Connect with us

Lajme

Milazim Krasniqi: Shteti imagjinar kundër kombit shqiptar

Shkruan: Milazim Krasniqi

Para pak ditësh kremtuam 28 nëntorin, ditën e pavarësisë së Shqipërisë, e cila është data më e rëndësishme në historinë e kombit tonë. Meqë ne ende nuk e kemi një histori të shkruar dhe të verifikuar të kombit tonë, ne nuk e kemi vlerësimin e plotë të rëndësisë së kësaj date për fatet e kombit tonë, të cilat do të mund të ishin edhe më fatale nga sa qenë, po të mos ishte proklamuar atë ditë Shqipëria e mosvarme, si atdhe i të gjithë shqiptarëve, të të gjitha territoreve, të të gjitha grupeve sociale dhe të gjitha bindjeve politike e fetare. Pa atë pavarësi të proklamuar, me shumë gjasë etnia shqiptare më parë do të fshihej nga faqja e dheut, se sa që do të konsolidohej në një komb evropian, aq më pak në një komb unik, i cili e realizoi brenda vetes edhe sintezën e identiteteve fetare. Shqipëria e pavarur dhe e pandarë edhe sot mbetet kusht për ekzistencën e kombit shqiptar.

Projektet politike dhe planet ushtarake të shteteve ballkanike, sigurisht të miratuara edhe nga disa nga fuqitë evropiane ishin kundër ekzistencës së çfarëdo Shqipërie të pavarur. Në fakt ishin për shkatërrimin biologjik të shqiptarëve dhe asimilimin e atyre që do të mbijetonin. Ato projekte u vunë në zbatim sidomos gjatë lufërave ballkanike. Sipas demografit e historianit amerikan, Xhastin Mc Carthy, 27% e shqiptarëve janë vrarë, ndërsa 35% janë dëbuar nga vatrat e veta, që i bie se në total janë çrrënjosë 62% e shqiptarëve. “Të dhënat e Luftërave Ballkanike tregojnë se në Ballkanin Qendror dhe Perëndimor, 27% e myslimanëve kanë vdekur dhe 35% e tyre kanë marrë arratinë. Shqiptarët pësuan një vdekshmëri që ishte, të paktën, po aq e madhe.”(f. 16)
Produkti që u përftua pas gjenocidit serb e grek kundër shqiptarëve në luftërat ballkanike ishte një Shqipëri e dërrmuar, një komb i traumatizuar, i copëtuar, i defetarizuar, më saktë i deislamizuar, i cili nuk pati fuqi t’i kundërvihej ideologjisë komuniste, ku ajo u shfaq, sepse e kishte humbur ekuilibrin dhe imunitetin.

Megjithatë, pavarësia e Shqipërisë e pamundësoi zhdukjen e të gjithë shqiptarëve. Për ata shqiptarë që mbeten jashtë shtetit shqiptar, mbeti gjithnjë kërcënuese përsëritja e gjenocidit, gjë që u riciklua disa herë nga serbët e grekët. Por as gjithë ato mizori nuk u mjaftuan armiqve tanë. Prandaj ata rihartuan projekte për zhdukjen e shtetit shqiptar. Sponsorizuan rebelimin e haxhi Qamilit, Protokollin e Korfuzit, Marrëveshjen Pashiq-Toptani, Republikën e Mirditës. Traktati i fshehtë i Londrës i viti 1915 është dëshmi e hidhur e tërë asaj armiqësie kundër Shqipërisë. Poashtu në projektin e Ivo Andriqit të vitit 1939 insistohej në copëtimin dhe zhdukjen e Shqipërisë, me arsyetimin se çfarëdo Shqipërie që të ekzistonte, do të ishte referencë për iredentizmin shqiptar të territoreve të okupuara. Pra, copëtimi ose dezintegrimi i Shqipërisë, me formimin e ndonjë kreature të re mercenare, ka mbetur deri në ditët tona orientim strategjik i armiqve të shqiptarëve.

