Lajme
Gratë e Maqedonisë së Veriut martohen në moshë më të re, në krahasim me gratë nga vendet e rajonit

Gratë në Maqedoninë e Veriut martohen në moshë më të re në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Mosha mesatare në të cilën femrat e vendit tonë martohen është 26.6 vjet, tregojnë analizat e statistikës së portalit “Landgeist”, të bazuara me të dhënat e Eurostatit.
Vajzat në Malin e Zi martohen në moshën mesatare 27.5 vjeç, në Bullgari 28.3, në Serbi 28.5, në Kroaci dhe Kosovë 28.8 dhe në Greqi 30.9.
Në shumicën e vende evropiane, gratë martohen për herë të parë mbi moshën 30 vjet. Dallimi mes Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore është i dukshëm, sa më shumë të shkosh në perëndim, aq më e lartë është mosha mesatare.
Më të reja martohen ukrainaset në 24.9 vjeç, vajzat në Bjellorusi në 25.1 vjeç dhe në Turqi në 25.22 vjeç.
Gratë në Suedi, ndërkaq, martohen në një moshë mesatare 34.8 vjeç, në Spanjë në 34.7 dhe në Norvegji në 34.1.
“Landgeist” vëren dhe se mosha në të cilën gratë martohen nuk do të thotë domosdoshmërish që ato të hyjnë në një lidhje ose të krijojnë familje më vonë. Nëse shihet harta në pjesën e lindjes jashtë martese, duket gjithnjë e më shumë çifte po bëjnë fillimisht fëmijë, ndërsa më pas martohen ose në përgjithësi nuk martohen.
Lajme
Që nga mosha 15 vjeçe ishte në koma, ndërroi jetë në moshën 36-vjeçare “Princi i fjetur” i Arabisë Saudite

Princi saudit Al-Waleed bin Khalid Al-Saud është ndarë nga jeta në moshën 36-vjeçare, pasi kaloi më shumë se dy dekada në koma pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Londër në vitin 2005, kur ishte vetëm 15 vjeç.
I njohur gjerësisht si “Princi i fjetur”, Al-Waleed pësoi një hemorragji cerebrale dhe gjakderdhje të brendshme në tru si pasojë e aksidentit tragjik. Prej asaj kohe, ai u mbajt në jetë me aparatura, por nuk arriti kurrë të rikuperohej plotësisht apo të rifitonte ndërgjegjen.
Vdekja e tij u bë e ditur nga babai i tij, Princi Khaled bin Talal Al Saud, përmes një postimi prekës në rrjetin social X (ish-Twitter), ku citoi një varg nga Kurani dhe tha:
“Me zemra që besojnë në vullnetin dhe caktimin e Allahut, dhe me trishtim të thellë, e njoftojmë ndarjen nga jeta të djalit tonë të dashur: Princit Al-Waleed bin Khaled bin Talal bin Abdulaziz Al Saud. Allahu e mëshiroftë.”
Princi Khaled u angazhua personalisht në kujdesin për të birin ndër vite dhe kundërshtoi çdo thirrje për të shkëputur aparaturat që e mbanin në jetë.
Lajmi për ndarjen nga jeta të princit ka prekur mijëra njerëz në rrjetet sociale, ku hashtag-u “Princi i fjetur” është bërë viral. Përdorues nga mbarë bota kanë shprehur ngushëllimet e tyre.
“Zoti e mëshiroftë Princin Al-Waleed. Ngushëllime të sinqerta për familjen,” shkroi një përdorues.
“Jeta jote ishte një bekim për familjen dhe botën,” shkroi një tjetër.
Lutjet mortore për Princin Al-Waleed do të mbahen sot në Xhaminë Imam Turki bin Abdullah në Riad.
Lajme
Izraeli po i lë civilët në Gaza të uritur, përfshirë 1 milion fëmijë, thotë UNRWA

