Lajme
Mickoski kritikon ambasadorët: Po përzihen në punët e brendshme të shtetit
Hristijan Mickoski kritikon ambasadorët e jashtëm në vend se po përzihen në punët e brendshme të shtetit. Referuar deklaratave të ambasadorëve të SHBA-ve dhe të BE-së se nuk duhet të pezullohen Këshilli Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve, Mickoski porosit që nëse ata kanë një zgjidhje më të mirë, le ta tregojnë dhe se është i gatshëm ta bisedoj me ata, ne mënyrë që siç tha të përmirësohet përqindja e ulët e besimit në gjyqësor.
“Tashmë është bërë praktikë që ambasadorët të përzihen në punët e brendshme të shtetit. Në të njejtën kohë, po ata thonë se situata me sundimin e ligjit është katastrofale, në të gjitha raportet e tyre thonë se krimi dhe korrupsioni lulëzon, besimi në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve është 2-3%, është e dukshme që gjërat nuk funksionojnë. Ja ne kemi ofruar zgjidhje. Nëse ata dijnë një zgjidhje më të mirë, le të vijnë dhe ta thonë, jam i gatshëm të bisedojmë”, ka deklaruar Mickoski.
Lajme
Greçë 2026: Shtegtim në gjurmët e historisë dhe bukurive të Malësisë
OJQ “LABEATËT”, në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Tuzit, organizoi shtegtimin tradicional në Greçë, duke promovuar trashëgiminë historike të Memorandumit të Greçës dhe pasuritë natyrore të Kanionit të Cemit.
Shkruar nga Luigj Camaj dhe Alen Gjokaj
Në vazhdën e realizimit të aktiviteteve të saj tradicionale, OJQ “LABEATËT”, në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Tuzit, më 21 qershor 2026, organizoi shtegtimin tradicional në Greçë. Ky aktivitet kishte për qëllim njohjen, promovimin dhe ruajtjen e vlerave historike, kulturore dhe natyrore të kësaj treve me rëndësi të veçantë për Malësinë dhe historinë kombëtare.
Shtegtimi në Greçë ishte një përkujtim i denjë i ngjarjeve të rëndësishme historike të vitit 1911, kur në këtë vend u mbajt Kuvendi i Greçës dhe u hartua Memorandumi i Greçës, një nga dokumentet më të rëndësishme politike të kohës, që hodhi themelet e kërkesave për të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Krahas dimensionit historik, aktiviteti synoi edhe promovimin e bukurive natyrore të Lugut të Greçës, duke i dhënë shtegtimit një karakter edukativ, kulturor dhe turistik.
Në këtë aktivitet morën pjesë 37 persona. Përveç anëtarëve të OJQ “LABEATËT”, pjesëmarrës ishin edhe stafi i Organizatës Turistike të Tuzit, si dhe anëtarë të Klubit të Bjeshkatarisë “LIPOJA” nga Ulqini.
Pjesëmarrësit në ekspeditën historiko-turistike ishin: Luigj Camaj, Alen Gjokaj, Anton Lulgjuraj, Nikollë Gegaj, Prenkë Ivezaj, Gani Ceka, Rrok Gjokaj, Petrit Gjokaj, Marash Kalaj, Gjon Nicaj, Marjan Lulgjuraj, Alban Dedvukaj, Kristjan Bojaj, Mikail Bogdani, Gjeto Ulaj, Shtjefën Ivanaj, Mario Bojaj, Pjetro Dushaj, Makson Gojçaj, Togo Gojçaj, Nua Dushaj, Tom Ivezaj, Ilirjan Dedvukaj, Husein Palaj, Linda Camaj, Lubo Lucaj, Lindon Dedvukaj, Martina Dedvukaj, Linda Dedvukaj, Martin Dedvukaj, Martin Vulaj, Rilind Dedvukaj, Albert Dedvukaj, Nevila Nikaj, Linda Sinishtaj dhe Viktor Dedvukaj.
