Lajme
Mickoski: Jemi me çmime më të lira të naftës, vendet fqinje vërshuan tek ne, kemi rezerva
Ky është përkthimi i deklaratës së Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, lidhur me situatën e furnizimit me karburante:
Mickoski: Furnizimi me naftë është stabil, inspektorët janë në terren për shkak të kufizimeve në disa pompa
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHhT) është në terren pas ankesave të qytetarëve se në disa pika karburanti ka kufizime gjatë furnizimit me dizel, por theksoi se furnizimi me naftë dhe derivate të naftës në vend është stabil.
Ai bëri të ditur se këto dukuri janë vërejtur kryesisht në komunat kufitare, ku ka presion të shtuar për shkak të çmimeve dukshëm më të larta të karburanteve në shtetet fqinje.
“Inspektorati Shtetëror i Tregut është në terren. Janë vërejtur sjellje të tilla në disa pompa në komunat kufitare sepse ka një presion të madh nga shtetet fqinje, ku çmimi i energjentëve është për mbi 40 deri në 50 për qind më i lartë se tek ne. Në Serbinë fqinje, çmimi është midis 120 dhe 130 denarë për litër, ndërsa tek ne dizeli është 71 denarë. Si rezultat i këtij presioni, kemi një rritje kolosale të konsumit të naftës dhe derivateve, dhe mbase për këtë arsye në pika të caktuara karburanti ka mungesë të sasive,” tha Mickoski.
Ai shtoi se sipas informacioneve që ka marrë nga Inspektorati, në mbarë territorin e shtetit qytetarët dhe bizneset po furnizohen pa ndërprerje.
Rezervat shtetërore janë të mjaftueshme
Mickoski nënvizoi se rezervat shtetërore janë të mjaftueshme për një periudhë të gjatë dhe se gjendja energjetike në vend është stabile.
“Rezervat shtetërore mund të mbulojnë konsumin e plotë për më shumë se 62 ditë, furnizimi do të thosha se është më se i shkëlqyer. Kur filluam të ristartojmë naftësjellësin me fqinjin tonë jugor (Greqinë), shumëkujt i dukej e çuditshme dhe e pamundur, por u kaluan të gjitha testet dhe mund ta shfrytëzojmë edhe atë kapital. Mund ta vëmë në dispozicion edhe të fqinjëve. Maqedonia në këtë moment ka gjendje stabile energjetike, është faktor stabiliteti në rajon dhe qytetarët paguajnë çmimin më të lirë për naftën dhe derivatet,” shtoi Mickoski.(INA)
Lajme
Alpinisti i vdekur në Majën e Titos është nga fshati Xhepçisht?!
Personi që humbi jetën sot në zonën e “Kodrës së Diellit”, përkatësisht në afërsi të Majës së Titos, mësohet se është nga fshati Xhepçisht i Komunës së Tetovës, mëson tetova1
Sipas informacioneve të para, bëhet fjalë për një person mbi 70-vjeç, i cili kishte dalë në zonën malore si alpinist. Për shkak të terrenit të vështirë dhe të paarritshëm me mjete të zakonshme, trupi i pajetë është transportuar me helikopter nga zona malore. Autoritetet pritet të japin më shumë detaje lidhur me rrethanat e ngjarjes./tetova1.mk
Lajme
Maran e la jashtë listës së Kombëtares, reagon Jasir Asani
Jasir Asani ishte një nga befasitë e trajnerit Maran, pasi mëngjarashi nuk ishte pjesë e listës me 29 futbollistë të grumbulluar për 4 ndeshjet e kombëtares në Ligën e Kombeve.
Këtë Asani nuk e ka “kapërdirë” dot dhe ka reaguar në rrjetet sociale. Asani ka “ironizuar”, me dy postime të bëra.
“Po rri urtë, se e di veten. Historia nuk harrohet kurrë. Më mirë të mos flas më…”, shkruan Jasir Asani në rrjetet sociale.
Lajme
Këto janë të dhënat që nuk duhet t’ia jepni ChatGPT-së
ChatGPT është bërë pjesë e përditshmërisë së shumë njerëzve, të cilët e përdorin për gjithçka, nga recetat dhe CV-të, deri te këshillat për shëndetin dhe problemet në punë.
Por përdorimi gjithnjë e më i madh i chatbotëve po ngre shqetësime te ekspertët e privatësisë, të cilët paralajmërojnë se disa informacione personale dhe konfidenciale nuk duhet të ndahen në bisedat me inteligjencën artificiale.
Sipas ekspertëve të cituar nga “HuffPost”, përdoruesit duhet të shmangin ndarjen e të dhënave që mund t’i identifikojnë drejtpërdrejt.
Të dhënat personale
Emri i plotë, adresa, numri i telefonit, numri personal, të dhënat e pasaportës, patentës apo dokumenteve të tjera zyrtare janë ndër informacionet që këshillohet të mos ndahen.
Ekspertët rekomandojnë që edhe para ngarkimit të një dokumenti për analizë të hiqen të dhënat që mund të identifikojnë personin.
Problemet dhe informacionet intime
Komunikimi natyral me chatbotët mund t’i bëjë përdoruesit të ndajnë histori familjare, probleme personale apo informacione intime.
Ekspertët paralajmërojnë se një chatbot nuk duhet trajtuar si psikolog, mjek apo avokat, pasi nuk ka të njëjtat detyrime profesionale dhe ligjore për konfidencialitet.
Dokumentet mjekësore
Raportet mjekësore dhe analizat laboratorike mund të përdoren për të marrë shpjegime nga inteligjenca artificiale, por këshillohet që paraprakisht të fshihen emri, datëlindja, numri personal dhe të dhënat e tjera identifikuese.
Informacionet e kompanisë
Raportet e brendshme, kontratat, të dhënat e klientëve, kodet burimore dhe dokumentet që mbrohen nga marrëveshjet e konfidencialitetit nuk duhet të ngarkohen pa autorizim.
Një veprim i tillë mund të krijojë probleme ligjore, kontraktuale ose rregullatore për punonjësin dhe kompaninë.
Të dhënat financiare
Numrat e llogarive bankare, të dhënat e kartave të kreditit, informacionet mbi investimet, të ardhurat dhe deklaratat tatimore janë gjithashtu informacione që duhet të mbahen larg chatbotëve.
Ekspertët këshillojnë përdoruesit të kontrollojnë cilësimet e privatësisë në platformat e inteligjencës artificiale dhe, kur është e mundur, të kufizojnë përdorimin e bisedave për trajnimin e modeleve.
Një alternativë është përdorimi i pseudonimeve ose përshkrimeve të përgjithshme në vend të emrave dhe të dhënave reale, duke i dhënë chatbotit kontekstin e nevojshëm pa ekspozuar informacionet personale apo konfidenciale.
-
Lajme10 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