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) përsëri ka akuzuar autoritetet izraelite se po përdorin urinë si armë lufte kundër popullsisë civile të Gazës, transmeton Anadolu.
UNRWA në platformën sociale X tha se “autoritetet izraelite po i lënë civilët të uritur në Gaza dhe midis tyre janë 1 milion fëmijë”.
Ajo përsëriti thirrjen e saj urgjente për heqjen e rrethimit të vazhdueshëm të Izraelit, duke theksuar, “Hiqni rrethimin. Lejoni UNRWA-në të sjellë ushqim dhe ilaçe”.
Pavarësisht detyrimeve ligjore ndërkombëtare për të mbrojtur civilët dhe për të lejuar shpërndarjen e ndihmës, Izraeli ka mbajtur një rrethim total në Gaza që nga 2 marsi, duke bombarduar konvoje, duke bllokuar kalimet kufitare dhe duke synuar pikat e shpërndarjes së ndihmës, veprime që janë dënuar gjerësisht si ndëshkim kolektiv dhe krime të mundshme lufte.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, dhjetëra fëmijë kanë vdekur tashmë nga uria dhe dehidratimi, ndërsa qindra mijëra të tjerë janë në rrezik për shkak të pasigurisë së përhapur ushqimore dhe rënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
Vetëm të shtunën, raportuan burime zyrtare palestineze, sulmet izraelite vranë të paktën 136 palestinezë, përfshirë 38 persona që prisnin ndihmë dhe tre fëmijë që vdiqën nga kequshqyerja e rëndë.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në Gaza ka vrarë të paktën 59 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën, pothuajse kanë shembur sistemin shëndetësor dhe kanë krijuar kushte të ngjashme me urinë.
Lajme
Shkup-Bllacë, VLEN-i thotë se nis finalizimin e rrugës së shumëpritur!

Një ndër rrugët më të shumëpritura për shqiptarët, korridori jetik që lidh Shkupin me kufirin e Bllacës, po hyn në fazën e saj përfundimtare! Kështu e nis njoftimin për media koalicioni VLEN, ndërsa informon se Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” ka hapur procedurat për prokurim publik për fazën përgatitore të projektit final për ndërtimin e kësaj rruge, një hap konkret që vulos vullnetin tonë për të kthyer në realitet atë që për dekada ka mbetur vetëm premtim.
“Pas zhvatjes së pafundme dhe ngecjes së qëllimshme nga qeverisjet e kaluara, më në fund po i japim fund manipulimeve me këtë projekt. Në vend të fasadës e propagandës, sot kemi veprim, vendosmëri dhe rezultate. Vetëm një vit pas hyrjes në Qeveri, VLEN po prodhon zgjidhje dhe jo alibi, zhvillim dhe jo show politik. Ky është vetëm fillimi i një epoke të re për infrastrukturën shqiptare, epoka e llogaridhënies dhe punës konkrete. Për shumë vite me radhë, projekti Shkup-Bllacë u përdor si mjet zgjedhor, u stërpërdor për marketing politik, por sot, situata ka ndryshuar. Me VLEN në qeveri, projektet nuk lihen më në harresë, ato ecin përpara. Zhvatja dhe propaganda ishin metodë pune. Por sot, situata ka ndryshuar. Me hyrjen e VLEN në Qeveri, projekti ka marrë udhë dhe vullneti për punë po jep frytet e para. VLEN nuk premton për kamerë, VLEN vepron në terren”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Kjo rrugë, thuhet tutje në njoftim, nuk është thjesht një lidhje infrastrukturore, por simboli i një fillimi të ri për shqiptarët: një rrugë drejt zhvillimit ekonomik, integrimit europian dhe respektit të ndërsjellë. “Po e kthejmë fjalën në vepër. Po i japim fund mashtrimit dhe stagnimit. Shkup-Bllacë, më afër se kurrë, sepse VLEN punon!”.
-
Lajme9 months ago
Detaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lajme1 year ago
Këto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lifestyle1 year ago
Trashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme1 year ago
Burrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 year ago
Ja kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme1 year ago
Detajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
-
Lajme1 year ago
Ja kush janë 19 deputetët e koalicionit “Fronti Evropian” (LISTA)
-
Lajme1 year ago
KSHZ publikon rezultatet e para të zgjedhje parlamentare