Connect with us

Lajme

KSHZ: VMRO-ja fitoi 58 deputetë, Fronti Europian-19, LSDM-18

Me fitoren e Gordana Siljanovska Davkovës dhe të VMRO-DPMNE-së, sipas rezultateve fillestare të KSHZ-së përfunduan zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në vend. Të gjithë pjesëmarrësit, si dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor vlerësuan se zgjedhjet kaluan në atmosferë të qetë dhe demokratike.

Pas numërimit të 99,82 për qind të fletëvotimeve, Siljanovska Davkova fitoi 560.170 vota (65,14%) ndërsa kundërkandidati i saj Stevo pendarovski nga LSDM 251.541 (29,25%). Siljanovska Davkova është gruaja e parë presidente në vend. Në deklaratën e dhënë në konferencën e mbrëmshme për shtyp në Shtabin qendror zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, ajo premtoi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve.

“Unë pohoj se do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve. Kjo do të thotë e të gjitha grupeve etnike, e të gjithë anëtarëve të partive, e atyre të cilët nuk janë në parti, sepse nuk mundet asnjë president të synojë unitetin, nëse mban linja partiake”, deklaroi Siljanovska Davkova.

Në konferencën e mbrëmshme për media në Shtabin Qendror Zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, Siljanovska Davkova tha se portat e, siç tha, “zyrave të huazuara qytetare” janë të hapura për të gjithë.

“Atë që e premtova në fushatën para zgjedhjeve, duke filluar nga zyrat popullore, përmes paraqitjeve në Parlament, përmes personaliteteve në Këshillin Gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Sigurisë, se do t’i kryej në bazë të profesionalizmit, kompetencës dhe nuk do ta harroj diversitetin”, tha ajo.

Siç shtoi, duhet të bëjmë përpjekje t’i japim fund ballkanizimit, t’i ndihmojmë njëri – tjetrit, të jemi politikanë.

“Për këtë duhet të fillojmë të kuptohemi mes vete, të ndihmohemi, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje”, tha ajo, duke shtuar se rrugët e saj prijnë së pari në Ballkan, ndërsa Brukseli, siç shtoi, nuk lihet anash.

Siljanovska Davkova potencoi se do t’i mbrojë interesat shtetërore dhe kombëtare.

Kundërkandidati i mbështetur nga LSDM dhe Koalicioni, i cili garoi për mandat të dytë, Stevo Pendarovski i uroi fituesit dhe u dëshiroi punë të suksesshme në katër vitet në vijim, përkatësisht pesë vite, duke cekur se rezultatet janë të qarta dhe se nuk ka ndërmend t’i arsyetojë më hollësisht.

“Koncepti im për Maqedoni multietnike plotësisht e integruar në strukturat euro-atlantike për fat të keq nuk mori mbështetje dhe jam i bindur thellë se vetëm e tillë Maqedonia mund të jetë e sukseshme”, tha Pendarovski.

Jam i bindur thellë, vazhdoi Pendarovsi, se vetëm e tillë Maqedonia mund të jetë e suksesshme, dhe ndërgjegjja ime është e pastër, por nuk besoj se e kanë të pastër ata të cilët penguan mijëra qytetarë që ta marrin edhe fletën e dytë dhe të votojnë për zgjedhjet presidenciale, duke iu referuar bojkotit të zgjedhjeve presidenciale.

Pendarovski i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që mundësuan që kjo ditë zgjedhore të zhvillohet në atmosferë demokratike, ndërsa për disa shkelje, theksoi ai, ua lëmë institucioneve kompetente që ta zgjidhin këtë.

Lidhur me zgjedhjet parlamentare, nga 99,27% të votave të numëruara, Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE fitoi 58 mandate për përbërjen e re të Kuvendit. Pas saj është koalicioni i Frontit evropian, kryesuar nga BDI me 19 mandate deputetësh, Koaliconi i kryesuar nga LSDM ka 18, koalicioni VLEN 13, E Majta dhe partia ZNAM nga gjashtë vende deputetësh.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se së shpejti do të fillojnë negociatat me partitë opozitare për koalicionim dhe tha se është i bindur se do të formojnë Qeveri në një kohë sa më të shkurtër dhe se procesi do të jetë transparent.

