompanitë, regresi për pushimin vjetor mbetet një e drejtë e garantuar e punëtorëve dhe jo një shpërblim apo bonus vullnetar,përcjell INA.
-
Lajme7 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme7 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
