Lajme
Sabriu nga Nju Jorku: Drejtësi për gratë do të thotë sistem që përshtatet me të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore
Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, po e përfaqëson Republikën e Maqedonisë së Veriut në sesionin e 70-të të Komisionit për Statusin e Grave në Nju Jork, i cili po mbahet në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Ngjarja bashkon përfaqësues të vendeve nga e gjithë bota të cilët i ndajnë përvojat, politikat dhe praktikat e tyre për të avancuar statusin e grave në shoqëri.
Gjatë gjithë kësaj jave, Sabriu po merr pjesë në disa ngjarje, ku ai ka mundësinë të prezantojë politikat dhe angazhimin e Maqedonisë së Veriut për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave në shoqëri.
Në prezantimin e tij në diskutimin në panel me titull “Forcimi i Qasjes së Grave në Drejtësi: Qasje e Përqendruar në Dhunën me Bazë Gjinore (DHBGJ),” Sabriu ka debatuar mbi kornizat institucionale dhe ligjore në Maqedoninë e Veriut që synojnë ofrimin e drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore.
Ai iu referua sistemit shumësektorial për mbrojtjen e viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, në të cilin marrin pjesë aktive institucionet kompetente, autoritetet gjyqësore dhe organizatat e shoqërisë civile. Theks i veçantë u vu në partneritetet me sektorin e shoqërisë civile, strategjitë për sigurimin e qëndrueshmërisë së shërbimeve, lidhjen e tyre me shërbimet sociale dhe ekonomike, si dhe në bashkëpunimin e koordinuar midis gjykatave dhe shërbimeve sociale me qëllim mbrojtjen dhe ri-integrimin afatgjatë të të mbijetuarve.
“Promovimi i drejtësisë gjithëpërfshirëse dhe të barabartë kërkon më shumë sesa garanci formale. Ligjet, institucionet dhe procedurat duhet t’u përgjigjen në mënyrë efektive përvojave reale të grave dhe vajzave në të gjithë diversitetin e tyre”, tha Sabriu.
Ai theksoi se përputhshmëria me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë detyrimet që rrjedhin nga Konventa e Stambollit, përcakton një bazë të qartë për veprim, por se efektiviteti i vërtetë matet përmes zbatimit të saj.
“Efikasiteti matet përmes zbatimit – përmes koordinimit, profesionalizmit dhe besimit në institucione”, theksoi Sabriu.
Ai po ashtu potencoi se një qasje shumësektoriale është i vetmi model i qëndrueshëm për mbrojtjen e të mbijetuarve.
“Kur policia, Qendrat e punës sociale, gjykatat, prokuroria, institucionet shëndetësore dhe organizatat e shoqërisë civile veprojnë në mënyrë të koordinuar, sistemi bëhet i parashikueshëm dhe i sigurt për të mbijetuarën. Shërbimet e integruara, licencimi i ofruesve të shërbimeve, vlerësimi i standardizuar i rrezikut dhe menaxhimi i rasteve janë hapa konkretë drejt një sistemi që funksionon”, shtoi Sabriu.
Sipas tij, një qasje e përqendruar te të mbijetuarit nënkupton që siguria, pavarësia ekonomike dhe ri-integrimi social janë po aq të rëndësishme sa mbrojtja gjyqësore.
“Prandaj, detyrimi ynë i përbashkët është i qartë: institucione që veprojnë me kujdesin e duhur, financim i qëndrueshëm i shërbimeve, investime në autonominë ekonomike të të mbijetuarve dhe një shoqëri në të cilën denoncimi nuk do të thotë rrezik, por mbrojtje”, theksoi Sabriu.
Ai shtoi se qasja e përqendruar te të mbijetuarat nuk është vetëm një metodologji, por edhe një përcaktim vlerash.
“Kjo do të thotë që sistemi nuk kërkon që gruaja të përshtatet me institucionet – përkundrazi, institucionet përshtaten me nevojat e saj”, përfundoi Sabriu.
Lajme
Kush është Valdrin Uka, drejtori i ri ekzekutiv i Shkëndijës
Më shumë se shtatë vite pjesë e klubit, Uka është një nga kuadrot e rritura dhe të përgatitura brenda strukturave të Shkëndijës, ndërsa ndryshimet e fundit pasqyrojnë planin e klubit për të ndërtuar një menaxhment të qëndrueshëm me njerëz nga brenda.