Në fakt, u duk sikur pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, armiqtë ishin të dekurajuar nga synimet e tyre, por ajo nuk zgjati shumë. Rikthimi te projektet për dezintegrimin e Shqipërisë dhe për futjen e thikave të përçarjes ndër shqiptarë tashmë janë rikthyer me shumë virulencë. Dy prej tyre veçohen për arsye se formalisht duken me autorësi nga vetë shqiptarët. E para është iniciativa morbide për braktisjen e fesë islame, e emërtuar si “Lëvizja e Deçanit”, e cila ka elemente të Rekonkuistës spanjolle, e cila u imponoi hebrenjve dhe muslimanëve në Spanjë e Portugali konvertimin, ose dëbimin dhe vdekjen. Pra, në Kosovë po synohet të bëhet konvertimi i muslimanëve në të krishterë, tash për tash vetëm me dhunë propagandistike. Ndërsa në Shqipëri u lancua një iniciatvë poashtu morbide, për formimin e një kreature fetare-shtetërore të bektashinjve. Po të mos lancohej nga kryeministri i Shqipërisë, iniciativa do të mund të trajtohej si një ide e ndonjë të lajthituri, ose të droguari, i cili në zellin e ndonjë transi kuazifetar, ka përfytyruar pronësinë mbi një shtet imagjinar. Por, e lancuar nga kryeministri i Shqipërisë, iniciativa ka elemente të një kalkulimi gjeopolitik, të maskuar me një mantel religjioz. Kryeministri mund të jetë futur në një lojë gjeopolitike, të udhëhequr nga qarqe okulte, por mbetet e pakuptueshme pse është futur në atë lojë kreu i bektashijve shqiptarë. Kjo lojë e tij paraqet problem shumë më serioz. Kreu bektashi në një rast ka deklaruar se e don një shtet bektashi “njëlloj Vatikani.” Analogjia me Vatikanin e zbulon se është fjala për futjen e tij në një konsipraciom të përmasave të mëdha, ku Shqipëria rrezikon të përdoret si dashi që përdorej për të thyer portat e kështjellave në Mesjetë. Një udhëheqës fetar i devotshëm nuk mund të futet në aso aventure. Ta fusësh Shqipërinë në skemën e luftërave sektare të botës së sotme muslimane, madje duke i dhënë një rol “qendror”, minimalisht do të thotë ta ekspozosh në të ardhmen si një shënjestër të ekstremizmit të dhunshëm dhe të terrorizmit. Pse? Sepse ato shtete muslimane e ata agjentë joshtetërorë që do të ndiheshin të atakuara nga ajo kreaturë fetare konkuruese ndaj pozitave të tyre, do ta shndërronin Shqipërinë në cak legjitim të sulmeve të tyre terroriste, natyrisht edhe të sulmeve diplomatike, ekonomike e propagandistike. Siç shihet e dihet, në decenien e fundit bota ka parë tmerrin e konflikteve sektare në Siri, në Irak, në Libi, në Jemen, në Sudan, sikundër që ka parë tmerrin e kasaphanes sektare ndërmjet Irakut e Iranit në vitet tetëdhjetë. Prandaj kushdo që tenton të bartë në Shqipëri atë mal urrejtjesh, paragjykimesh e armiqësish nga Lindja e Mesme, bën edhe akt të rëndë tradhtie shtetërore e kombëtare.

Futja në atë sherrnajë të lemerishme të Lindjes së Mesme do të shërbente edhe për ta rihapë kutinë e Pandores të urrejtjes, paragjykimeve dhe armiqësive të kombeve ballkanike e europiane kundër Shqipërisë e shqiptarëve. Ashtu Shqipëria do të ishte në një senduiq të armiqësive të shteteve muslimane në njërën anë dhe të shteteve europiane, nën akuzën se bëhet shkaktare e jostabilitetit dhe dhunës, në anën tjetër. Si mund të mbijetojë një shtet i vogël dhe i varfër si Shqipëria në një asi rrethimi armiqësor? Thjesht, nuk ka gjasa të mbijetojë, prandaj në atë rast rrezikon të kthehet sërish në objekt të copëtimit e të dezintegrimit, si në rastin e Protokollit të fshehtë të Londrës.
Ngado që ta vështrosh, mbetet e qartë si është e mundshme që një shtet shtet sekular, anëtar i NATO-s, në proces integrimi në Bashkimin Europian, të marrë përsipër formimin e një shteti fetar në territorin e vet dhe atë në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit dhe që për atë shkak të futet një një sherrnajë globale e në një rrezik potencial për t’u rikthyer në objekt planesh ogurzeza të armiqve që gjithnjë kërkojnë pretekste për sulme, ngase kurrë nuk kanë reshtur së bëri plane për zhdukjen e tij.
Po të shikohet vetëm në planin thjesht fetar, nuk mund të ketë asnjë shenjë barazie ndërmjet katolicizmit e bektashizmit, rrjedhimisht në asnjë rast Vatikani nuk mund të shërbejë si një model për organizimin e jetës fetare të bektashijve shqiptarë. Prandaj këshilla ime është: mbylleni këtë qasje donkishoteske dhe idiotike!