Udhëheqës i shtegtimit ishte Anton Lulgjuraj. Interpretimin e veçorive gjeografike, historike dhe natyrore të zonës e bëri Luigj Camaj.
Gjatësia e përgjithshme e itinerarit ishte rreth 13 kilometra. Rruga nga Lugu i Koritës drejt Greçës kalon nëpër një terren të larmishëm malor, ku ndërthuren bukuritë natyrore me gjurmët e historisë. Përgjatë ecjes pjesëmarrësit patën mundësi të njiheshin me vende karakteristike si Kodra e Muzheçkut, Maja e Sokolit, Gropa e Zezë, Lugu i Prosekut, Pusi i Kalbtë, Gropa e Harushës dhe shumë pika të tjera me vlera natyrore e historike.
Ekspedita vazhdoi nëpër hijen e ahishtave shekullore, dëshmitare të gjalla të historisë së kësaj treve. Trupat e mëdhenj të ahut, që dikur mezi përqafoheshin nga dy burra, vazhdojnë të qëndrojnë krenarë si monumente të gjalla të natyrës. Më tej shtegtarët kaluan pranë vendbanimit të Luk Toms Nikprelajt, një prej figurave të njohura të zonës, ndërsa në anën e majtë qëndronte madhështore Maja e Kujit.
Në Greçë, pjesëmarrësit u njohën më nga afër me rëndësinë historike të këtij vendi. Mbi historikun e Greçës foli Anton Lulgjuraj, duke rikujtuar ngjarjet që e bënë këtë vend simbol të qëndresës dhe vetëdijes kombëtare.
Pas kësaj, grupi vizitoi Kronin e Greçës, ku shtegtarët u freskuan me ujin e ftohtë malor dhe pushuan për pak çaste. Vizita vazhdoi drejt Kanionit të Cemit, një prej mrekullive natyrore më të veçanta të Malësisë. Nga buzët e kanionit pjesëmarrësit shijuan panorama mbresëlënëse, ku natyra ka krijuar peizazhe të rralla dhe spektakolare.
Kanioni i Cemit është një pasuri natyrore me vlera të jashtëzakonshme gjeologjike, ekologjike dhe turistike. Biodiversiteti dhe gjeodiversiteti i tij përbëjnë një harmoni të rrallë natyrore që vështirë gjendet në hapësira të tjera të rajonit. Buzët vertikale të kanionit ngrihen në lartësi prej 1100 deri në 1200 metra mbi nivelin e detit, duke krijuar pamje mahnitëse që lënë mbresa të pashlyeshme te çdo vizitor.
Nga kjo pikë mund të shihen qartë shumë prej vendeve karakteristike të zonës, si Bregu i Galë (Gala Smajlajve), Lugu i Dulë (Dulajve), Lugu i Kol Dokë (Kol Dokajve), Gropa e Carë (Carajve), Kroni i Greçës, Kroni i Krenit, Dritat e Greçës, Maja e Lerthit, Mregu dhe shumë lokalitete të tjera që përbëjnë mozaikun natyror dhe kulturor të Malësisë.
Me këtë shtegtim, OJQ “LABEATËT”, me mbështetjen e Organizatës Turistike të Tuzit, vazhdoi traditën e organizimit të aktiviteteve në Greçë, me shpresën që në vitet e ardhshme kjo nismë të tërheqë edhe më shumë pjesëmarrës dhe dashamirë të natyrës, historisë dhe kulturës.
Mbreteria e hijeve të freskëta të ahishtave dhe pyjeve me pisha që shtrihen në Lugun e Greçës mbetet ndër pasuritë më të çmuara të kësaj zone. Ajri i pastër, qetësia e maleve, aroma e luleve dhe gjelbërimi i pakufishëm krijojnë një atmosferë të veçantë, ku çdo vizitor ndien lidhjen e fortë me natyrën dhe trashëgiminë e vendit.
Nga kreshtat malore të Bjeshkëve të Kelmendit shpalosen pamje madhështore që të lënë pa frymë. Këto peizazhe, të soditura nga lartësitë e shqiponjave, ngjallin emocione të veçanta dhe mbeten gjatë në kujtesën e çdo shtegtari. Sikur vetë natyra të ftonte me fjalët e saj të heshtura: “Ejani përsëri, ju presim!”