“Jemi në një fazë të avancuar të bisedimeve për një pako të fortë investimi që do të ndihmojë ekonominë. Këtë nuk desha ta shpall para fushatës për të mos u politizuar e njëjta, por prisni që në 100 ditët e para shumë lajme të mira për qytetarët dhe ekonominë e Maqedonisë”, shtoi ai.

Në konferencën e mbrëmshme për media në selinë e partisë, Mickoski theksoi se sonte janë mposhtur “krimi, korrupsioni dhe paaftësia”.

“Janë mposhtur edhe tradhtitë, përçarjet, ata qindra njerëz nga BDI dhe LSDM që mendonin se janë zotër të jetëve tona. Ata sot kanë dhembje koke, ka pse. Do të përgjigjen deri te i fundi. Secili që ka kryer krim dhe ka kryer korrupsion duhet të mbajë përgjegjësi që do të bazohet në drejtësi dhe ligje”, tha Mickoski duke shtuar se është triumfuar ndaj bojkotit të BDI-së.

Sipas tij, populli tregoi se nuk do të lejojë që individët të krijojnë kriza dhe të mbrohen përmes institucioneve.

“Populli iu dha leksionin më të rëndësishëm dhe e shpëtoi vendin e tij. Kjo gjeneratë ka mundësinë unike për të krijuar një kapitull të ri në të cilin Maqedonia do të jetë krenare dhe Maqedonia do të jetë e juaja dhe do të ketë një të ardhme që do të bazohet në vlera dhe shpresë. Do ta kthejmë shpresën dhe sonte kemi arsye për të festuar”, tha ai.

Rezultati i sotëm është zhgënjyes, LSDM-së i është dhënë goditje e rëndë, tha kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski në konferencën për media mbrëmë në selinë e partisë rreth rezultateve zgjedhore nga zgjedhjet e dyfishta dhe paralajmëroi proces të konsolidimit të partisë dhe zgjedhje të reja për kryetar dhe udhëheqësi të partisë.

Ai i vlerësoi zgjedhjet si korrekte dhe të lira, të organizuara sipas standardeve evropiane dhe ky është një hap i madh përpara si rezultat i lirisë së mediave dhe paqes dhe stabilitetit që kemi vendosur në vitet e kaluara. Ai i uroi fitoren konkurrentit politik VMRO-DPMNE dhe kryetarit të tyre Hristijan Mickoski si dhe Gordana Siljanovska Davkovës për zgjedhjen si presidente duke i dëshiruar që ta kryejë funksionin sipas kompetencave kushtetuese dhe përkushtimit euroatlantik.

Ai përgëzoi edhe qytetarët dhe anëtarësinë e LSDM-së ku edhe përkundër rezultateve të raundit të parë, dolën të votojnë me dinjitet dhe ndihmuan në arritjen e censusit për zgjedhjen e presidentit.
“LSDM përsëri tregoi patriotizëm dhe përgjegjësi për të qindtën herë. Më lehtë ishte që pas gjithë atyre akuzave dhe sulmeve të rreme nga VMRO-DPMNE të mos e mobilizonim anëtarësinë tonë për mosvotim në zgjedhjet presidenciale, por nuk ramë në atë kurth. Dëshmuam se Maqedonia është më me rëndësi për ne dhe kështu do të jetë gjithmonë. Rezultati i sotëm është zhgënjyes. LSDM-së i është dhënë goditje e rëndë jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga simpatizantët dhe mbështetësit e partisë. Në periudhën e ardhshme do të duhet më seriozisht dhe më thellë të gjejmë burimin dhe arsyet e këtij rezultati humbës”, tha Kovaçevski.

Ai paralajmëroi proces të konsolidimit të partisë dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja të të gjitha organeve partiake, duke filluar nga kryetari i partisë, udhëheqësia e deri te të gjitha organet e partisë.

“Nuk kam dyshim se shumë qytetarë sonte ndjejnë frikë, frikë nga pushteti i tepruar që ka një parti e cila njihet për shpërdorim të forcës. LSDM dhe koalicioni duhet të jenë një opozitë e fortë, e përgjegjshme dhe burrështetase”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se viti i ardhshëm është një mundësi për vendin që të vazhdojë integrimin evropian dhe nënvizoi se nëse humbet ai shans mund të humbet edhe një dekadë, por ndoshta një gjeneratë tjetër.

