Lajme
A PO KTHEHET “NIPI” TE “DAJA”?! Ahmeti dhe Limani përsëri bashkë në Tiranë
Rishfaqjet e njëpasnjëshme të ministrit të Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, përkrah liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, po lexohen gjithnjë e më shumë si sinjale politike dhe jo thjesht si pjesëmarrje protokollare në aktivitete publike. Në një moment kur raportet brenda koalicionit “VLEN” janë të tensionuara dhe pozicioni i Limanit në Qeveri shihet si i lëkundur, çdo dalje e përbashkët me Ahmetin ushqen dilema për një ripozicionim të mundshëm politik. Në këtë kontekst, paraqitja e tyre në Tiranë, nën organizimin e kryeministrit Edi Rama, merr peshë përtej simbolikës së një samiti, duke ngritur pyetje nëse kemi të bëjmë me një afrimitet të ri politik apo me një strategji presioni brenda kampit qeverisës.
Brenda një periudhe të shkurtër, kjo është paraqitja e dytë e përbashkët e Limanit dhe Ahmetit në Tiranë, pasi ata u shfaqën së bashku edhe gjatë një iftari më 12 mars. Edhe atëherë, prania e tyre në të njëjtin ambient u interpretua si më shumë sesa një rastësi, duke nxitur spekulime për një afrim të mundshëm mes dy figurave, sidomos në rrethanat aktuale politike.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse gjatë qëndrimit të tyre të fundit në Tiranë ka pasur edhe një takim të drejtpërdrejtë mes tyre. Ajo që dihet është se të dy kanë qenë pjesë e të njëjtit manifestim, ku Limani ishte i përfshirë në një panel që trajtonte rolin e diasporës shqiptare në zhvillimin e komuniteteve lokale dhe promovimin e turizmit, ndërsa Ahmeti në një tjetër diskutim që prekte bashkëpunimin mes shtetit dhe diasporës. Në profilin e tij në rrjetet sociale, Ahmeti publikoi fotografi nga aktiviteti, në të cilat shihet edhe Limani pranë tij, duke e shoqëruar postimin me mesazhe për unitetin dhe bashkëpunimin e shqiptarëve.
“Ky samit shërben si një urë uniteti për shqiptarët kudo që janë, duke forcuar bashkëpunimin dhe përkushtimin për zhvillimin dhe perspektivën evropiane”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, mungesa e reagimeve zyrtare nga koalicioni VLEN për këtë paraqitje të re nuk ka kaluar pa u vërejtur. Heshtja vjen pas reagimeve të mëhershme, kur pas iftarit të marsit, figura nga ky koalicion sugjeruan publikisht se Limani po afrohej me Ahmetin. Vetë Limani atëherë kishte tentuar ta relativizonte situatën, duke theksuar se pjesëmarrja e tij ishte në cilësinë e ministrit dhe në respekt të traditës. Por paralelisht, ai kishte sinjalizuar për tensione të brendshme në “VLEN”, duke folur për një përpjekje për ta përjashtuar nga skena politike.
“Nuk është sekret se brenda VLEN po zhvillohet një betejë për të zëvendësuar protagonistët kryesorë me figura të tjera. Në këto rrethana, askush nuk mund të presë që unë të rri duarkryq”, kishte deklaruar Limani, duke lënë të hapur mundësinë e një reagimi politik. Këto zhvillime kanë shtuar paqartësitë rreth së ardhmes së tij në Qeveri. Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se gjatë muajve maj ose qershor pritet një rikonstruim i Qeverisë, proces që do të shoqërohet me konsultime mes partnerëve të koalicionit.
Ai ka theksuar se të gjitha çështjet do të diskutohen në kuadër të marrëveshjes mes partnerëve qeverisës – koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, “VLEN” dhe ZNAM – pa përjashtuar edhe pozicionet individuale të ministrave. Megjithatë, në një deklaratë të mëhershme, Mickoski kishte shprehur vlerësim për punën e Limanit, duke e cilësuar atë si një “vlerë të shtuar” në Qeveri, çka e bën edhe më të paqartë nëse zhvillimet e fundit do të reflektohen në vendime konkrete. Në këtë klimë pasigurie dhe tensioni politik, paraqitjet e përbashkëta të Limanit me Ahmetin nuk mbeten më vetëm fotografi nga aktivitete publike, por po interpretohen si pjesë e një loje më të gjerë politike, ku çdo lëvizje mund të jetë paralajmërim për zhvillime të reja në skenën politike shqiptare në vend. (koha.mk)
Lajme
Rikonstruimi i qeverisë pritet nga mesi i qershorit
Edhe pas shkrirjes së pesë subjekteve politike në një parti VLEN, mbeten të ngrira raportet me dy funksionarët Arben Fetai dhe Fatmir Limani. Ministri për qeverisje të mirë Arben Fetahu, vazhdon me ekskursionet jashtë shtetit, ndërsa Limani vazhdon të mos pyet për asgjë VLEN-in.
Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali tha se rikonstruimi i ekzekutivit pritet nga mesi i qershorit, në më shumë resorë qeveritare.
“Për kuadrot, të cilët do të merren me resorë të caktuar ende nuk e kemi diskutuar, është temë e hapur, përkatësisht a do të jetë kjo ministri në kuadër të VLEN-it është temë diskutimi por nuk ka ndonjë vendim. Nëse e vlerësojmë të gjithë se është resor i duhur dhe a do të mbetet, pavarësisht cila parti politike e merr një resor të caktuar, politikat janë të definuara dhe faktori njeri nuk e luan rolin kyç për ta ndryshuar politikën”, tha Bekim Sali, zëvendëskryeministër i parë.
Njëri nga kryetarët e VLEN-it Bilall Kasami tha seduke i ditur raportet e Limanit me Mickoskin, ka pasur shumë telefonata e shumë porosi, duke i kërkuar sqarime nga vetë strukturat partiake.
“Nga momenti i vete përjashtimit të z.Limani nga Lëvizja BESA dhe rrjedhimisht edhe nga VLEN-i, ai veçse e ka përjashtuar veten edhe nga qeverisa si propozim i VLEN-it. Tash çfarë mund të ndodh në të ardhmen politikisht për atë çështje duhet ta pyesni zotërinë në fjalë apo eventualisht do të ketë ndonjë kombinatorikë me ndonjë parti tjetër politike. Por, siç e përmenda hisen e shqiptarëve në qeveri do vazhdoj ta përfaqësoj VLEN-i sipas marrëveshjes fillestare që e kemi pas me kryeministrin”, u shpreh Bilall Kasami, njëri nga kryetarët e VLEN-it.
Ditë më parë Ministër i politikës sociale dhe demografisë Fatmir Limani tha se aktualisht është ministër i popullit, në pushtetin ndërmjet partnerëve të koalicionit të VLEN dhe VMRO. Por, ai nuk e pohoi e as nuk e mohoi që në rikonstruimin e qeverisë a do të vazhdoj të mbaj post ministror si kuadër i ndonjë partie. Limani është parë së fundmi edhe i afruar nëpër evenimente me BDI-në.
Lajme
Krisin grushtat ende pa nisur fushata në Kosovë/ Sami Lushtaku e bën për spital kryetarin e VV-së në Skenderaj
Është sulmuar kryetari i Lëvizja Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, i cili është edhe kandidat për deputet nga kjo parti.
Sipas një statusi të Bahri Zabelit, Mehani është rrahur nga Sami Lushtaku dhe njerëzit e tij.
Ndërsa tashmë është publikuar edhe një video nga vendi i ngjarjes.
Sulmi ka ndodhur në një lokal.
Lajme
Nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën për herë të parë do të marrin dëftesa digjitale
“Krahas dëftesave të shtypura në letër në fund të këtij viti shkollor, nxënësit nga klasa e parë deri në të tretë për herë të parë do të pranojnë edhe dëftesa digjitale, si rezultat i përkushtimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për digjitalizimin e arsimit”. Kështu thonë në një njoftim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
“Këtë vit shkollor fillojmë me vendosjen graduale të dëftesave digjitale. Ato do të kenë vlefshmëri të njëjtë me dëftesat në letër, të cilat gradualisht do të zëvendësohen, gjë që do të lehtësojë punën administrative të shkollave, do të ulë shpenzimet për shtypje dhe do të mundësojë qasje online në dokument në çdo kohë. Vazhdojmë me digjitalizimin e sferës së arsimit. Jam e kënaqur me intensitetin e këtij procesi, sepse pothuajse të gjitha procedurat për realizimin e të drejtave dhe shërbimeve janë thjeshtësuar dhe realizohen në mënyrë elektronike. Mbetet edhe regjistrimi në arsimin e lartë, ndërsa me implementimin e dëftesave digjitale hapet mundësia për realizimin edhe të këtij qëllimi”, deklaroi ministrja Vesna Janevska.
Një operator i Telekomunikacionit në vend ka dhuruar nënshkrime elektronike për të gjitha 368 shkollat fillore në vend, me ç’rast do të mundësohet realizim më i thjeshtë, më i shpejtë dhe më efikas i procesit të lëshimit të dëftesave digjitale.
Me vendosjen e dëftesave digjitale, nxënësit dhe familjet e tyre do të kenë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në dokumente, ndërsa shkollat do të përfitojnë proces më efikas administrativ dhe arkivë të përhershme elektronike.
Çdo dëftesë digjitale ruhet në arkivë të përhershme elektronike dhe sipas nevojës dhe kërkesës së nxënësit ose familjes së tij, mund të shtypet nga shkolla. Në vitet në vijim, dëftesat digjitale do të fillojnë të zbatohen gradualisht edhe për nxënësit e klasave më të larta.
-
Lajme6 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme5 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
