Lajme
Akuzë ndaj 36 vjeçarit që tentoi të vrasë kryetarin e Haraçinës
Prokuroria Publike ka ngritur akuzë ndaj një 36 vjeçari si i dyshuar për tentim vrasje ndaj kryetarit të Haraçinës, Ridvan Ibrahimi më 1 prill të këtij viti. Sipas organit të akuzës “Përderisa kryetari i komunës me bashkëpunëtorët e Komunës së Haraçinës dhe punonjësit e një kompanie kontraktuese ishin duke i kontrolluar punët ndërtimore, i dyshuari ka ardhur me motoçikletë, ka parkuar dhe i është afruar grupit të njerëzve me një automatik në duar. Ai filloi të qëllonte mbi kryebashkiakun dhe goditi me disa predha dy persona në afërsi të tij”. Prokuroria ka propozuar edhe masën e paraburgimit. Autori i dyshuar nuk është i qasshëm për organet ligj-zbatuese.
Lajme
Sulejmani reagon ndaj BDI-së për bursat: Rezultatet ende nuk janë përfundimtare, 2.470 bursa tjera pritet të publikohen
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani nga VLEN, ka reaguar ndaj pretendimeve të BDI-së për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme për vitin shkollor 2026/2027.
“Opinioni publik meriton një sqarim të bazuar në fakte, në kriteret e konkursit dhe në procedurat ligjore, e jo në interpretime të pjesshme të rezultateve”, ka shkruar Sulejmani.
Ai thekson se bursat nuk ndahen sipas përkatësisë etnike apo preferencave politike. Ato ndahen sipas kritereve të përcaktuara qartë dhe të publikuara paraprakisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Aplikimet i vlerësojnë komisione profesionale, me të njëjtat kushte dhe të njëjtën mënyrë pikëzimi për secilin kandidat.
Sipas tij, rezultatet e publikuara deri tani kanë të bëjnë me katër kategori me kushte specifike. Këto janë bursat për fëmijët pa prindër, për nxënësit e talentuar, për artistët e talentuar dhe për sportistët e talentuar. Në secilën prej tyre përzgjedhja bëhet mbi bazën e suksesit shkollor dhe të çmimeve ose rezultateve të dokumentuara.
Sulejmani nënvizon se këto rezultate nuk e japin pasqyrën përfundimtare. Në ditët në vijim pritet të publikohen rezultatet për 900 bursa për mbështetje sociale dhe për 1.570 bursa për nxënësit e paraleleve duale në arsimin profesional.
“Pikërisht në këto dy kategori, interesimi i nxënësve shqiptarë ka qenë dukshëm më i madh. Prandaj, çdo analizë për përfaqësimin e nxënësve shqiptarë duhet të marrë parasysh numrin e aplikimeve, plotësimin e kritereve dhe rezultatet në të gjitha kategoritë, e jo vetëm një pjesë të tyre”, thekson ai.
Sulejmani shprehet i hapur për publikimin e të dhënave të përmbledhura për numrin e aplikimeve, kriteret dhe rezultatet e pikëzimit, në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Ai shton se çdo kandidat i pakënaqur ka të drejtë ankese.
“Përfaqësimi i drejtë i nxënësve shqiptarë është çështje serioze, por ai duhet të trajtohet me përgjegjësi, transparencë dhe fakte të plota”, shkruan Sulejmani.
Ai i fton aktorët politikë që çështjet e arsimit të mos i trajtojnë vetëm përmes deklaratave politike. Ata duhet të ndihmojnë në informimin dhe inkurajimin e nxënësve, që të shfrytëzojnë mundësitë që u ofrohen.
“Përkushtimi ynë mbetet i qartë: mundësi të barabarta për çdo nxënës, respektim i kritereve dhe transparencë në çdo vendim”, ka përfunduar ai.
Lajme
BDI: Vetëm 80 nga 817 bursat për nxënës u ndanë për shqiptarët
BDI ka reaguar lidhur me rezultatet e konkursit për ndarjen e bursave për nxënës për vitin shkollor 2026/2027, duke ngritur shqetësime për përfaqësimin e ulët të nxënësve shqiptarë dhe duke kërkuar llogaridhënie nga Ministria e Arsimit dhe zëvendësministri Driton Sulejmani.
Sipas BDI-së, nga gjithsej 817 bursa të ndara, vetëm 80 u janë akorduar nxënësve shqiptarë, që përbën më pak se 10 për qind të numrit të përgjithshëm të përfituesve.
Në kumtesën e saj, BDI thekson se situata është edhe më shqetësuese në disa kategori të veçanta. Në kategorinë e nxënësve të talentuar, nga 50 bursa të ndara nuk ka përfituar asnjë nxënës shqiptar, ndërsa në kategorinë e artistëve të talentuar, vetëm katër nxënës shqiptarë kanë përfituar bursë nga gjithsej 150 të ndara.
“Nga 817 bursa të ndara, vetëm 80 nxënës shqiptarë”, thuhet në reagimin e BDI-së, e cila kërkon që VLEN-i dhe zëvendësministri Driton Sulejmani të japin përgjegjësi për atë që e cilëson si përfaqësim të pabarabartë.
BDI kërkon sqarim publik nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës lidhur me kriteret, procedurat dhe mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve, si dhe nëse është analizuar përfaqësimi sipas përkatësisë etnike.
“VLEN nuk mund të mjaftohet me pozitat qeveritare dhe deklaratat për përfaqësim, ndërkohë që rezultatet konkrete në një fushë kaq të rëndësishme si arsimi kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie”, thekson BDI.
Partia kërkon gjithashtu publikimin e të dhënave të plota për aplikimet, pikët e fituara dhe përfituesit sipas kategorive, duke vlerësuar se nxënësit shqiptarë duhet të kenë mundësi të barabarta për të përfituar nga mbështetja institucionale.
“Arsimi nuk duhet të jetë fushë ku nxënësit shqiptarë mbeten të nënpërfaqësuar”, përfundon reagimi i BDI-së. Flaka
Lajme
Pesë vjet nga tragjedia e “Besa Trans”: 45 jetë të humbura që nuk harrohen
Sot mbushen pesë vjet nga tragjedia në Bullgari, ku humbën jetën 45 qytetarë të Maqedonisë së Veriut. Më 23 nëntor 2021, rreth orës 2 të natës, një autobus nga Maqedonia u përplas dhe mori flakë në autostradën “Struma”, afër fshatit Bosnek, në jugperëndim të Sofjes. Viktimat po ktheheshin në Shkup nga një udhëtim në Stamboll, i organizuar nga agjencia “Besa Trans”. Mes të vdekurve ishin dymbëdhjetë fëmijë, dhe shumica e viktimave ishin shqiptarë.
Hetimet treguan se autobusi nuk kishte licencë ndërkombëtare për transport udhëtarësh dhe se kishte kaluar kufirin me dokumente të falsifikuara. Pronari i kompanisë, Bekim Haxhiu, u dënua në mars 2024 me një vit e tetë muaj burg. Gjykata e Apelit e ktheu lëndën në rigjykim, dhe gjykata e dënoi sërish me 20 muaj burg.
Pesë vjet më vonë, familjarët e viktimave ende kërkojnë drejtësi të plotë. Tragjedia e Bosnekut mbetet një plagë e hapur për Shkupin dhe për mbarë vendin.
I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle3 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme3 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme12 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 month agoÇmimi i naftës shënon rënie