“LSDM do të sillet me përgjegjësi, por topi tani është në duart e qeverisë së re të udhëhequr nga Hristijan Mickoski”, tha Kovaçevski duke paralajmëruar mbi pasojat e përpjekjeve të mundshme për të bllokuar rrugën e Evropës dhe duke potencuar se vendi i Maqedonisë është në NATO dhe BE.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në paraqitjen e tij para mediave në selinë e partisë në Tetovë tha se Fronti evropian është forca e dytë në shtet pas zgjedhjeve të sotme.

“Legjitimitetin na e kanë dhënë qytetarët, shumica e shqiptarëve dhe komuniteteve të vogla si turqit, boshnjakët dhe romët të cilët i falënderoj dhe është hapi i parë drejt stazave të gjata të Frontit evropian deri në anëtarësim të plotë në BE”, tha ai.

Sipas Ahmetit, sot shteti më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe, zero probleme me fqinjët, sundim të ligjit dhe fillim të negociatave dhe hapjen e kapitullit të parë dhe mbledhjeve ndërqeveritare për fillim zyrtar të anëtarësimit në BE.

“Mbetemi fronti i fortë i misionarëve deri në realizimin e qëllimeve finale për anëtarësim në BE”, ka thënë ai.

Në pyetjen për të komentuar fitoren e VMRO-DPMNE-së, Ahmeti tha se duhet të priten rezultatet finale nga KSHZ-ja, por ia uroi fitoren Mickoskit.

Në pyetjen nëse dhe çfarë opozite do të ishin, duke pasur parasysh rezultatin e VMRO-DPMNE-së, Ahmeti përsëriti se duhet të respektohen votat e fituara.

Koalicioni VLEN doli fitues në të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Nga nesër fillojnë negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN. Urime të gjithë shqiptarëve, urime të gjithë qytetarëve, deklaroi mbrëmë Bilall Kasami nga Lëvizja BESA.

Kjo, sipas Kasamit është rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë.

“Koalicioni VLEN është fitues absolut te shqiptarët. Kjo si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë. Prandaj ju them 100 mijë herë ‘faleminderit, faleminderit, faleminderit!’ të gjithë atyre që erdhën dhe bënë ndryshimin në atdhe!”. Prandaj në emër të 100 mijë votave koalicionit VLEN ju themi faleminderit”, tha Kasami.

Sipas analizave që kemi, Kasami tha se me gjasë do të dalin me të njëjtin numër deputetësh sa koalicioni i BDI-së.

“Diferenca në vota nuk do të kalojë 10 mijë”, thekson Kasami.

Lëvizja ZNAM sonte shkroi historinë për Maqedoninë tonë. Konfirmuam minimum grup parlamentar dhe diku rreth 60 mijë vota. Do të jemi me qytetarët dhe do të punojmë për qytetarët, tha mbrëmë kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski.

Ai ka uruar qytetarët e vendit të cilët, siç tha, treguan “sens” për shtetin.

“Maqedonia zgjodhi president. Dua ta përgëzoj profesoreshën Gordana Siljanovska Davkova për fitoren e madhe dhe t’i uroj mandat të suksesshëm, ta udhëheq Maqedoninë në drejtimin e duhur, të jetë këtu gjithmonë pranë qytetarëve sepse lufta jonë është dhe do të jetë për qytetarët. Më lejoni ta përgëzoj edhe VMRO-DPMNE-në për fitoren bindëse që siguruan”, tha Dimitrievski.

Ai beson se këto zgjedhje do të jenë leksion shtesë për të gjitha subjektet tjera politike që gravitojnë në skenën politike.

“Me krenari mund të konfirmoj se ZNAM nga sonte e fillon luftën e saj për një Maqedoni të dinjitetshme”, nënvizoi Dimitrievski.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

38% e adoleshentëve janë duhanpirës: A do ta kufizojë më në fund Maqedonia duhanin?

Në këtë vend, pirja e duhanit prej kohësh është konsideruar jo vetëm një zakon, por edhe një simbol i lirisë personale dhe rezistencës ndaj standardeve të politikës evropiane të shëndetit. Ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane ku pirja e duhanit shihet gradualisht si një problem i shëndetit publik, në Maqedoni shpesh perceptohet si një akt i autonomisë individuale, dhe nganjëherë si një “rezistencë kulturore” ndaj evropianizimit dhe rregulloreve të rrepta. Ky interpretim kulturor krijon një situatë unike ku ekzistojnë ligje për mbrojtjen nga pirja e duhanit, por zbatimi i tyre është shpesh formal dhe jokonsistent.