Poashtu është e ditur se bektashizmi nuk është fe më vete po është një sekt i fesë islame, ndonëse një sekt i devijuar në disa segmente në raport me Shpalljen e fundit Hyjnore. Por fe, sidomos fe e shpallur, nuk mund të jetë asnjëherë. Prandaj do të duhej të braktiseshin edhe ato lojëra të vjetra e të reja me statusin e bektashizmit si gjoja fe më vete e komunitet fetar më vete. Nëse shkon më tutje kjo tendencë e separimit, ajo mund ta dëmtojë sintezën e arritur të harmonisë fetare brenda kombit shqiptar. Në atë rast mund t’i ekspozojë bektashijtë si plangprishës e kjo etiketë, për një komunitet aq të vogël prej 115.000 frymësh që nuk kalojnë as 5% të shtetasve të Shqipërisë, mund të ketë pasoja shumëplanëshe. Meqë kontributet e shqiptarëve bektashi, që nga formimi i kombit e këndej, do të mbeten përherë në pronësi të kombit shqiptar, një krature bektashiane purofetare do të ishte pa kujtesë, pa histori, pa ardhmëri.

Një kreature të tillë absurde do të mund t’i matej e mbahej mend vetëm dëmi që do t’i shkaktonte kombi tonë. Njëri nga dëmet e mundshme do të ishte oksigjenimi i projektit okult për formimin e të ashquqajturit “komb kosovar” në Kosovë. Ka disa qarqe klerikalo-fashiste në Perëndim, të cilat sponsorizojnë idenë e formimit të “kombit kosovar”, me synimin që ta amputojnë këtë pjesë të kombit shqiptar nga korpusi shqiptar dhe që më lehtë ta krijojnë realitetin për kthimin e Kosovës nën kontrollin serb. Pra, nëse do të formohej një kreaturë shtetërore e bektashijve në truallin shqiptar, ajo do të mund të përdorej si stimulues për idenë e kombit kosovar, duke e relativizuar identitetin shqiptar. Ndërsa në atë rast shumë më lehtë do të arsyetohej projekti serb për formimin e një entiteti fetar e shtetëror serb, i cili do të lidhte Patriarkanën e Pejës dhe manastirin e Deçanit. Ka disa vite që në qarqe të caktuara fetare e shtetërore serbe propozohet kthimi i selisë së Patriarkanës Serbe nga Beogradi në Pejë. Sikundër dihet, manastirin e Deçanit e ruajnë në mënyrë speciale forcat e KFOR-it, i cili faktikisht është jashtë juridiksionit shtetëror të Kosovës, bashkë edhe me disa monumente të tjera ortodokse serbe, që kanë statusin e eksterritorialitetit.
Me gjasë, ideja për shtetin bektashi e ka brenda vetes strategjinë që në stilin e karambollit, të ndihmojë për formimin e të ashtuquajturit “Atosit serb” në Kosovë e ndoshta edhe të një autonomie të Himarës. Pra, ngado që ta shikosh, ideja për formimin e një shteti fetar bektashi në Tiranë, është e rrezikshme, jo vetëm për stabilitetin e reputacionin e mirë të shtetit shqiptar, po edhe për ekzistencën e kombit shqiptar.

Në Prishtinë, 2 dhjetor 2024

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

25 vjet nga Marrëveshja e Ohrit/ Shkupi bëhet qendër e diskutimeve për bashkëjetesën, dialogun dhe rrugën drejt BE-së

Më 12 dhe 13 gusht, në Shkup do të shënohet 25-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, përmes një manifestimi dyditor me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura nga Maqedonia e Veriut dhe nga rajoni.

Nën moton 25 dhe përtej, me një seri panelesh diskutimi, debateve dhe aktiviteteve kulturore do të shënojnë këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikthyer në fokus rëndësinë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, proceset që pasuan nënshkrimin e saj, avancimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe rrugën e vendit drejt integrimit evropian.

