Lajme
“Lexojnë, por nuk kuptojnë” – PISA ndez alarmin në arsimin e Maqedonisë së Veriut
Rezultatet e PISA 2025 nuk janë vetëm një statistikë e radhës për arsimin. Ato hapin një pyetje shumë më të madhe: çfarë po u mësojmë fëmijëve tanë dhe, mbi të gjitha, a po i mësojmë të kuptojnë atë që mësojnë?
Sipas rezultateve zyrtare të OECD-së, vetëm 26% e 15-vjeçarëve në Maqedoninë e Veriut arrijnë nivelin bazë të aftësisë në lexim. Kjo do të thotë se rreth 74% mbeten nën këtë prag. Në matematikë, nivelin bazë e arrijnë vetëm 32% e nxënësve, ndërsa në shkencë 36%. Në të tria fushat, rezultatet janë dukshëm nën mesataren e OECD-së përcjell INA.
Por problemi nuk është thjesht se nxënësit “marrin pikë të ulëta” në një test ndërkombëtar. Problemi është se një pjesë e madhe e tyre kanë vështirësi me atë që quhet shkrim-lexim funksional – të kuptojnë një tekst, të gjejnë informacionin e rëndësishëm, të lidhin të dhënat dhe të nxjerrin një përfundim.
Dhe kjo është pikërisht ajo që e bën rezultatin shqetësues. Një i ri që ka vështirësi të kuptojë një tekst sot, nesër mund të ketë vështirësi të kuptojë një kontratë pune, një udhëzim mjekësor, kushtet e një kredie, një lajm apo edhe një program politik.
PISA, pra, nuk po na tregon vetëm se çfarë dinë nxënësit. Po na tregon sa janë në gjendje ta përdorin atë që dinë në jetën reale.
Reagimet e profesorëve: problemi nuk është vetëm te nxënësit
Rezultatet e PISA-s kanë nxitur reagime të shumta edhe nga profesorë dhe punonjës të arsimit, të cilët e shohin problemin si më të thellë se një rezultat i dobët në një test ndërkombëtar.
Një pjesë e tyre vë në dukje se nxënësit po lexojnë gjithnjë e më pak dhe po mbështeten më shumë te përgjigjet e gatshme në internet, duke humbur gradualisht aftësinë për të lexuar me kuptim, për të analizuar informacionin dhe për të nxjerrë përfundime.
Të tjerë theksojnë se përgjegjësia nuk mund t’u ngarkohet vetëm fëmijëve. Sipas tyre, edhe mënyra e mësimdhënies duhet të ndryshojë. Programet mund të jenë moderne, por nëse zbatohen me metoda të vjetra, rezultatet do të vazhdojnë të jenë të dobëta.
Në reagime vihet në dukje edhe roli i prindërve, mungesa e leximit në familje, përdorimi i tepruar i pajisjeve elektronike dhe dobësimi i interesit për librin.
Një tjetër pikë e rëndësishme e ngritur në këto reagime është se nuk mund të fajësohen vetëm nxënësit. Mësuesit duhet të përshtatin metodat e punës me gjeneratat e reja, ndërsa arsimi duhet të fokusohet më shumë te diskutimi, analiza, mendimi kritik dhe zbatimi praktik i njohurive.
Mesazhi që përsëritet është i qartë: PISA nuk duhet të shërbejë vetëm për të numëruar pikët e nxënësve, por për të kuptuar se ku po dështon sistemi dhe çfarë duhet të ndryshojë.
A po mësojmë për të kaluar testin apo për të kuptuar?
Këtu ndodhet edhe një nga problemet kryesore. Nxënësi nuk duhet vetëm të mësojë përmendësh një përgjigje. Duhet të mësojë pse është ajo përgjigje, si arrihet tek ajo dhe si mund ta përdorë njohurinë në një situatë tjetër.
Rezultatet e vitit 2025 tregojnë se sfida është sistemike. Në Maqedoninë e Veriut, rezultatet në matematikë janë më të ulëta se në vitin 2022, ndërsa në lexim dhe shkencë kanë mbetur afërsisht në të njëjtin nivel. Në të njëjtën kohë, hendeku mes nxënësve me rezultatet më të larta dhe atyre me rezultatet më të dobëta është zgjeruar në të tria fushat.
Kjo do të thotë se problemi nuk zgjidhet vetëm me një ndryshim të teksteve shkollore, me një reformë tjetër të programeve apo me një projekt të ri që do të prezantohet si “transformim i arsimit”.
Duhet të ndryshojë mënyra e mësimdhënies.
Teknologjia nuk mund të zëvendësojë të menduarit
Teknologjia dhe inteligjenca artificiale e bëjnë këtë sfidë edhe më të madhe. Ato mund të jenë mjete të fuqishme për mësim, por nëse përdoren vetëm për të marrë një përgjigje të gatshme, atëherë rrezikojnë ta zëvendësojnë pikërisht procesin që arsimi duhet ta zhvillojë: të menduarit.