Sipas hulumtimit më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut , situata me përdorimin e duhanit në vend është shqetësuese. Rreth 45.4% e popullsisë së rritur janë duhanpirës aktivë, ndërsa 15.6% janë ish-duhanpirës. Jo-duhanpirësit, pra njerëzit që nuk kanë provuar kurrë produkte duhani, janë 39%. Kjo shkallë e duhanpirësve aktivë është dukshëm më e lartë se mesatarja evropiane prej 19.7%, por e ngjashme me atë në vendet e rajonit të Ballkanit, ku pirja e duhanit është e përhapur.

38% e adoleshentëve kanë provuar cigare

Sipas të dhënave, duhanpirësi mesatar aktiv në Maqedoni konsumon deri në 18 cigare në ditë, dhe numri më i zakonshëm është rreth 20 cigare, ose një pako në ditë. Burrat kanë tendencë të pinë më shumë cigare, veçanërisht ata që kanë një perceptim më të ulët të rreziqeve të pirjes së duhanit, një dëshirë të lartë për të pirë duhan dhe qasje në më shumë vende ku pihet duhan. Është interesante se dëshira për të lënë duhanin është më e lartë tek ata që pinë më pak cigare në ditë.

Lidhur me pajisjet moderne të ngrohjes së duhanit, siç është IQOS, vetëm 4.5% e të anketuarve ishin përdorues aktivë në kohën e anketës, por numri i përdoruesve pritet të rritet në të ardhmen.

Situata me të rinjtë është gjithashtu shqetësuese. Sipas anketës ESPAD të vitit 2019, 38% e adoleshentëve të moshës 15 dhe 16 vjeç kanë provuar cigare, ndërsa 21% kanë provuar cigare elektronike. Gjithashtu, sipas Anketës Globale të Duhanit për të Rinj të vitit 2016, 7.7% e të rinjve të moshës 13 deri në 15 vjeç janë duhanpirës aktivë. Të dhënat nga anketa e vitit 2018 mbi Sjelljen Shëndetësore të Fëmijëve në Moshë Shkollore tregojnë se deri në 4.1% e 11-vjeçarëve kanë provuar një cigare të paktën një herë, me përqindjen më të lartë tek djemtë (6.3%) sesa tek vajzat (2%).

Ligje pa zbatim

Përdorimi i duhanit dhe produkteve të duhanit në Republikën e Maqedonisë së Veriut rregullohet nga disa ligje, më të rëndësishmet prej të cilave janë Ligji për Mbrojtjen e Shëndetit , Ligji për Parandalimin e Duhanit dhe Ligji për Kontrollin e Duhanit dhe Produkteve të Përafërta . Përveç kësaj, në vitin 2006, Ministria e Shëndetësisë nënshkroi Konventën Kornizë për Kontrollin e Duhanit (FCTC) të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila synon të kufizojë sistematikisht përdorimin e duhanit dhe të mbrojë shëndetin publik.

Hulumtimet nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se zgjidhjet aktuale ligjore kanë pasur efekt të kufizuar për shkak të zbatimit jokonsistent dhe mbikëqyrjes së dobët. Nevojiten ndryshime të mëtejshme ligjore që do të rregullojnë më qartë dhe në mënyrë më të rreptë të gjitha aspektet e përdorimit, shitjes dhe promovimit të produkteve të duhanit.

Për shembull, ndryshimet e vitit 2018 në Ligjin për Mbrojtjen nga Duhani lejuan pirjen e duhanit në tarraca dhe vende të tjera të përcaktuara posaçërisht, dhe në vitin 2021 u legalizua përdorimi i pajisjeve të ngrohjes së duhanit në zona të caktuara të brendshme të lokaleve të hotelerisë. Megjithatë, ligji shpesh nuk zbatohet siç duhet, gjë që nxjerr në pah nevojën për inspektime dhe kontrolle të rregullta.

Ligji i parë për Parandalimin e Duhanpirjes në Maqedoninë e pavarur u miratua në vitin 1995 dhe brenda tre dekadave, pothuajse gjysma e popullsisë së rritur ishte bërë duhanpirës. Ligji u ndryshua dhe u plotësua disa herë, por rezultatet u panë vetëm kur kishte kontroll të vërtetë dhe zbatim të qëndrueshëm të dispozitave ligjore.