Ndryshimet e fundit në strukturën e KF Shkëndija nuk janë të rastësishme. Përtej emërimeve të reja në pozita drejtuese, ato pasqyrojnë një filozofi të qartë të klubit për të përgatitur kuadro nga brenda dhe për t’u besuar atyre përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha.
Në qendër të këtij riorganizimi është Valdrin Uka, i cili është emëruar Drejtor Ekzekutiv i Shkëndijës. Uka është pjesë e klubit prej më shumë se shtatë vitesh dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë pranë strukturave drejtuese, duke ndjekur nga afër funksionimin dhe zhvillimin e klubit. Vitet e kaluara në menaxhmentin e Shkëndijës e kanë shërbyer si një proces i gjatë përgatitjeje dhe kalitjeje për përgjegjësinë e re.
Në të njëjtën linjë janë edhe ndryshimet në Departamentin Sportiv. Erhan Selimi, deri tani Drejtor i Shkollës së Futbollit, avancon në pozitën e Drejtorit Sportiv, ndërsa Festim Ademi, pas rolit të Team Menaxherit, emërohet Drejtor Teknik i Departamentit Sportiv.
Të tre emërimet kanë një të përbashkët: bëhet fjalë për njerëz që tashmë njohin nga afër klubin, strukturën dhe mënyrën e funksionimit të tij. Kjo tregon se Shkëndija prej kohësh ka punuar në krijimin dhe përgatitjen e kuadrove të veta për pozita udhëheqëse.
Me vizionin dhe mbështetjen e drejtuesve dhe sponsorit të klubit, ndryshimet janë pjesë e një plani për një organizim më të balancuar dhe më profesional, duke ndjekur modelin e klubeve moderne ku investimi nuk bëhet vetëm te skuadra, por edhe te njerëzit që e drejtojnë dhe e zhvillojnë organizatën.
Në këtë drejtim, Shkëndija po tregon se kuadrot nuk kërkohen vetëm jashtë klubit, por ndërtohen, zhvillohen dhe përgatiten edhe brenda tij.
Lajme
Ardian Cuculi e mbyll kapitullin si drejtor sportiv i Shkëndijës
Pas tre viteve në pozitën e Drejtorit Sportiv, Ardian Cuculi përfundon angazhimin e tij te Shkëndija, njofton klubi kuqezi.
Pas përfundimit të angazhimit të Ardian Cuculit në pozitën e Drejtorit Sportiv, mbyllet një tjetër kapitull në rrugëtimin e tij të gjatë me klubin kuqezi.
Ish-kapiteni dhe një prej emrave që ka dhënë kontribut të madh për Shkëndijën në periudha të ndryshme, Cuculi përfundoi karrierën e tij si futbollist pikërisht me ngjyrat kuqezi, për të vazhduar më pas për tre vite në pozitën e Drejtorit Sportiv, duke qenë pjesë e sukseseve historike.
Klubi tetovar e falënderon Ardian Cuculin për punën, përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë gjithë viteve në Shkëndijë, duke i uruar shëndet, suksese dhe çdo të mirë në të ardhmen.
Lajme
DAP me paralajmërim për qytetarët: Dërgohen mesazhe të rreme, mos hapni linqe
Drejtoria e të Ardhurave Publike paralajmëron për mesazhe të rreme SMS, përmes të cilave qytetarët njoftohen se rimbursimi i tatimit është gati.
Në mesazhe përfshihet një link, i cili mund të përdoret për keqpërdorimin e të dhënave personale dhe bankare.
Nga DAP-i apelojnë qytetarët të mos e hapin linkun dhe të mos vendosin të dhëna të ndjeshme.
Të gjitha informacionet duhet të kontrollohen ekskluzivisht përmes kanaleve zyrtare të DAP-it dhe ueb-faqes ujp.gov.mk.
Qytetarëve u bëhet thirrje të jenë të kujdesshëm dhe t’i paralajmërojnë edhe të afërmit e tyre për mashtrimin e mundshëm.
-
Lajme9 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme9 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
