Lajme
I merret pasaporta Ixhet Memetit, thotë se nuk ka bërë asgjë kundërligjshëm
Pas propozimit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjykatësi i procedurës paraprake sot i ka caktuar masa të sigurisë Ixhet Memetit, i dyshuari i dytë në hetimin lidhur me marrjen e ryshfetit, për ndikim në një rast, në të cilën i dyshuar i parë është gjykatësi suprem Naqe Georgiev.
Ixhet Memeti ka për obligim rregullisht të paraqitet në gjykatë, i është marrë pasaporta dhe nuk ka të drejtë të nxjerrë të re.
Në një prononcim për media para Gjykatës Penale, Memeti ka thënë se është në interes të të gjithëve që procedura të përfundojë sa më shpejt.
“Është në interesin tim dhe interesin e publikut që autoritetet të përfundojnë punën e tyre sa më shpejt. Kjo sigurisht që më prek mua si qenie njerëzore, megjithatë nuk është mirë të flas para mediave për një çështje që po zhvillohet në gjykatë. Ju siguroj se do të përfundojë shumë shpejt dhe do të dalë se nuk kam bërë asgjë kundërligjore”, tha Memeti.
Për raportet me gjyqtarin suprem Georgiev, ai tha se i njeh të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe është mik me ta, por se nuk ka biseduar për lëndët.
Ndryshe, më herët, Gjykata Penale i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh gjyqtarit suprem Naqe Georgiev, për shkak të ekzistimit të dyshimeve se mund të pengojë procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët dhe rrethanat që tregojnë se do ta kryejë apo përsërisë veprën penale. Ai së bashku me Memetin, dyshohet se kanë marrë ryshfet për të ndikuar në një proes gjyqësor kundër kryetarit të Novo Sellës.
Lajme
Hulumtimi për kohezionin social, bazë për politika më të forta dhe bashkësitë më gjithëpërfshirëse
Hulumtimi mbi kohezionin social dhe përdorimi i të dhënave dhe dëshmive konkrete për krijimin e politikave publike më efektive ishin në fokus të takimit të bashkëpunimit dhe bisedës në zyrat e UN në Shkup mes përfaqësuesve Laura Fiorotto dhe Ardita Zekiri si dhe Shpend Murati, shef i Kabinetit të ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati dhe dy përfaqësues të ministrisë Sueda Bajrami dhe Xhelal Çajani.
Gjatë takimit u diskutuan qasje të reja për forcimin e kohezionit social, me theks të veçantë te përdorimi i hulumtimeve dhe të dhënave për të mbështetur politika që kontribuojnë në krijimin e bashkësive më të forta, më gjithëpërfshirëse dhe më rezistente.
Një nga temat kryesore ishte SCORE Social Cohesion Survey, i cili ofron të dhëna dhe njohuri të rëndësishme për të kuptuar më mirë faktorët që ndikojnë në kohezionin social, marrëdhëniet ndërmjet bashkësive dhe sfidat me të cilat përballet shoqëria.
Në takim u theksua rëndësia që rezultatet e hulumtimeve të mos mbeten vetëm në nivel të analizave, por të shndërrohen në veprime dhe politika publike konkrete. Qasja e bazuar në dëshmi mundëson që vendimmarrja institucionale të jetë më e orientuar drejt nevojave reale të qytetarëve dhe rezultateve të matshme.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për mundësi të reja bashkëpunimi dhe për mënyra se si hulumtimi mbi kohezionin social mund të përdoret për të nxitur ndryshime pozitive sociale, zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.
Në këtë drejtim, u vu në pah rëndësia e lidhjes së hulumtimit me veprimin, përmes një kombinimi të të dhënave, dialogut dhe politikave të bazuara në dëshmi.
Takimi shënoi një tjetër hap në drejtim të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të ekspertizës për çështjet që lidhen me kohezionin social, përfshirjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Lajme
Nesër në Shkup tubim në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë
Forumi Rinor Shqiptar ka njoftuar se nesër do të organizojë një aktivitet sensibilizues në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, në prag të verdiktit përfundimtar.
Sipas njoftimit, aktiviteti do të mbahet në Sheshin “Skënderbej” në Shkup, duke nisur nga ora 18:00.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje, duke theksuar se përmes këtij tubimi synojnë të përcjellin një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së.
“UÇK-ja është pjesë e historisë dhe lirisë së shqiptarëve. Luftëtarët e lirisë meritojnë vetëm drejtësi. Të gjithë bashkë për drejtësi. Të gjithë bashkë për çlirimtarët! ”, thuhet në njoftim.

Lajme
Dëshmi që tronditi opinionin: Infermierja shtatzënë humbi foshnjën nga Ohri deri në Shkup, duke lutur për ndihmë
Infermierja Ljubica Shavreska ka ndarë publikisht përvojën e saj të dhimbshme dhe traumatike nëpër labirintet e sistemit shëndetësor maqedonas, e cila fatkeqësisht përfundoi me humbjen e fetusit në javën e 24-t të shtatzënisë.
Përmes një reagimi të hapur drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, ajo rrëfen orët e kaluara me dhimbje, pasiguri dhe, siç thotë ajo, me trajtim shpërfillës nga personeli mjekësor në disa institucione shëndetësore.
“Nuk kërkoj hakmarrje, kërkoj një sistem ku askush të mos ketë nevojë të kërkojë privilegj për t’u shpëtuar.”
Edhe pse beson se rezultati i shtatzënisë së saj ndoshta nuk mund të ishte parandaluar, Shavreska thekson se trajtimi çnjerëzor nga sistemi e bëri përvojën e saj edhe më traumatike.
Ajo thotë se nuk do të ngrejë padi dhe nuk kërkon ndëshkime për mjekët, por dëshiron të sensibilizojë opinionin për mënyrën se si trajtohen pacientët në Maqedoni.
“A duhet një grua shtatzënë të gjakoset, të përjetojë dhimbje të padurueshme dhe të lutet për ndihmë që dikush ta marrë seriozisht? A duhet pacienti të kërkojë ‘lidhje’ për të marrë një kontroll mjekësor?”, pyet ajo, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për institucionet kompetente.
Në reagimin e saj, ajo shpreh gjithashtu mirënjohje të madhe për disa punonjës shëndetësorë dhe persona që u përpoqën ta ndihmonin, duke kujtuar se pas çdo pacienti qëndron një njeri, ndërsa pas çdo gruaje shtatzënë – një nënë.
-
Lajme10 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