Projektligj i ri

Projektligji , i cili së fundmi është nënshtruar debatit publik, prezanton ndryshime serioze dhe rregulla më të rrepta për mbrojtjen e shëndetit publik. Risitë kryesore janë ndalimi i plotë i pirjes së duhanit në hapësirat publike dhe të punës, kufizime të rrepta në reklamimin dhe promovimin e duhanit dhe nikotinës, si dhe gjoba të larta për mosrespektimin e dispozitave ligjore.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se qëllimi i ligjit nuk është represioni, por parandalimi dhe mbrojtja e shëndetit, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë. Sipas tij, pirja e duhanit dhe nikotina janë shkaqet kryesore të vdekjeve të parandalueshme, dhe produktet e reja të nikotinës dhe marketingu agresiv synojnë të rinjtë, duke e bërë të domosdoshme mbrojtjen e plotë ligjore.

Projektligji parashikon një ndalim të plotë të pirjes së duhanit dhe përdorimit të cigareve elektronike, duhanit të nxehtë dhe produkteve të tjera të nikotinës. Risia është se ndalimi vlen edhe për automjetet private në prani të fëmijëve Pirja e duhanit është rreptësisht e ndaluar në institucionet e kujdesit shëndetësor, institucionet e mbrojtjes sociale, institucionet arsimore dhe kulturore, palestrat sportive, përpara objekteve ku qëndrojnë fëmijët, në institucionet shtetërore dhe komunale, në vendet e punës, në transportin publik, në objektet e hotelerisë dhe ato tregtare, si dhe në zonat e përbashkëta të ndërtesave të banimit . Një përjashtim lejohet vetëm në hapësira të hapura të përcaktuara në mënyrë strikte, të ndara fizikisht dhe të hapura në të paktën tre anët.

Një nga ndryshimet më domethënëse është ndalimi i plotë i reklamimit dhe promovimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës, duke përfshirë platformat dixhitale, influencuesit, sponsorizimet e eventeve dhe përmbajtjen mediatike. Përshkrimet e pirjes së duhanit në filma, seriale dhe videolojëra do të lejohen vetëm në raste të jashtëzakonshme për një audiencë të rritur, me një mesazh të detyrueshëm shëndetësor në lidhje me dëmin. Përveç kësaj, ndalohet prodhimi, importi dhe shitja e produkteve me aroma dhe shije që synojnë të rinjtë dhe rrisin mundësinë e varësisë së hershme.

Shitja e produkteve të duhanit me shumicë, nëpërmjet makinave shitëse, vetëshërbimit ose në internet, do të ndalohet, dhe shfaqja e produkteve në dyqane do të rregullohet në mënyrë strikte. Produktet e duhanit dhe nikotinës do të ruhen në dollapë të mbyllur, pa tërhequr vizualisht vëmendjen e blerësve.

Gjobat për mosrespektim

Projektligji prezanton gjoba të larta: për personat juridikë nga 2,000 deri në 5,000 euro, për personat përgjegjës deri në 2,000 euro dhe për individët nga 150 deri në 300 euro. Inspektorët do të kenë gjithashtu autoritetin për të vendosur një ndalim të përkohshëm për kryerjen e një aktiviteti deri në tre muaj për mosrespektim të ndalimit të pirjes së duhanit. Mbikëqyrja do të kryhet nga disa institucione, duke përfshirë Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Inspektoratin Sanitar, Inspektoratin e Punës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe autoritete të tjera përkatëse.

Përfundimi është se Maqedonia po lëviz drejt një kuadri ligjor dukshëm më të rreptë për kontrollin e duhanit dhe nikotinës. Historia tregon se ndërhyrjet ligjore vetëm nuk mund ta zvogëlojnë pirjen e duhanit nëse nuk zbatohen në mënyrë strikte dhe të vazhdueshme. Projektligji i ri ka potencialin për të mbrojtur sistematikisht publikun, veçanërisht të rinjtë, për të kufizuar zakonet e pirjes së duhanit dhe për të zvogëluar pasojat e dëmshme të duhanit në shëndetin e popullatës.