Manifestimi organizohet nën patronatin e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe ministrit Agon Ferati, me synimin që 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit të shërbejë jo vetëm si moment përkujtimi, por edhe si hapësirë për reflektim, debat dhe përcaktim të vizionit për të ardhmen.

Programi do të fillojë më 12 Gusht, kur përmes disa paneleve tematike do të mblidhen personalitete nga sfera të ndryshme.

Për më shumë se pesë orë, pjesëmarrësit do të diskutojnë tema që lidhen drejtpërdrejt me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, rëndësinë e saj për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë, marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, përvojat e 25 viteve të fundit, si dhe sfidat dhe mundësitë që e presin vendin në procesin e integrimit evropian.

Në fokus do të jenë edhe pyetjet se çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre 25 viteve, cilat janë rezultatet e arritura, cilat sfida kanë mbetur ende për t’u adresuar dhe si mund të ndërtohet një shoqëri edhe më gjithëpërfshirëse, demokratike dhe evropiane.

Në panelet e diskutimit pritet të marrin pjesë figura të njohura publike, politike, akademike dhe shoqërore nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni, duke krijuar një platformë rajonale për shkëmbimin e ideve dhe përvojave.

Një nga shtyllat kryesore të manifestimit do të jetë ndërlidhja mes përvojës, arritjeve dhe praktikave të 25 viteve të kaluara dhe vizionit për të ardhmen – me fokus në atë se si do të duken 25 vitet e ardhshme të Marrëveshjes së Ohrit dhe si do të ndërthuret ky vizion me rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.

Diskutimet do të trajtojnë rëndësinë e dialogut, respektimit të të drejtave të komuniteteve, institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe përfshirjes së të gjithë qytetarëve në proceset shtetërore si pjesë e vizionit evropian të vendit.

Organizatorët synojnë që përvjetori të mos mbetet vetëm një ngjarje simbolike, por të shndërrohet në një mundësi për të hapur diskutime konkrete mbi të ardhmen e vendit dhe mbi mënyrën se si përvoja e 25 viteve mund të shërbejë si bazë për një kapitull të ri.

Programi do të vazhdojë me manifestimin qendror, më 13 Gusht, me një ngjarje të veçantë në mbrëmje, e cila do të zhvillohet në sheshin kryesor të Shkupit, pranë Urës së Gurit.

Mbrëmja do të përfshijë koncert recital, ndërsa para publikut do të mbajnë fjalime edhe personalitete të larta shtetërore.

Kështu, dy ditët e manifestimit do të ndërthurin diskutimin politik dhe institucional me kulturën, duke i dhënë përvjetorit një dimension më të gjerë dhe duke e sjellë atë edhe më pranë qytetarëve.

25-vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit vjen si një moment për të reflektuar mbi një prej marrëveshjeve më të rëndësishme në historinë e re politike të Maqedonisë së Veriut.

Manifestimi i 12 dhe 13 gushtit synon të sjellë në një hapësirë të përbashkët zëra të ndryshëm nga rajoni, për të diskutuar të kaluarën, për të analizuar të tashmen dhe, mbi të gjitha, për të folur për të ardhmen.

Nga Marrëveshja e Ohrit te perspektiva evropiane – dy ditë diskutime, ide, kulturë dhe mesazhe për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe një të ardhme të përbashkët evropiane.

Nisma, nën patronatin e Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe ministrit Agon Ferati, synon që 25-vjetori të shënohet si një moment i rëndësishëm i dialogut dhe reflektimit, por edhe si një mesazh se proceset e nisura 25 vite më parë duhet të vazhdojnë të ndërtohen përmes bashkëpunimit, dialogut dhe orientimit të qartë evropian.

Continue Reading

Lajme

Kush po provokon në ‘UminDoll’ të Kumanoves-“Kosova është Serbi?

Reagim i AKI-Kumanovë

Parullat “Kosova është Serbi” në fshatin Umindoll nuk janë thjesht shkrime në rrugë, janë provokim që kërkon reagim institucional!

Parullat janë shkruar në rrugën e vjetër që lidh Shkupin me Kumanovën, një rrugë e frekuentuar çdo ditë nga shumë shqiptarë.
Në një ambient të ndjeshëm, veprime të tilla mund të nxisin tensione, reagime dhe incidente të panevojshme.

Prandaj kërkojmë që institucionet kompetente të veprojnë, të zbulojnë autorët dhe të marrin masat e nevojshme. Heshtja nuk i shërben bashkëjetesës.

