Lajme
Zaev kërkon 1 milion dëmshpërblim nga Zhan Mitrev dhe Petrushevski
Ish-kryeministri Zoran Zaev njoftoi se ka parashtruar padi për shpifje dhe shkelje të nderit dhe reputacionit kundër Brane Petrushevskit dhe Zhan Mitrevit, përcjell TV21. Paditë janë dorëzuar në Gjykatën Themelore të Strumicës, dhe vlera e secilës prej tyre është 500,000 denarë.
Sipas pretendimeve në dokumentet e paraqitura, Zaev konsideron se me deklarata publike dhe paraqitje të ndryshme i janë paraqitur fakte të pavërteta që e cenojnë nderin dhe reputacionin e tij.
Në një rast, padia lidhet me deklarata të dhëna në një konferencë për shtyp, ndërsa në rastin tjetër-me një paraqitje në televizion, ku sipas paditësit, pretendimet janë transmetuar gjithashtu nga media dhe portalet online.
“Nuk ka asnjë dilemë se gënjeshtra e të dyve do të vërtetohet,” deklaroi Zaev, duke shtuar se kompensimi eventual nga paditë do të dhurohet për fëmijë pa prindër dhe për persona me nevoja të veçanta.
Paditë bazohen në dispozitat e Ligjit për përgjegjësi civile për ofendim dhe shpifje, me kërkesë për vërtetimin e përgjegjësisë dhe kompensim të dëmshpërblimit jo-material për shkelje të reputacionit. Pritet që gjykata të vendosë mbi paditë e paraqitura në procedurë të rregullt.
Lajme
Tetova shndërrohet në kryeqendër të bashkëpunimit: Mbahet Asambleja e Përgjithshme e Unionit të Bashkive Shqiptare
Qyteti i Tetovës ka mirëpritur këtë javë delegacionet e larta të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon (UBSHR), në një takim që shënon një gur themeli për konsolidimin e bashkëpunimit ndërshqiptar në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Takimi mblodhi kryetarë komunash dhe përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, si dhe përfaqësues të komunave arbëreshe nga Italia, duke i dhënë ngjarjes një karakter të plotë kombëtar dhe kulturor.
Strategjia 2026-2028: Fokus te fondet e BE-së dhe zhvillimi i qëndrueshëm
Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, vëmendja kryesore u përqendrua te Strategjia Afatmesme 2027–2028 dhe prioritetet e punës për vitin aktual. Diskutimet u fokusuan në tri shtylla kryesore:
-
Integrimi Evropian: Përafrimi i standardeve të qeverisjes lokale me ato të Bashkimit Evropian.
-
Thithja e Investimeve: Rritja e kapaciteteve teknike të komunave për të aplikuar dhe implementuar projekte ndërkufitare të financuara nga fondet e BE-së.
-
Ekonomia dhe Turizmi: Promovimi i një pakete të përbashkët turistike që lidh trashëgiminë kulturore të të gjitha trevave shqipfolëse.
Një Union që po rritet
Pjesëmarrja e komunave arbëreshe këtë vit reflekton rritjen e vlerës së këtij Unioni, jo vetëm si një instrument administrativ, por edhe si një urë lidhëse shpirtërore dhe ekonomike me diasporën historike.
Asambleja mbylli punimet me një zotim të përbashkët për të intensifikuar shkëmbimin e përvojave në sferën e urbanizmit, mjedisit dhe kulturës, duke e parë Unionin si një aktor kyç në stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
Lajme
Diaspora do të përjashtohet nga procesi i regjistrimit të popullsisë në vitin 2031
Diaspora do të përjashtohet nga procesi i regjistrimit të popullsisë që pritet të realizohet në vitin 2031. Këtë e paralajmëroi numri një i Entit të Statistikave Dejan Stankov duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne si Ent Shtetëror për Statistika do ta marrim parasysh propozimin e Gjykatës Kushtetuese e cila është sjellë para një periudhe të caktuar. Në përputhje me metodologjinë statistikore dhe standardeve ndërkombëtare nuk ka nevojë që të ndajmë qytetarët, në kuptimin nuk ka nevojë të përfshijmë popullsinë jo rezidente sepse qëllimi i regjistrimit është përcaktimi i popullsisë rezidente, gjegjësisht popullsinë që jeton në shtet dhe kjo është definicioni themelor statistikor”, deklaroi Dejan Stankov – Drejtor i Entit të Statistikave.
Ministri i Transformit Digjital thotë se dikasteri i tij po bashkëpunon me të gjitha institucionet të cilat bartin të dhënat e qytetarëve. Para regjistrimit elektronik, do të bëhen testime të metodologjisë.
“E dini se si parti politike e kemi kritikuar regjistrimin e kaluar dhe kishim arsye se pse. Një pjesë e madhe e të dhënave nuk ishin mbledhur në mënyrën e duhur të metodologjisë. Regjistroheshin njerëz nga mërgata të cilët fare nuk janë rezident të shtetit nën rrethana të paqarta. Kujtojmë se kishte pako me pasaporta të cilët regjistroheshin sikur janë njerëz dhe këtë nuk guxojmë ta lejojmë në regjistrimin e ardhshëm dhe mirë është që kemi filluar më herët që secili të punojë në regjistrat e tij”, tha Stefan Andonovski – Ministër i Transformimit Digjital.
Vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dispozita të metodologjisë të cilat ndanin popullsinë e Maqedonisë në rezident dhe jo rezident. Sipas Kushtetueses, ky kategorizim ishte bërë pa bazë ligjore sepse ligji për regjistrim nuk parashihte një ndarje të tillë me akt nënligjor. Në regjistrimin e fundit të popullsisë, shtetas të Maqedonisë së Veriut janë regjistruar 2 milion e 97 mijë e 319 persona prej të cilëve 1 milion e 836 mijë e 713 persona janë rezident. Ndërkohë si jorezidentë janë regjistruar 260 mijë 606 persona. Prej tyre rreth 180 mijë apo 66,4 për qind janë shqiptarë, ndërsa mbi 12 mijë apo 24,5 për qind janë maqedonasë. /Alsat/
Lajme
Mbledhje komemorative në nderim të Hazbi Topojanit
Në një atmosferë dhimbjeje dhe respekti, u mbajt mbledhje komemorative për mësimdhënësin e ndjerë Hazbi Topojani (1974–2026), në organizim të SHFK “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Komunën e Çairit.
Në këtë tubim përkujtimor morën pjesë familjarë, kolegë, miq dhe përfaqësues institucionalë. Fjalë rasti mbajti edhe Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, i cili e kujtoi të ndjerin si një njeri të përkushtuar ndaj arsimit dhe një mik të afërt, duke vlerësuar kontributin e tij në edukimin e brezave.
Drejtoresha e shkollës, Esma Fazlija, nënvizoi rolin dhe përkushtimin e tij në arsim, ndërsa kolegu Xhelal Ramadani ndau kujtime personale nga bashkëpunimi i tyre ndër vite. Nga Komuna e Çairit, Mjellma Gashi theksoi angazhimin e tij institucional, duke veçuar edhe drejtimin e Shkollës për të rritur “Anton Semejnoviq Makarenko”.
Në fund, në një moment tejet emocional, djali i tij, Ermal Topojani, ndau disa fjalë prekëse për babain e tij.
Kujtimi për Hazbi Topojanin do të mbetet i përjetshëm.
-
Lajme4 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme1 year agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme4 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