PISA 2025 tregon gjithashtu se përdorimi i pajisjeve digjitale në shkolla është bërë pjesë e rëndësishme e realitetit arsimor. Në Maqedoninë e Veriut, 33% e nxënësve kanë raportuar se shokët e klasës shpesh shpërqendrohen nga pajisjet digjitale gjatë orëve të shkencës. Nxënësit që raportojnë këtë shpërqendrim kanë pasur mesatarisht rezultate 22 pikë më të ulëta.
Ndërkohë, 44% e nxënësve thonë se përdorin chatbot-e me inteligjencë artificiale për detyra shkollore të paktën një herë në javë.
Pra, çështja nuk është nëse teknologjia duhet të jetë në shkollë apo jo. Pyetja është si duhet të përdoret ajo që teknologjia të ndihmojë nxënësin të mendojë, e jo të mendojë në vend të tij.
Nuk është vetëm problemi i fëmijëve
Rezultatet e PISA-s duhet të shërbejnë si alarm për të gjithë: për Ministrinë e Arsimit, për mësuesit, për prindërit, por edhe për vetë shoqërinë.
Sepse një sistem arsimor nuk mund të jetë më i mirë se rezultatet që prodhon në jetën reale.
Nëse rreth 74% e 15-vjeçarëve nuk arrijnë nivelin bazë të aftësisë në lexim, atëherë pyetja nuk është më vetëm “pse fëmijët nuk lexojnë?”
Pyetja është: çfarë kemi bërë ne që ata të duan të lexojnë, të dinë të kuptojnë dhe të kenë aftësi të mendojnë në mënyrë të pavarur?
Ndoshta para reformës së radhës na duhet diçka më themelore: të rikthejmë kulturën e leximit, diskutimit, pyetjes, argumentimit dhe mendimit kritik.
Sepse një fëmijë që di të lexojë, por nuk kupton atë që lexon, nuk është thjesht problemi i një testi PISA.
Është alarmi i një shoqërie të tërë./INA/
Lajme
Ulen çmimet e derivateve të naftës në Maqedoni
Komisioni Rregullator i Energjetikës, i Shërbimeve të Ujit dhe i Shërbimeve të Menaxhimit me Mbeturina Komunale i Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE) solli vendimin, me të cilin bëhet ulja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht 1,89% në raport me vendimin e datës 19.10.2026.
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 ulen për 5,00 den/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i ЕURODIZELIT (D-Е V) nuk ndryshon.
Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) ulet për 0,50 den/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 0,694 den/kg dhe tani do të jetë 54,273 den/kg.
Nga data 27.10.2026, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
EUROSUPER BS – 95 do të shitet për 91,00 (denarë/litër)
EUROSUPER BS – 98 do të shitet për 93,00 (denarë/litër)
EURODIZEL BS (D-E V) do të shitet për 99,00 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) do të shitet për 110,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU do të shitet për 54,273 (denarë/kilogram).
Lajme
Filipçe, Mickoskit: Shpalli vetë zgjedhjet, ne nuk të bëhemi alibi!
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe sot e përsëriti qëndrimin e tij për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend dhe siç tha nuk do të jenë alibi i kryeministrit Hristijan Mickoski për shpalljen e zgjedhjeve.
“Ne e kemi thënë dhe do ta përsëris qëndrimin tonë, nuk do të jemi alibi për Hristijanin për zgjedhje, ai ka shumicën prej dy të tretash, le t’i shpallë zgjedhjet. Po presim që ai të japë rezultate, të japë një standard më të mirë, një jetë më të mirë, kjo është ajo që premtoi. Kushte më të mira në shkolla, në spitale, për fermerët, për pensionistët, një jetë më të mirë për punëtorët, nuk ka asgjë nga kjo. Pozicione më të mira negociuese, nuk ka asgjë, lufta kundër korrupsionit, krimit, nuk ka asgjë”, thotë Filipçe.
Ai theksoi se korrupsioni po lulëzon, e përmendi edhe rastin me Lotarinë Shtetërore dhe Artan Grubin, si dhe se 3.000 familje të reja me fëmijët e tyre janë shpërngulur, dhe tani janë 3.000 nxënës të klasës së parë më pak.
I pyetur nëse anëtarët e “Platformës 12.05” ishin të ftuar në bisedime, Filipçe u përgjigj se të gjithë janë të blerë nga qeveria dhe punojnë për interesat e saj. Lideri i LSDM-së theksoi se anëtarët e Platformës ishin të ftuar, dhe siç tha ai, ata ende janë të ftuar të vijnë dhe të bisedojnë.
Ai vuri re se në këtë mënyrë, ndërsa siç tha ata njerëz po punonin për një agjendë tradhtare.
“Sa të mjerë duhet të jenë këta njerëz që të punojnë për një agjendë kaq të pabesë? Absolutisht, nuk do t’ia dalin mbanë. Të gjithë janë blerë nga qeveria dhe po punojnë për interesat e saj”, thotë Filipçe.
Lajme
Shpallet në kërkim i dyshuari që ia mori jetën Arlinda Zekajt
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Albert Sylajn, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt, në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, shpallja e tij në kërkim është bërë me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Pejë, me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të tij.
I dyshuari Albert (Sylejman) Sylaj ka lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan.
Policia ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve, duke ftuar të gjithë ata që kanë informacione për vendndodhjen e tij që të njoftojnë Policinë e Kosovës ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