Me një ndalim të plotë në pothuajse të gjitha hapësirat publike dhe të punës, kufizime në reklama, ndalim të aromave dhe aromave, shitje të rregulluara në mënyrë strikte dhe gjoba të larta, zgjidhjet ligjore janë të gatshme të vendosin rend dhe kontroll, të cilat mungonin në të kaluarën, dhe të mundësojnë një ulje afatgjatë të pirjes së duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit të të gjithë qytetarëve.

Continue Reading

Lajme

Shtresa e borës në Kodër të Diellit arrin 24 centimetra

Temperatura më e ulët mëngjesin e sotëm, prej -7 gradë Celsius, është regjistruar në Shkup, pranë Petrovcit, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, Vijojnë Tetova, Velesi, Shtipi, Demir Kapija, Strumica dhe Berova me -6 gradë, -5 gradë në Shkup – Rripi i Zajçevit, Kumanova, Manastiri dhe Kavadari, -4 gradë në Prilep dhe Kodër të Diellit, -3 gradë në Gjevgjeli, -2 gradë në Krivë Pallankë, Vinicë, Mavrovë dhe -1 gradë në Ohër, Pretor dhe Krushevë.

Deri në orën 7 të mëngjesit, shtresa më e lartë e borës është 24 cm në Kodër të Diellit, 14 cm në Mavrovë, 13 cm në Krushevë dhe 1 cm në Tetovë dhe Gjurishtë.

Continue Reading

Lajme

NPK-Sharri njofton: Një pjesë e Tetovës pa ujë për shkak një defekti

“Për shkak të një defekti në rrugën Bllagoja Toska, furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë në një pjes të qytetit te Tetovës.
💧 Ekipet e NPK “Sharri” janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerë me kapacitet maksimal për të rikthyer sa më shpejt furnizimin me ujë.
🙏 Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe ju sigurojmë se uji do të rikthehet menjëherë pas sanimit të defektit.“, thuhet në njoftimin e Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri” Tetovë.

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme2 days ago

38% e adoleshentëve janë duhanpirës: A do ta kufizojë më në fund Maqedonia duhanin?

Në këtë vend, pirja e duhanit prej kohësh është konsideruar jo vetëm një zakon, por edhe një simbol i lirisë...

Lajme2 days ago

Shtresa e borës në Kodër të Diellit arrin 24 centimetra

Temperatura më e ulët mëngjesin e sotëm, prej -7 gradë Celsius, është regjistruar në Shkup, pranë Petrovcit, njofton Drejtoria për...

Lifestyle2 days ago

“Jam shpirt i lirë, s’më mban peng se gjërat kanë mbaruar” – Limi ia thotë troç Albës

Në një bisedë të hapur brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova 4, Limi ka folur për marrëdhënien e tij...

Lajme2 days ago

NPK-Sharri njofton: Një pjesë e Tetovës pa ujë për shkak një defekti

“Për shkak të një defekti në rrugën Bllagoja Toska, furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë në një pjes të...

Lajme2 days ago

Edhe 30 ditë paraburgim për ish-avokatin e Shtetit, Fehmi Stafa

Fehmi Stafa u arrestua më 13 dhjetor të vitit të kaluar, si pjesë e një procedure të nisur kundër tij...

Lajme2 days ago

Deri të premten mot i qëndrueshëm, gjatë fundjavës shi dhe borë

Moti sot do të jetë me diell me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë...

Lajme3 days ago

Incident në Pallaticë: Qytetarët raportojnë kërcënime pas një debati mes bashkëfshatarëve

Një rast kërcënimi është raportuar më 12 janar 2026 në SPB Tetovë nga A.B. (64) nga fshati Pallaticë, komuna e...

Lajme3 days ago

Për një vit, mbi 11 mijë punëtorë nga Maqedonia kanë marrë leje pune në Kroaci

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Slobodan Trendafillov në një postim në Facebook thotë se mbi 11 mijë punëtorë...

Lajme3 days ago

LSDM: Mickoski e çon vendin drejt izolimit me fushatë anti-BE

Qeveria aktuale e Kryeministrit Mickoski, në vend të integrimit, po e çon vendin drejt izolimit, akuzojnë sot nga LSDM. “Një...

Lajme3 days ago

Në Berovë -12 gradë, në Kodër të Diellit 26 centimetra borë

Në Berovë sot në mëngjes në orën 7 janë matir -12 gradë, -11 në Kriva Pallankë, -10 në Demir Kapi,...

Trending