“Grand Canyon” i Malësisë, Kanioni i Cemit, së bashku me ahishtat, pyjet dhe majat krenare të maleve tona, dëshmojnë për pasurinë e jashtëzakonshme natyrore që na është lënë trashëgim nga brezat e mëparshëm. Këto bukuri, të përshkruara me admirim nga shumë vizitorë vendas e të huaj, meritojnë të ruhen, të promovohen dhe të vizitohen edhe më shumë.
Këto janë vetëm disa nga përshtypjet dhe kujtimet e një dite të kaluar në Greçën historike. Fotografitë e “CeNo Rrogathi” Husein (Ceno) Palaj dhe përjetimet e pjesëmarrësve flasin edhe më shumë sesa mund të përshkruajnë fjalët.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe mbështetësit që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti, si dhe lexuesit që i kushtuan kohë këtij rrëfimi modest për një nga viset më të bukura dhe më domethënëse të Malësisë.
Lajme
Trotinetët elektrik vetëm për personat mbi 18 vjeç
Qeveria propozon ndryshime në Ligjin për Sigurinë në Komunikacion, me të cilat kufizohet përdorimi i trotinetëve elektrikë, ulet shpejtësia maksimale e lejuar dhe parashihet mundësia e konfiskimit të përkohshëm të tyre. Sipas propozimit, në të ardhmen trotinetët elektrikë do të mund të drejtohen vetëm nga persona mbi moshën 18-vjeçare, ndërsa shpejtësia maksimale e lejuar do të kufizohet në 20 kilometra në orë. Ndryshimet janë shqyrtuar në seancën plenare të Kuvendit. Përveç gjobave financiare, ligji parashikon edhe mundësinë e konfiskimit të përkohshëm të trotinetit elektrik për një periudhë prej 30 ditësh.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE dhe një nga propozuesit e ndryshimeve, Nikolla Micevski, deklaroi se nevoja për rregulla më të ashpra buron nga analizat e aksidenteve rrugore ku kanë qenë të përfshirë drejtues të trotinetëve elektrikë.
NIKOLLA MICEVSKI, KOORDINATOR I GRUPIT PARLAMENTAR TË VMRO-DPMNE-SË
“Po ndërhyhet në shpejtësi, pra shpejtësia maksimale të jetë deri në 20 km në orë me qëllim uljen e shkeljeve me trotinetët elektrikë, po rritet kufiri i moshës, mosha minimale 18 vjeç për drejtimin e trotinetëve. Kufiri i moshës po rritet sepse në më shumë se gjysmën e aksidenteve me trotinetë, ato drejtoheshin nga persona të moshës 16 dhe 17 vjeç. Propozimi është rigoroz, por lëmë hapësirë për amendamente të ardhshme”.
Micevski shtoi se gjatë dy viteve e gjysmë të fundit në aksidente trafiku kanë qenë të përfshirë rreth 2.000 persona, ku 46 prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa 556 kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Edhe pse masat e propozuara konsiderohen të rrepta, ai theksoi se ato lënë hapësirë për ndryshime dhe plotësime të mëtejshme në bazë të analizave të ardhshme.
Lajme
Avokatja nga Kumanova gjendet e vdekur në zyrën e saj
Një avokate 66-vjeçare nga Kumanova është gjetur pa shenja jete në zyrën e saj gjatë ditës së djeshme, përcjell INA.
Sipas informacioneve nga SPB-Kumanovë, më 23 qershor 2026, rreth orës 12:23, është raportuar se në një zyrë avokatore në Kumanovë është gjetur e vdekur S.Z.P. (66) nga Kumanova.
Në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë ekipi i Ndihmës së Shpejtë, ku mjeku ka konstatuar vdekjen e saj.
Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dërguar për autopsi, e cila pritet të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes.
Autoritetet po ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit.(INA)
-
Lajme7 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme7 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