Presim edhe reagimin e kryetarit të Komunës, Maksim Dimitrievski, i cili pak ditësh, për një rast tjetër, reagoi menjëherë, ndërsa tani kur preken drejtpërdrejt shqiptarët dhe krijohet një provokim që mund të cenojë marrëdhëniet ndëretnike, presim të njëjtën qartësi dhe vendosmëri.
Sepse kur ngacmohen shqiptarët, kryetari nuk mund të bëhet as i shurdhër, as i verbër.

Kumanova ka nevojë për përgjegjësi, jo për standarde të dyfishta.

AKI Kumanovë

 

Continue Reading

Lajme

Bien ndjeshëm çmimet e karburanteve, nafta ulet për 8 denarë

Çmimet e karburanteve në Maqedoninë e Veriut ulen ndjeshëm. Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) njoftoi se çmimi i benzinës ulet për 4 denarë, ndërsa dizeli bëhet më i lirë për 8 denarë.

Në përputhje me metodologjinë që përdor KRRE-ja për përcaktimin e çmimeve të karburanteve, nga mesnata e sonte çmimet me pakicë ulen mesatarisht me 5,81%, raporton zyrtare.net.

Çmimet e EUROSUPER-95 dhe EUROSUPER-98 ulen për nga 4 denarë. Një litër benzinë 95-oktanëshe do të kushtojë 87 denarë, ndërsa një litër benzinë 98-oktanëshe do të kushtojë 89 denarë.

Ndërkohë, çmimi i EURODIESEL-it ulet ndjeshëm për 8 denarë, duke bërë që një litër naftë të kushtojë 91,50 denarë.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sonte në mesnatë.

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme3 hours ago

25 vjet nga Marrëveshja e Ohrit/ Shkupi bëhet qendër e diskutimeve për bashkëjetesën, dialogun dhe rrugën drejt BE-së

Më 12 dhe 13 gusht, në Shkup do të shënohet 25-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, përmes një...

Lajme3 hours ago

Kush po provokon në ‘UminDoll’ të Kumanoves-“Kosova është Serbi?

Reagim i AKI-Kumanovë Parullat “Kosova është Serbi” në fshatin Umindoll nuk janë thjesht shkrime në rrugë, janë provokim që kërkon...

Lajme12 hours ago

Bien ndjeshëm çmimet e karburanteve, nafta ulet për 8 denarë

Çmimet e karburanteve në Maqedoninë e Veriut ulen ndjeshëm. Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) njoftoi se çmimi i benzinës ulet...

Lajme12 hours ago

Pas 27 vitesh, Policia e Kosovës merr përgjegjësinë për sigurinë në urën e Ibrit

Pas 27 vitesh, Policia e Kosovës ka nisur marrjen e përgjegjësisë për sigurinë në urën kryesore mbi lumin Ibër në...

Lajme12 hours ago

Izet Mexhiti me mesazh prekës pas vdekjes së Ismail Toçit: “Liria mban edhe emrin tënd”

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka shprehur ngushëllimet e tij pas ndarjes nga jeta të Ismail Toçit, të...

Lajme12 hours ago

Vapa vazhdon, temperaturat arrijnë deri në 40 gradë

Moti sot do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë me vranësira të lehta deri në mesatare. Pasdite do...

Lajme1 day ago

30 përqind më shtrenjtë, por kontejnerët e papastruar. Kumanovarët ankohen!

Kështu duken disa nga rrugët kryesore të Kumanovës në pikë të verës, ku qyteti gëlon gjithkah, pasi këtu janë edhe...

Lajme1 day ago

Tajfuni godet Kinën, evakuohen mbi 1 milion banorë

Kina po përgatitej prej disa ditësh për mbërritjen e stuhisë në bregdetin lindor, ndërsa puna dhe shërbimet e transportit ishin...

Lajme1 day ago

Vuçiq: Deklarata e Zelenskyt, goditja më e madhe kundër shqiptarëve në 14 vjet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se në Prishtinë po bëhet “gjueti shtrigash” kundër presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas...

Lajme6 days ago

Superlajm për tifozët e Shkëndijës së Tetovës

Tifozët e KF Shkëndijës dhe dashamirësit e futbollit do të kenë mundësinë të ndjekin sërish nga afër paraqitjen e kuqezinjve...

Trending